Anton Noka përballë drejtësisë?

Ka disa ditë që Anton Noka tregon se është njoftuar që ndaj tij janë duke u mbledhur informacione në lidhje me një rast të iniciuar nga gjyqtari Mejdi Dehari. Ky rast ka të bëjë me dyshimet se Noka, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, e ka ndryshuar një vendim të kolegjit të kryesuar nga Mejdi Dehari, kolegu i tij nga e njëjta gjykatë. Ky i fundit së bashku me dy anëtarë të kolegjit kishte vendosur që një biznesmeni t’i vazhdohet paraburgimi, ndërkohë që dyshohet që Noka me një vendim tjetër e ka liruar të paraburgosurin.
Express: Cili është shpjegimi juaj për këtë rast z.Noka?
Anton Noka: Kolegu Dehari (gjyqtari Mejdi Dehari) e ka bërë një shënim zyrtar dhe i është dorëzuar kryeprokurorit Hilmi Zhitia. Më pas, kryeprokurori me një akt përcjellës këtë shënim zyrtar ia ka dërguar në kompetencë Prokurorisë Publike Komunale në Prizren. Këtë e kam kuptuar nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës, i cili ma ka prezantuar shkresën e prokurorit.
Deri para katër ditësh unë nuk kam pasur kurrfarë njoftimi zyrtar nga ana e Prokurorisë Publike Komunale në Prizren lidhur me atë shënim zyrtar të z. Dehari. Tani e kam marr një ftesë për t’u dëgjuar në atë prokurori. Kam marr vesh se kjo prokurori është në mbledhjen e informacioneve në lidhje me atë shënim zyrtar.
Express: E ndjeni vetën fajtor se keni bërë ndonjë shkelje në këtë rast?
Anton Noka: Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kurrfarë shkeljeje të ligjit. Bile mund të them se absolutisht jam i pagabueshëm në këtë rast dhe të gjitha veprimet që i kam bërë në atë lëndë janë në përputhje me ligjin. Edhe z. Dehari në shënimin zyrtar vetëm shpreh mospajtimin e tij për rrjedhën e procedurës të kolegjit penal me rastin e vendosjes së lëndës së paraburgimit për A.G. E kam thënë dhe tash e them se konstatimet e z. Dehari kanë qenë të ngutshme dhe të paarsyeshme e të paqëndrueshme.
Express: Atëherë pse mendoni ju që gjyqtari Mejdi Dehari e ka bërë këtë?
Anton Noka: Z.Dehari ka menduar se propozimi i prokurorit për ndërprerje të paraburgimit mos të shqyrtohet në seancën e kolegjit, por t’i kthehet Gjykatës Komunale. Ne kemi obligim ta shqyrtojmë propozimin e prokurorit për ndërprerjen e paraburgimit që arrin në fazën kur është duke u shqyrtuar ankesa kundër paraburgimit. Është obligim i domosdoshëm i kolegjit ta vlerësojë propozimin e prokurorit. Në të kundërtën, anashkalimi i këtij propozimi të prokurorit do të kishte pasoja në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të personit.
Express: Do t’i përgjigjeni drejtësisë?
Anton Noka: Do t’i përgjigjem drejtësisë, por që në fillim do të vë në pah se unë kam vepruar në bazë të ligjit dhe është e drejtë kushtetuese e gjyqtarit të mos merret në përgjegjësi për vendimin e dhënë në përputhje me ligjin.
Express: Çfarë raportesh keni me gjyqtarin Mejdi Dehari?
Anton Noka: Raportet me z. Dehari janë zyrtarisht në nivel.
Express; Nëse ju nuk keni bërë shkelje ligjore, atëherë pse mendoni se gjyqtari Dehari e ka bërë atë shkresë kundër jush?
Anton Noka: Nuk e di, edhe pse me të kemi qenë shokë shkolle për shtatë vjet.
Express: Kryetar, kundër jush ka dalë edhe një xhirim ku ish vozitësi juaj, duke ju përmendur juve, i premton një personi se do t’ia kryejë një punë. Cili është shpjegimi juaj?
Anton Noka: Nuk kam arritur ta shikoj në tërësi, por disa inserte të saj i kam parë.
Express: E si është puna?
