E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat përmbytin shkollën Naim Frashëri në Gjirokastër

Shirat e ditëve të fundit, kanë sjellë situatë emergjente në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në qytetin e Gjirokastrës. Klasa të përmbytura nga depërtimi i shirave të rëna ditët e fundit, ka penguar zhvillimin normal të procesit mësimor në katet e sipërme të godinës e cila ndodhet në lagjen Dunavat. E rikonstruktuara vetëm tre vjet më parë me

fonde nga qeveria shqiptare falë një shume prej 32 milionë lekësh, sot kjo shkollë me një kapacitet të lartë nxënësish, rezulton në gjendje të mjerueshme madje më keq se çfarë ishte para rehabilitimit të plotë të saj. Sipas nëndrejtoreshës së shkollës Blerta Novaj, punimet që janë kryer në të, nxorën në pah një punë të dobët edhe pse fondi ka qenë i vlerave të larta pasi shirat hyjnë tërësisht në shkollë duke përmbytur klasat. Në kushte të tilla sipas nëndrejtoreshës Novaj, mësimi në mjaft klasa fillon 15 minuta me vonesë pasi qysh herët në mëngjes, nxënësit së bashku me sanitaret, heqin ujin nga ambientet ku zhvillohet mësimi për të zhvilluar një proces mësimor normal edhe pse ky i fundit mes të ftohtit e lagështirës, nuk quhet i tillë. Nga ana tjetër një përfaqësues i prindërve të kësaj shkolle, do të nisë së shpejti një peticion në Drejtorinë Arsimore Rajonale pasi kushtet me lagështirë të theksuar, kanë ndikuar ne shëndetin e fëmijëve. Vetë nxënësit pohojnë se nëpër klasa është shumë ftohtë pasi nuk mjafton vetëm shiu që hyn në klasa nga ana e dritareve të izoluara në dukje me duralumin, por një tjetër problem, është edhe sistemi i ngrohjes  megjithëse e pajisur me kaldaja, këto të fundit nuk funksionojnë. Drejtues të shkollës bëjnë të ditur se një problem të tillë, e kanë përcjellë edhe në Bashkinë e Gjirokastrës, por ndërhyrja ka qenë e pamundur kjo edhe për faktin se tashmë në këtë shkollë, është bërë një investim i përgjithshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›