Shirat pezullojnë punën në porte
Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar probleme në disa nga portet e vendit. Kështu, në Sarandë dhe gjatë ditës së djeshme, linja e trageteve nuk ka funksionuar, ndërkohë që është pezulluar aktiviteti në port. E njëjta situatë është paraqitur pjesërisht dhe në Portin detar të Durrësit. Burime nga Kapitaneria e portit më të madh në vend bënë të ditur se lëvizjet në linjat detare nuk kanë pasur probleme. Tragetet që lidhin Portin e Durrësit me portet italiane kanë mbërritur në bazë të grafikut të përcaktuar kohor, ndërsa kompanitë e ngarkim-shkarkimit e kanë ndërprerë punën në pritje të pushimit të shiut. Elektrovinçat kanë ulur kokat dhe përpunimi i mallrave në anijet tregtare të ankoruara në kalata u pezullua përkohësisht. Në dispeçerinë portuale thonë se kushtet atmosferike krijojnë vështirësi në përpunimin e mallrave dhe vonesa në këtë drejtim, por janë të pranueshme për këtë sezon reshjesh. Ndërkaq, forca e detit, sipas burimeve nga Kapitaneria e Portit detar të Durrësit, nuk ka qenë e madhe. Moti nuk është bërë pengesë për lundrimin e trageteve dhe anijeve tregtare. Të vetmet që kanë ngelur të mbërthyera në kalatë në pritje të përmirësimit të motit janë anijet e vogla të peshkimit. Në Vlorë, situata ka qenë më e qetë, linja e trageteve ka rinisur itinerarin dhe ka nisur përpunimi i anijeve.