E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyten përsëri rrugët e Vlorës

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në mjaft zona të qytetit të Vlorës. Mëngjesin e djeshëm, zona e ish-parkut të tregtisë, lagjja "Çole", zona e Skelës dhe disa pika të tjera periferike të qytetit, janë gdhirë të përmbytura. Nuk raportohen dëmtime në banesa, ndërkohë që kjo situatë përsëritet sa herë reshjet e shiut janë intensive. Punonjësit e Ndërmarrjes Komunale kanë punuar gjatë gjithë paradites së djeshme dhe situata është normalizuar pas hapjes së pusetave dhe kanaleve të kullimit. Vetëm disa rrugë kanë vazhduar të jenë nën ujë, si ajo te parku i tregtisë dhe te kryqëzimi pranë stadiumit "Flamurtari". Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Halim Dervishi, pohoi se situata ka ardhur nga bllokimi i kanaleve dhe pusetave, nga hedhjet pa kriter të mbetjeve inerte dhe urbane, të cilat depozitohen vazhdimisht në qytet. Sipas tij, problematik ka qenë edhe bllokimi i kanalit që ndodhet në rrugën pranë portit, bllokim ky i ardhur pas punimeve të kryera në rrugën "Transballkanike".

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›