Hasani viziton Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, zëvendëskryetari Kadri Kryeziu dhe sekretarja e Përgjithshme, Arbëresha Raça-Shala, do të qëndrojnë sot në Shkup për një vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.
Dy delegacionet e gjykatave kushtetuese do të këmbejnë përvojat e tyre në këtë takim, si dhe do të shprehin gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen, thuhet në njoftim të Gjykatës së Kosovës.
Përveç vizitës në Shkup, drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë paraparë marrëveshje dhe vizita zyrtare në muajin janar të vitit 2010, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe në atë të Republikës së Malit të Zi.