E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e dherave rrezikon izolimin e zonës së Vermoshit

Rruga që lidh zonën e Vermoshit me pjesën tjetër të vendit rrezikon të bllokohet nga rrëshqitja e gurëve dhe dherave të shpateve të maleve. Për pasojë, tremijë banorët e kësaj zone rrezikojnë të bllokohen nga pjesa tjetër e vendit. Prej disa ditësh, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, disa metra kub gurë dhe dhera kanë rrëshqitur dhe ndodhen fare pranë rrugës që lidh zonën më të thellë të Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit. Shkak i kësaj situate është bërë mungesa e mureve mbrojtëse përgjatë shpatit të malit. Sipas banorëve të zonës, nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, me dhjetëra metra kub gurë dhe dhera do ta bëjnë të pakalueshme rrugën. Gjatë ditës ka rrëshqitje gurësh në rrugë, por disa punëtorë të mirëmbajtjes së rrugëve rurale me mjete primitive, mundohen ta mbajnë nën kontroll situatën. Problemi kryesor mbetet masivi i gurëve që ka rrëshqitur nga shpati i malit dhe janë vetëm 2 metra pranë asfaltit. Zona në fjalë që rrezikon të bllokohet ndodhet në afërsi të fshatit Tamarë dhe e parë nga larg të duket sikur nuk reziston rrugë makine nga rrëshqitja e gurëve që gjithnjë çdo ditë e më shumë po ngushton rrugën. Në lidhje me situatën e krijuar, drejtori i rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, shprehet se gjendja është serioze, ndaj atje është vendosur një brigadë, e cila mundohet të mirëmbajë rrugën, duke e pastruar nga gurët që bien. "Në kushtet që jemi, e kemi të pamundur të ndërhyjmë në shpatin e malit, pasi nevojiten mjete të posaçme për ndërhyrje të tilla", shprehet Kodra.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›