Gjanica përmbyt tregun industrial
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Gjanicë, i cili ka përmbytur tregun industrial, dhjetëra banesa dhe aktivitete private në qytetin e Fierit. Probleme ka pasur edhe autostrada Fier-Lushnjë, si dhe pjesë të ndryshme të rrugëve rurale. Reshjet e shumta që kanë rënë gjatë gjithë natës, kanë bërë që rreth orës 04:00 të mëngjesit, lumi Gjanica, që përshkon qytetin, të dalë nga shtrati, duke përmbytur kështu gjithë territorin e tregut industrial dhe afro 50 banesa. Tregtarët, të alarmuar kanë nisur që në orët e vona të mbrëmjes së të martës të largojnë mallrat. Reshjet kanë krijuar probleme me qarkullimin në autostradën Fier-Lushnjë, në zonën e Mbrostarit. Një furgon me pasagjerë ka mbetur i bllokuar për orë të tëra në ujë. Për këtë arsye, trafiku është devijuar për disa orë në rrugën e vjetër. Në fshatra, situata ka qenë shqetësuese për shkak të mungesës së kanaleve kullues të tokave, duke shkaktuar përmbytjen e tyre.
Ma.Tr.
Ma.Tr.