E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuliçaj: Emri i vrasësit të Xhindit publikohet së shpejti

Sipas kreut të Hetimit të Krimeve, dje u zhvillua një analizë totale mbi këtë ngjarje
Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi është drejt zbardhjes dhe emri i autorit të saj do të publikohet shumë shpejt. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, gjatë një konference në shtyp për vrasjet e ndodhura gjatë muajit janar. Ai ka deklaruar se kjo vrasje ka qenë dhe mbetet prioritet i Departamentit të Hetimit të Krimeve, ndërkohë që jo më larg se dita e djeshme është zhvilluar një analizë në lidhje me këtë krim.
Vrasja e deputetit
Gjatë pyetjeve të gazetarëve ai ka deklaruar se zbardhja e kësaj ngjarjeje është prioriteti kryesor i Policisë së Shtetit dhe se po punohet për zgjidhjen e saj. “Vazhdon të jetë i ngritur një grup pune me specialistët më të mirë të fushës dhe pikërisht sot (dje) paradite është kryer një analizë e detajuar e kësaj ngjarjeje”, deklaroi Kuliçaj. Sipas tij, do të ketë analiza të vazhdueshme me prokurorinë dhe unë jam i bindur se shumë shpejt do të ketë një emër, të cilin do ta bëjmë publik. “Kjo është vrasja e një personi me cilësi të veçanta dhe ndryshon nga vrasjet e tjera. Hetimet po vazhdojnë”, përfundoi Kuliçaj në lidhje me këtë krim. Deklarata e tij ka ardhur pas një sërë akuzash nga Partia Socialiste dhe familjarët e të ndjerit, që hetimet për vrasjen e tij janë lënë në harresë dhe se policia nuk ka asnjë pistë. Madje, që një muaj pas vrasjes, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani, aktualisht ministër i Drejtësisë, deklaroi se shumë shpejt do të zbardhet vrasja e deputetit të opozitës. Gjithashtu, edhe pas operacionit për kapjen e Dritan Dajtit, i cili u quajt nga Ministria e Brendshme si një operacion i suksesshëm, pikërisht më 6 gusht të vitit që shkoi, u deklarua sërish se vrasja e deputetit Xhindi ishte drejt dokumentimit të plotë, dhe se do publikohej emri i autorit të ngjarjes së rëndë.
Por, në shtator u ndryshua qeveria dhe që nga ai moment e deri dje, kur në konferencë për shtyp ka dalë kreu i Departamentit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kjo vrasje dukej sikur kishte mbetur pa autor. Ditën e djeshme, Agron Kuliçaj, i cili për një periudhë të gjatë kohore ka qenë edhe truproja personale e Berishës dhe tashmë mban në dorë departamentin më të rëndësishëm të policisë, ka deklaruar të njëjtat fjalë, duke ngjallur edhe njëherë shpresat te familjarët e të ndjerit, se emri i autorit që u shkaktoi tragjedinë në familje, do të shkojë para drejtësisë. Madje, familjarët e deputetit të vrarë në datën 2 maj në Roskovec kanë akuzuar strukturat shtetërore se ato po mbajnë peng hetimet për vrasjen e njeriut të tyre të dashur. Në atë kohë, ministri i Brendshëm i garantoi familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar. Por, familjarët e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, u shprehën se i kishin dërguar një letër Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit, ku kërkonin zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorit apo autorëve. Sipas tyre, është i habitshëm fakti se pse ngjarja akoma nuk është zbardhur dhe se pas 9 muajve ata ende nuk dinë motivin e vrasjes së të afërmit të tyre. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u vra në oborrin e banesës së tij, ndërsa ai ishte duke parkuar makinën. Ngjarja ndodhi në datën 2 maj në Roskovec të Fierit. Vrasësi kishte pritur ndërsa ai kishte mbërritur në shtëpi dhe e qëlloi me breshëri automatiku. Viktima mori plumba në kokë dhe trup. Autori i krimit kishte qëlluar dy herë, një herë nga larg dhe një herë nga afër, duke bërë që për viktimën të mos kishte mundësi mbijetese. Një ngjarje e tillë bëri që për zbardhjen e saj të merrnin pjesë hetuesit më të mirë në vend. Sipas ministrit Nishani, punët kanë ecur ashtu siç duhet dhe se shumë shpejt pritet që autori ose autorët të vihen përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për këtë krim të shëmtuar.
Vrasjet e janarit
Veç vrasjes së deputetit Xhindi, Kuliçaj ka komentuar edhe ngjarjet e rënda të muajit të parë të këtij viti. Në lidhje me faktin që në të dy ngjarjet e rënda, si në Korçë dhe në Durrës, kemi të bëjmë me autorë me precedentë penalë, ai u përgjigj se është e natyrshme qe pikërisht persona me precedentë penalë të jenë të përfshirë në  këto ngjarje, pasi qytetarë të thjeshtë që bëjnë një jetë normale, nuk ka se si të përfshihen në ngjarje të tilla kaq të rënda. Ndërsa pyetjes se cila është arsyeja e tendencës së rritjes së kriminalitetit me disa të vrarë brenda pak ditëve, Kuliçaj iu përgjigj me argumentin se këto janë spekulime. “Dua të informoj publikun lidhur me disa spekulime që janë bërë lidhur me këtë çështje. Realisht po të krahasohen të dhënat për krimin e vrasjes me ato të vitit të kaluar, janë përafërsisht të njëjta, por me një dallim, ka një rritje të forcës zbuluese prej 100% për 12 vrasje të ndodhura dhe ka një rritje të arrestimit të personave që e kanë kryer këtë krim në masën 96%. Nga 12 raste që kanë ndodhur për këtë vit, 11 autorë janë arrestuar dhe të 12 ngjarjet janë të zbardhura”, tha Kuliçaj. Më tej, ai shpjegoi se gjatë kësaj periudhe ka prurje të madhe të emigrantëve, që ndikojnë në rritjen e kriminalitetit, ku janë të përfshirë edhe elementë të krimit dhe po ta krahasosh me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet fjalë për të njëjtat statistika, më pas ngjarje të tilla pësojnë rënie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›