Anton Noka: Aq sa kam kuptuar nga ato që kam parë në CD, është fjala për vozitësin e Gjykatës së Qarkut duke biseduar me një huadhënës të tij dhe i premton se do të marrë kredi, e për shpejtimin e kredisë do t’i ndihmojë kryetari i Gjykatës së Qarkut (pra unë). Nëse nuk i rregullohet kredia, do t’i sjellë material ndërtimor. Më tej, huadhënësi i kërkon rregullimin e një pune tjetër, ndërsa vozitësi i thotë në fillim që të mos bisedohet për këtë punë, por të kryhet çështja e borxhit. Sa i përket punës tjetër që huadhënësi i kërkon prej tij, vozitësi i premton në mënyrë hipotetike se ‘do të përpiqemi që t’ia shtyjmë fillimin e vuajtjes së dënimit. Premtimi ka qenë hipotetik e jo konkret.
Express: A ke biseduar me vozitësin ndonjëherë për këtë çështje?
Anton Noka: Pasi vozitësi ka dalë nga burgu, ku ishte në paraburgim për një konflikt familjar, ai është interesuar për marrëdhënien e punës, por unë i thash se për kthim në punë duhet të pyesë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili e ka suspenduar. E kam pyetur për atë CD dhe ai më ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë për ndonjë veprim të kundërligjshëm. Madje ai më ka thënë se kurrë nuk e ka keqpërdorur vendin ku punon e as emrin e dikujt nga funksioni i gjyqësorit.
Express: Për ju thonë se keni goxha pasuri, përfshirë një shtëpi të madhe që e keni ndërtuar goxha shpejt. Si e keni ndërtuar atë shtëpi?
Anton Noka: Unë në tërë jetën time e kam marrë një banesë në vitin 1983. Ajo banesë më ka shërbyer si pikënisje për ndërtimin e një shtëpie. Shtëpinë e kam filluar ta ndërtoj në vitin 2002-2003 dhe e kam përfunduar në vitin 2008.
Express: Sa ka kushtuar ndërtimi i saj?
Anton Noka: Banesën e kam shitur 42 mijë euro dhe blerësi dihet. Kam marrë tri herë kredi. Nga Pro Credit Bank 10 mijë euro, Reiffeisen Bank 10 mijë euro dhe pas shlyerjes së kredisë së parë e kam marrë nga Pro Credit Bank edhe një kredi 10 mijë euro, të cilën ende vazhdoj ta paguaj dhe një kredi prej 45 mijë eurosh, për të cilën hipotekë kam lënë truallin prej 5 ari. Përveç kësaj, kam pasur kursime modeste nga avokatia që e kam zhvilluar në vitet 1990-99, gjithsej 10 mijë euro ose 20 mijë marka gjermane në atë kohë. Pas luftës gruaja ka punuar në dyqan të argjendarisë ku për 2 deri 3 vjet kemi kursyer rreth 10 mijë euro. Të ardhurat e mia personale si kryetar i Gjykatës së Qarkut janë 560 euro. Kam ligjëruar rregullisht në Institutin Gjyqësor, Fakultetin Juridik etj. dhe kam marrë honorare deri 250 euro në muaj. Kjo mund të shihet në evidencat e Pro Credit bankës. Jam vetë i pesti anëtar i familjes, gruaja e cila tash punon si arsimtare, djali dhe dy vajzat. Shtëpia ime famoze ka katin përdhese, katin e parë dhe nënkulmin. Çdo kat i ka nga 100 metra katrorë. Në ndërtimtari llogariten edhe themelet dhe kulmi, pra 300 metra katrorë, plus themelet dhe kulmi që bëjnë gjithsej 400 metra katrorë. Në kushtet e atëhershme ndërtimi i një metri katror ka kushtuar 70 euro. Ky çmim është i pandryshuar edhe sot. Ndërtimi me çelësa në dorë ka kushtuar 200 euro për metër katror. Tani llogaria është e qartë. Por, shtëpinë që ma kanë vlerësuar 1 milion euro, disa spekulantë, le të m’i japin 200 mijë euro, lirisht 800 mijë të tjerat le t’i mbajnë për vete vlerësuesit.
Express: A keni konkurruar për gjyqtar të Gjykatës Supreme të Kosovës?
Anton Noka: Unë kam konkurruar për Gjykatën Supreme dhe jam intervistuar nga komisioni përkatës. Nuk kam njohuri se çfarë ka ndodhur më vonë.