E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat e dendur, përmbytje në Durrës dhe Fier

Dhjetëra banesa nën ujë. Bllokimi i kanalizimeve, shkak për situatën e krijuar

Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje tokash bujqësore dhe izolim shtëpish në Qarkun e Durrësit dhe në Fier. Kështu, në grykëderdhjen e Ishmit afro 300 hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë, ndërsa shumë shtëpi kanë mbetur të izoluara. Kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës, Seit Kërtusha, tha se sipas drejtuesve të Komunës Bubq situata është rezultat i hapjes së portave të Bovillës, më shumë se sa i intensitetit të reshjeve të shiut të ditëve të fundit. Në drejtim të zonës kanë shkuar për verifikimin e situatës edhe specialistë të Këshillit të Qarkut, ndërkohë që raportohet edhe për shtëpi të cilat kanë mbetur të izoluara, pasi janë rrethuar nga uji dhe e kanë të vështirë qarkullimin. Një tjetër situatë kritike paraqitet në plazhin e Durrësit ku reshjet e shiut dhe ndërtimet pa kriter e mbi kolektor vazhdojnë të mbajnë të izoluara familje të tëra në plazhin e Durrësit. Uji ka depërtuar sërish brenda shtëpive të ulëta, ndërsa pas kanë mbetur vetëm premtimet për dëmshpërblim dhe ndërhyrje që të shmangë përsëritjen e përmbytjeve. Kanë kaluar 2 muaj e gjysmë nga premtimet, po që nga muaji nëntor i vitit të kaluar familjarët vuajnë pasojat dhe përballen me të tjera përmbytje sapo nisin t’u gëzohen ditëve të thata. Edhe ndërhyrjet emergjente për zhbllokimin e kanalit të ujërave të larta në zonën e plazhit nuk e kanë zgjidhur problemin e banorëve, ndërkohë që mungon një studim për evidentimin e shkaqeve që çojnë në përmbytje dhe zgjidhjen e problemit përmes një investimi konkret. Banorët gjithashtu vuajnë dhe paqartësinë në përcaktimin e kompetencave për mirëmbajtjen e kanaleve. Sipas Kërtushës, në bazë të ligjit “Për pushtetin vendor” kompetenca për kanalizimet i përket Bashkisë së Durrësit.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme edhe në Qarkun e Fierit. Një fshat është izoluar nga uji, ndërkohë që lumi Gjanica me daljen e tij nga shtrati ka nisur të përmbysë objektet më pranë brigjeve. Ndërkohë, Prefektura e Fierit deklaron se përmbytje sipërfaqësore ka në mjaft zona të qyteteve dhe fshatrave në rang qarku. Situata më e rëndë paraqitet në fshatin  Mbrostar, rreth 3 km larg Fierit. Pothuajse në të gjitha banesat e fshatit uji ka arritur të depërtojë në korridoret e banesave.
Banorët tregojnë se kanë mbi pesë muaj që sa herë bie shi ndodhen në të njëjtën situatë dhe për këtë fajësojnë komunën dhe kryetarin e saj, Vait Baçja. Sipas tyre, komuna nuk ka kryer investime, duke u justifikuar me faktin se banorët nuk paguajnë taksat vendore. Por pretendimi i dalë zyrtarisht nga Komuna Mbrostar, sipas banorëve nuk qëndron. Shkak për situatën e përsëritur në këtë fshat mbeten kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›