Tri ngjarjet e rënda, për motive të dobëta
Deklarata
Në konferencën për shtyp të ditës së djeshme, numri dy i policisë, Agron Kuliçaj, ka bërë edhe një rezyme të tri ngjarjeve të rënda të ndodhura gjatë ditëve të fundit të janarit, duke përfshirë ngjarjen e Durrësit, atë të Devollit dhe të Tiranës. Ai deklaroi se në harkun kohor të 48 orëve kanë ndodhur disa ngjarje të rënda. Sipas tij, më datë 27.01.2010, rreth orës 22:30, në Lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa personave që ndodheshin në lokalin e vëllezërve “Curri”, ku si pasojë mbetën të vrarë Edmond Shemsi, Luan Curri dhe Andi Curri. Ndërsa më 29 janar, pra dy ditë më vonë, rreth orës 12:30, në fshatin Vidohovë, Komuna Miras të Rrethit Devoll, Besim Karaj, për motive xhelozie ka vrarë me armë zjarri vëllezërit Taulant, Xhilian dhe Edelvan Mulliri. Kurse dy ditë më parë, rreth orës 17:30, në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, u vra me armë zjarri Armando Hasani. “Si rezultat i veprimeve të kryera nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë u bë e mundur që në kuadër të operacionit të koduar “Qorri” të dokumentohet, lokalizohet dhe arrestohet në flagrancë autori i kësaj vepre penale, shtetasi Albert Gashi, banues në Tiranë, të cilit iu bllokua në cilësinë e provës materiale pistoleta tip TT, me të cilën kishte kryer krimin. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Për të gjitha këto ngjarje po bashkëpunohet ngushtë me prokuroritë e rretheve gjyqësore përkatëse për hetimin e plotë të tyre.
#