E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Pagat do të jepen në dhjetor

TIRANË- Ministria e Financave kundërshton deklaratat e dy ditëve më parë të Kryeministrit Sali Berisha sipas të cilave pagat e dhjetorit për buxhetorët do të shlyhen në muajin janar.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Financave deklaron se nuk do të ketë asnjë shtyrje në kohë të shlyerjes së rrogave apo të shpërblimeve të të gjithë punonjësve buxhetorë. "Të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar.

Ministria e Financave do të paguajë brenda muajit dhjetor edhe te gjitha shpërblimet prej 1 miliard lekë, sipas vendimit të qeverisë Nr. 1215 dt. 16.12.2009, për punonjësit e administratës publike në masen 10 mijë dhe 15 mijë lekë", - theksohet në të.

Krahas kësaj, financat zotohen se do të shpërndajnë deri në fund të këtij muaji edhe mbështetjen financiare prej 2500 lekësh për pensionistët në të gjithë vendin.

"Ministria e Financave brenda muajit dhjetor do të kryeje pagesat për shumën 1.4 miliardë lekë, sipas vendimit te qeverise Nr. 1216 dt.16.12.2009 për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2500 lekë për pension.

Brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekë për personat me aftësi të kufizuar dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike", - theksojnë financat.

Dy ditë më pare, Kryeministri Berisha kishte deklaruar se shpërblimet për buxhetorët do të shpërndaheshin brenda dhjetorit ndërsa pagat në muajin janar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›