E Diel, 1 Nëntor 2026

Shi dhe dëborë, izolohen dhjetëra fshatra, probleme në rrugë

Ndërsa priten ngrica dhe ashpërsim i motit, disa nga rrugët dhe qafat kryesore të vendit janë bllokuar ose kalohen vetëm me zinxhirë. Përmbytje në Elbasan dhe Vlorë

Një autobus ka rrezikuar pasagjerët dhe drejtuesit e tij, pasi ka rrëshqitur dje pasdite në Qafë-Thanë, si shkak i dëborës dhe ngricës në rrugë. Ndërkohë, reshjet e borës dhe shiut në të gjithë vendin kanë sjellë probleme dhe bllokime të përkohshme rrugësh, ndërsa disa prej tyre janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Emergjencat civile kanë lajmëruar se me uljen e temperaturave do të ketë ngrica dhe më shumë dëborë në mjaft zona të vendit.

Gjithë dita e djeshme ka qenë me reshje bore në zonat malore dhe reshje të dendura shiu në pjesën tjetër të vendit. Deri tani nuk raportohet për rrugë të bllokuara, por policia këshillon të gjithë drejtuesit të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes dhe të përdorin zinxhirë në ato zona ku mund të ketë edhe reshje të papritura dëbore. Probleme ka pasur në Bulqizë, e cila është përfshirë nga reshjet e borës dhe disa komuna mësohet se janë bllokuar, ndërsa zonat e tjera të vendit janë përfshirë nga reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar probleme në akset kryesore.

Situatë problematike paraqitet në rrethin e Dibrës, ku reshjet e dëborës kanë bllokuar komunat Sllovë, Kalaja e Dodës, Lurë. Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme edhe në fshatrat Selishtë dhe Qafë-Murr. Në Bulqizë rezultojnë të bllokuara komunat Ostren e Trebisht. Probleme ka pasur edhe në disa fshatra të komunave Zerqan e Martanesh. Bëhet me dije se rruga nacionale Fushë Bulqizë-Klos është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, shirat e dendura të rëna gjatë mbrëmjes kanë përmbytur një pjesë të lagjes ‘Fushë Mbret’ në qytetin e Elbasanit, ndërsa mësohet se automjetet të cilat udhëtonin paraditen e djeshme në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë bllokuar përreth 1 orë si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vetëm pas ndërhyrjes së policisë ky aks rrugor është bërë i kalueshëm në një korsi.

Reshjet intensive të shiut kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore në Vlorë. Disa nga rrugët kryesore, duke filluar nga ato përqark godinës së Universitetit “Ismail Qemali”, bulevardi Vlorë-Skelë në disa pika, kryqëzimi në afërsi të godinës së Zyrës së Punës, si dhe disa lagje periferike, janë përmbytur nga ujërat që kanë arritur në një lartësi prej rreth 15 cm. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, por edhe për kalimtarët. Ndërkohë, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë ndërhyrë dhe kanë normalizuar situatën në disa zona të tjera duke larguar ujin. Gjithashtu, reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente rurale, veçanërisht në rrugën Vlorë-Kuç, ku ka pasur edhe rrëshqitje dherash, por pa pasoja të dukshme. Qafa e Llogorasë është e pakalueshme për të gjitha mjetet si pasojë e reshjeve të dëborës.

Reshjet e borës kanë bllokuar disa komuna edhe në Korçë. Komuna Lekas dhe Miras në Bilisht janë të bllokuara, po ashtu e bllokuar është edhe zona e Mokrës. E bllokuar për kalimin e mjeteve është edhe rruga që të çon në fshatin turistik të Dardhës, ndërsa rruga për në Voskopojë kalohet vetëm me zinxhirë; përdorimi i tyre është i nevojshëm edhe në rrugën Kapshticë-Kozanë të Greqisë. Reshjet e shumta të shiut kanë përfshirë në orët e para të mëngjesit të së premtes qarkun e Kukësit, ndërkohë që në lartësinë e mbi 1000 metrave mbi nivelin e detit janë shfaqur edhe reshjet e dëborës. Në akset rrugore Kukës-Shishtavec, Kukës- Daj Rec, Kukës-Krumë dhe Kukës -Qafë Shllak kanë ndodhur rrëshqitje dherash e gurësh, çka ka vështirësuar lëvizjen normale të mjeteve. Ndërsa në Qafë-Shllak, Shishtavec, Arrën, Grykë-Cajë, Kalis, lartësia e dëborës ka arritur në mbi 10 centimetra, ndërkohë që nuk ka rrugë të bllokuara edhe pse drejtuesit e mjeteve në këto zona këshillohen të lëvizin me zinxhirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›