E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shirokë”, festohet festa e Shën Rrokut

17/08/2010 Banorët pas datës 16 gusht nuk lahen më në liqenin e Shkodrës në respekt të priftit

Gojëdhëna thotë se para dy shekujsh ky prift ndaloi vdekjet masive nga mortaja

SHKODER- Banorët e lagjes “Shirokë” po vijojnë traditën e nderimit të përvitshëm të Shën Rrokut, duke ndërprerë plazhin në ujërat e Liqenit të Shkodrës, buzë së cilit ata jetojnë. Pavarësisht se uji i liqenit është ende mjaft i ngrohtë, përsëri banorët e “Shirokës” nuk lahen më aty deri sezonin e ardhshëm veror, në respekt të një gojëdhëne shekullore, sipas të cilës nuk është mirë të lahesh në ujërat e Liqenit të Shkodrës pas datës 16 gusht. Nga ana tjetër, banorët e vjetër të lagjes “Shirokë” shprehen se ndërprerja e larjes në ujërat e liqenit është një shenjë nderimi dhe sakrifice për shenjtin e tyre Shën Rrokun, një prift francez, i cili, sipas gojëdhënës së trashëguar brez pas brezi, para rreth dy shekujsh kishte shpëtuar banorët e kësaj zone nga mortaja. Në atë periudhë Shiroka ishte përfshirë nga sëmundja e kobshme dhe vdekjet po shfarosnin popullsinë. Të ndodhur para kësaj situate, banorët e mbetur të Shirokës kishin filluar që t’i luteshin për shpëtim Shën Rrokut, një prifti Françeskan nga Monpellie e Francës, i cili shekuj më parë kishte qëndruar për disa kohë në këtë vend dhe kishte lënë mbresa të pashlyeshme tek banorët. Po sipas gojëdhënës edhe emrin Shiroka e kishte marrë nga Shën Rroku. Pas kësaj lutje, që përkon më datën 16 gusht, vdekjet u zhdukën si me dorë dhe banorët vendosin që këtë datë ta kishin festën më të madhe të tyre me emrin e priftit. Që nga ajo ditë, për rreth dy shekuj, shirokasit jo vetëm që nuk lahen në ujë, por e festojnë si ditën më të shenjtë të tyre duke organizuar dreka të bollshme, ku dyert janë të hapura, si për banorët e zonës, ashtu edhe për të ardhurit nga qyteti i Shkodrës. Por përveç festimit, shirokasit bëjnë edhe ritualet fetare për shenjtërimin e kësaj dite dhe respektimin e Shën Rrokut.

Edhe dje, ashtu si në ditën e parë kur u vendos festa e Shën Rrokut, njerëzit dolën që me të zbardhur nga shtëpitë dhe u grumbulluan pranë kishës së Shirokës, ku filloi procesionin, i cili përfshinte rrugëtimin e banorëve, të udhëhequr nga kryqi me ikonën e Shën Rrokut, nëpër vendet kur dikur kalonte prifti i tyre i shenjtë për të shëruar të sëmurët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›