E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti, udhëtarët mbeten në mes të rrugëve

Furgoni me tetë pasagjerë e gdhin natën në mes të borës, në Qafë-Mali bllokohet qarkullimi

Reshjet e borës kanë bllokuar mjaft komuna dhe akse nacionale në Veri të Vendit. Në aksin rrugor Shkodër-Dukagjin tetë persona që udhëtonin me një furgon, mes tyre të moshuar dhe fëmijë, janë detyruar të qëndrojnë për 24 orë në mes të dëborës. Mësohet se pasagjerët udhëtonin nga Shala e Dukagjinit drejt Shkodrës, por janë bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit në Komunën e Shoshit në Dukagjin. Furgoni është izoluar plotësisht nga dëbora, por për fat të mirë zona ka qenë e mbuluar me sinjal telefonik. Pasagjerët kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe menjëherë drejt vendit të sinjalizuar, kanë shkuar për ndihmë uniformat blu. Por gjatë rrugës edhe makina e policisë është bllokuar nga dëbora dhe më pas është dashur ndërhyrja e një fadrome, e cila ka hapur rrugën që të çonte te furgoni. Të gjithë udhëtarët janë shoqëruar nga policia për në qytetin e Shkodrës dhe fatmirësisht nuk kanë shfaqur probleme shëndetësore pavarësisht qëndrimit për një natë në dëborë. Ndërkaq, mësohet se mbi 30 fshatra në zonat e thella të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe Pukës janë izoluar nga pjesa tjetër e vendit për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora. Zonat më problematike vazhdojnë të jenë: Vermoshi, Dukagjini, Iballa dhe Fierza. Rrugët rurale janë të pakalueshme, ndërsa rrugët nacionale mund të kalohen vetëm me zinxhir.
Kukës
Stuhitë e dëborës kanë krijuar vështirësi në aksin kombëtar Kukës-Tiranë në segmentet Qafë-Shllak dhe Qafë-Mali. Gjatë natës së shkuar, 20 maune të ngarkuara me mall, disa furgonë dhe autobusë me pasagjerë që udhëtonin drejt Kosovës, kanë mbetur të bllokuar përreth tri orë. Në këtë pjesë të rrugës duhej të punonin dy borëpastruese, por sipas shoferëve dhe pasagjerëve nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Ndërkohë, në rrethin e Kukësit një numër rrugësh rurale mbeten të pakalueshme. Për pasojë fshatrat dhe qendrat e komunave: Zapod, Arrën, Kalis, Grykë çajë etj., si dhe disa fshatra të Komunës Lekbibaj në rrethin e Tropojës kanë mbetur të bllokuara prej borës. Probleme ka pasur dhe në segmentet e autostradës Kukës-Prizren, ku të paktën 5 automjete kanë dalë nga aksi për shkak të mungesës së bordurave anësore dhe sinjalistikës, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima.
Dibër
Vazhdojnë të mbeten të bllokuara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, në rrethin e Dibrës, Trebisht, Ostren, Martanesh, në rrethin e Bulqizës, Xibër e Macukull në rrethin e Matit etj., pasi rrugët që lidhin qendrat e këtyre komunave me rrugën nacionale, janë të mbuluara nga dëbora. Ndërkaq, janë raportuar probleme në lëvizjen e automjeteve edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Bulqizë, ku segmentet më problematike kanë qenë ata në “Dishesa e Maranicës”, “Pishat” në Fushë-Bulqizë dhe Qafa e Buallit, ku kalimi i automjeteve sidomos gjatë paradites së djeshme është bërë vetëm me zinxhirë. Po kështu, patrulla e policisë rrugore në “Qafën e Buallit”, ka bllokuar për të pestën ditë radhazi autobusët e transportit të minatorëve, duke mos lejuar kështu vajtjen në punë të tyre, pasi rruga ishte e bllokuar nga dëbora. Kështu, jo pak, por qindra minatorë të 22 shoqërive private të shfrytëzimit të galerive, në Zonën D të minierës së Bulqizës, prej 5 ditësh kanë mbetur pa punë. Probleme ka pasur edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës, ku edhe kalimi me zinxhirë ka qenë i vështirë. Ndërsa rruga tjetër nacionale ajo Ura e çerenecit-Klenjë-Steblevë vazhdon të mbetet e bllokuar, duke bërë që në tërësi zona e Gollobordës të mbetet e izoluar plotësisht.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›