E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB, debat Tadiç-Hyseni, akuza reciproke kriminaliteti

 

Kosova dhe Serbia u përplasën në Këshillin e Sigurimit dje duke akuzuar njëra-tjetrën për akte kriminale. Përfaqësuesi i Kosovës u shpreh se Beogradi po provokon krimet në pjesën veriore të vendit. Ndërsa përfaqësuesi serb, tha se “mafia shqiptare” ishte e përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, tregtinë e armëve dhe të drogës. Debati lindi gjatë raportimit të gjendjes në Kosovë të përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun. “Situata në veri të Kosovës mbetet emergjente dhe shumë shqetësuese”, tha ministri Hyseni në takim. “Struktura të paligjshme me mbështetjen e dukshme nga Beogradi e kanë kthyer këtë pjesë të Kosovës në një “parajsë” të tyren për aktivitete kriminale dhe kontrabandë ilegale ekonomike”, shtoi ai. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili ishte i pranishëm në takim, pasi theksoi se Beogradi nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovë, u bëri thirrje vendeve anëtarë të OKB-së të mos e njohin Pavarësinë e Kosovës, si në mënyrë direkte ashtu edhe indirekte”. “Serbia, bashkë me disa vende të Bashkimit Evropian po hasen me probleme të tmerrshme që po ngrihen nga aktiviteti ilegal i mafies shqiptare në Kosovë, që është e specializuar me trafikimin e narkotikëve, qenieve njerëzore dhe armëve”, akuzoi Tadiç. OKB ka ndërtuar një plan gjashtë pikësh për Kosovën, sipas të cilit policia, doganat dhe Gjykatat në zonat serbe do të mbetet nën protektoratin e UNMIK, ndërsa shqiptarët do të punojnë me misionin e BE-së, EULEX. Në raportin e Ban Ki Munit thuhej se situata në Kosovë ishte përgjithësisht e sigurt, më pak incidente në veri. Ai vlerësoi se shumë serbë refuzojnë të bashkëpunojnë me Prishtinën, ndërsa autoritetet kosovare e shohin misionin e UNMIK-ut si një pengesë për pavarësinë e tyre. Hyseni tha se Kosova ishte e gatshme të normalizonte marrëdhëniet me fqinjën e saj, Serbinë. Por Tadiç e hodhi poshtë këtë ide, duke komentuar se Kosova nuk ka fqinje Serbinë, sepse Kosova nuk është shtet. Serbia është mbrojtur nga aleati rus në këtë debat. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, i mohoi ankesat e Hysenit mbi ndërhyrjen serbe në veri duke komentuar se, “çdo gjë është një përpjekje për të akuzuar Beogradin për të gjitha problemet në Kosovë”. Hyseni ka kërkuar ndërprerjen e funksionimit të UNMIK-ut, pasi sipas planit të Ahtisarit, i cili zbatohet në Kosovë, mandati i këtij misioni ka përfunduar dhe paqartësia për hapat e mëtejshëm po pengon zhvillimin e pavarësisë në vend. Këshilli i 15-të vendeve nuk ishte në gjendje të ndryshonte mandatin e OKB-së, pasi anëtarët e tij janë të ndarë mbi vendimin që duhet të merrte në lidhje me mandatin e UNMIK-ut dhe ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›