E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, tri ditë peng për 100 mijë lekë

Për tri ditë me radhë, një person është mbajtur peng në periferi të Tiranës. Ylli Seferi është rrëmbyer nga Sabah Shkoza në afërsi të shtëpisë së tij dhe është mbajtur në pyll për disa ditë, në pritje që familjarët t‘i dorëzonin pengmarrësit shumën prej 100 mijë lekësh të vjetra. Prokuroria e Krimeve të Rënda tha dje se ka përfunduar hetimet për ngjarjen në fjalë dhe dosjen e ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim, çështja penale ka filluar në bazë të kallëzimit të bërë nga Ylli Seferi në datë 9 shtator 2008. Dy ditë para denoncimit rreth orës 20:30, Seferi, pasi ka përcjellë në shtëpi dy punëtorë të lokalit ku punonte, është kthyer dhe ka parkuar automjetin e tij, tip 240 me targa TR 6933 A, në parkimin e një lokali në periferi të Tiranës. Më pas është nisur në këmbë për të shkuar në shtëpi e cila ishte rreth 300 metra larg lokalit. Sipas prokurorisë, pa shkuar në shtëpi i ka dalë para Sabah Shkoza me një armë automatik në dorë, i cili ishte veshur me rroba kamuflazhi. Autori e ka urdhëruar të ulej poshtë në tokë përndryshe do ta vriste dhe gjatë kësaj kohe e ka ofenduar. Ka bërë kontrollin e rrobave, i ka zbërthyer lidhëset e këpucëve dhe i ka lidhur duart me to. Më pas e ka detyruar të ecë në këmbë me duar lidhur. Kanë kaluar rrugës për nga lokali i Hanit të Gjyshit, janë futur në pyll dhe aty kanë ecur në rrugë pa krye. Sipas dosjes, të dy kanë ecur gjatë natës në këmbë nëpër pyll deri në orën 4 të mëngjesit, ku kanë arritur në fshatin Selbë. Në këtë moment, Sabah Shkoza i ka kërkuar numrin e telefonit të vëllait dhe nëpërmjet numrit të personit të marrë peng Yllit ka marrë në telefon vëllain e Yllit, Esat Seferin. Prokuroria thotë se i pandehuri i ka kërkuar në telefon një shumë prej 100 mijë lekësh të reja nëse kërkonte ta shihte të vëllain gjallë. Paratë duhet t‘i sillte brenda gjysmë ore dhe se vendin do t‘ia tregonte më vonë se ku duhet t‘i dorëzonte. Prokuroria thotë se nga hetimi ka rezultuar se pas 30 minutash ecje nëpër pyll kanë shkuar në fshatin Përcellesh dhe më pas në rrugën që lidh dy fshatra Prikë dhe Përcellesh. Në këtë vend Sabah Shkoza ka marrë telefonin, e ka ndezur dhe ka marrë vëllain e viktimës në telefon dhe i ka thënë që të shkonte në fshatin Përcellesh. Pas disa minutash, Esati së bashku me kushëririn e tij, Firiri Seferi, kanë shkuar me automjet në fshatin Përcëllesh dhe aty i kanë dhënë shumën prej një milion lekësh të vjetra autorit Sabah Shkoza. Ky i fundit, pasi ka marrë paratë, si dhe telefonin e Ylli Seferit është larguar. Prokuroria thotë se në datën 11 shtator 2008 nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është kanë shkuar në vendin ku Ylli Seferi është mbajtur peng. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar edhe disa sende, si dhe një shishe qelqi, në të cilën janë gjetur gjurmë papilare. Nga akti i ekspertimit të gjurmëve papilare të Institutit të policisë Shkencore ka rezultuar se gjurmët papilare të shishes të gjetur në vendin e ngjarjes i përkasin të pandehurit Sabah Shkoza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›