Prishet tregu industrial në Fier, tregtarët përleshen me policinë
Tregtarët të grupuar brenda vendeve të tyre të punës kanë kundërshtuar me forcë mjetet fadroma që kishin marrë urdhër ta shkatërronin këtë treg.
Dhjetëra tregtarë të tregut industrial të qytetit Fier janë përleshur me forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake në mesditën e së premtes. Ata kanë kundërshtuar prishjen e tregut pranë lumit Gjanica. Tregtarët, të grupuar brenda vendeve të tyre të punës, kanë kundërshtuar me forcë mjetet fadroma që kishin marrë urdhër ta shkatërronin këtë treg. Të irrituar, ata kanë qëlluar me gurë duke plagosur në fytyrë njërin prej drejtuesve të mjeteve fadroma. Në këtë çast ka ndërhyrë policia, e cila ka shoqëruar edhe disa tregtarë protestues në mjediset e komisariatit. Pas një rezistence prej gjysmë ore, fadromat kanë hedhur përtokë mbulesat prej llamarine të përshtatura prej tregtarëve, ndërsa këta të fundit janë izoluar në një cep të tij, duke u rrethuar prej forcave të shumta të policisë.
Rreth orës 12.15 fadromat kanë ndërhyrë me ndihëm e policisë, duke shkatërruar kështu tregun pranë lumit Gjanica. Në fakt aksioni për prishjen e këtij tregu ka nisur që në orët e para të mëngjesit të ditës së premte. Dhjetëra forca policie kanë ndaluar tregtarët të ushtronin veprimtarinë e tyre të përditshme, duke bllokuar të gjitha hyrjet që të çonin në brendësi të tij. Por tregtarët arritën të futen brenda ambienteve të përshtatura për shitje mallrash, kryesisht veshje, duke ndaluar përkohësisht aksionin e policisë bashkiake. Për më shumë se katër orë palët kanë qenë përballë njëra-tjetrës.
Uniformat blu nuk kanë ndërhyrë, ndërsa tregtarët nuk kanë lejuar mjetet e rënda të afrohen në treg. Madje disa prej kanë takuar dhe përfaqësuesit më të lartë të policisë. Tregtarët kanë kërkuar që bashkia të ndërtojë një treg që varet prej saj. Sipas tyre, prej 20 vjetësh kanë punuar në këtë vend dhe kanë paguar taksat sipas ligjit. Ndërkohë nënkryetari i Bashkisë Fier, Florian Muçaj, deklaroi se tregu është i paligjshëm dhe se tregtarët do të zhvendoseshin që aty për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë.
Sipas tij, ata kanë zënë forcërisht një hapësirë publike, ndaj dhe është kërkuar ndihma e forcave të policisë së rendit për lirimin e hapësirës publike dhe hapje rrugë të investimeve në këtë zonë. Prej vitesh çështja e tregtarëve fierakë është kthyer në mollë sherri mes tyre dhe institucionit të Bashkisë Fier. Kjo e fundit ka miratuar vende të tjera për treg në hyrje të qytetit Fier, nga ana e Vlorës, që do të ndërtohen dhe administrohen privatisht, por tregtarët këmbëngulin për një treg në varësi të bashkisë.