E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga trafikantit, shiti të fejuarën për një borxh

Operacioni
Policia e kryeqytetit vë në pranga Kliton Nanushin, të dënuar me tetë vjet burg nga Krimet e Rënda

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një të kërkuar për trafik femrash, i cili ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me tetë vjet burg. Kliton Nanushi është kapur nga seksioni kundër trafiqeve të paligjshme, pasi akuzohet për trafikimin e një vajze në vitin 2006, vepër penale që e ka kryer në bashkëpunim me një mikun e tij. Sipas të dhënave policore, ndalimi i 28-vjeçarit u krye rreth orës 11:22 të dy ditëve më parë, në banesën e tij në Kombinat. Sipas të dhënave nga dosja penale e këtij personi, Gjykata e Krimeve të Rënda, me vendim nr.137, dt. 07 korrik 2007, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për trafikim femrash e shfrytëzim për prostitucion në rrethana rënduese. Ndërsa në vitin 2008 ai është dënuar me tetë vjet burg. Po aq është dënuar edhe miku i tij, Dorian Velmishti. Sipas dosjes penale, ku është bërë rindërtimi i ngjarjes për gjithë skemën e trafikimit të një femre në Greqi, me nga 8 vjet burg e 30 milionë lekë gjobë është dënuar Kliton Nanushi dhe 8 vjet burg janë dhënë për Dorian Vermishin. Sipas prokurorisë, dy të rinjtë, në bashkëpunim kanë trafikuar për rreth një muaj Xhensila M., në Greqi dhe e kanë detyruar të prostituojë në rrugë. Nanushi e ka mashtruar vajzën duke i premtuar një jetë më të mirë përkrah tij në Greqi, dhe është fejuar me të. Sapo e ka dërguar atje, e ka shfrytëzuar për prostitutë, duke e keqtrajtuar për ta bindur që të vepronte siç donte ai. Për shkak të një borxhi që Nanushi i kishte mikut të tij, Vermishi, ky i fundit ka dashur që t'ia marrë ato nëpërmjet lekëve që fitonte viktima e trafikut. Sapo Xhensila M., ka shpëtuar nga kthetrat e tutorëve, i ka denoncuar. Policia shpalli në kërkim autorët, por deri dje nuk kishte mundur të binte në gjurmët e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›