"Shisnin" diploma Juridiku, katër në pranga
Të arrestuarit akuzohen se i shisnin diplomat e flasifikuara për 7 mijë euro
TIRANË- Katër persona u arrestuan dje në mesditë nga strukturat e Antikrimit Ekonomik të policisë së kryeqyteti, të dyshuar për falsifikim të diplomave të Fakultetit të Drejtësisë, që më pas i shisnin për 7 mijë euro.Medat Kasa, 54 vjeç, Anai Muça, 46 vjeç, Adriatik Koçi, 45 vjeç, përkthyes dhe Fadil Gurri, 43 vjeç, nga Tirana, u arrestuan, gjatë operacionit policor të koduar "Juristi".
Të katër të arrestuarit, dyshohet se falsifikonin diploma të Fakultetit të Drejtësisë, kundrejt shtatë mijë eurove. Operacioni Arrestimet u bënë të ditura dje nga Policia e Tiranës, e cila tha se të arrestuarit mbaheshin nën hetim prej disa muajsh, të dyshuar për falsifikim të diplomave universitare të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë. Të arrestuarit merrnin shumën e 7 mijë eurove për çdo diplomë të falsifikuar.
Sipas burimeve të policisë, nga hetimet e kryera, ka rezultuar se katër të arrestuarit e kryenin këtë aktivitetet duke e depozituar këtë shumë eurosh, paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë.
Shuma dorëzohej si garanci për përgatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj, pas dorëzimit të eurove. Oficerët e zyrës së Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës, kanë arritur të vërtetojnë falsifikimin e diplomave, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit.
Pasi diplomat që dyshohet të ishin të falsifikuara nuk rezultonin në regjistrin kombëtar të diplomave në Ministrinë e Arsimit. Pas këtyre informacioneve, strukturat e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për të identifikuar grupin falsifikator. Pas identifikimit, Policia arriti të prangosë katër personat dje në orët e mesditës.
Ndërkohë, Policia po heton nëse janë të përfshirë në këtë aktivitet edhe persona nga stafi i Fakultetit të Drejtësisë.
Policia gjatë operacionit "Juristi", sekuestroi, një sërë dokumentesh që dyshohet se janë të falsifikuara, shumën e shtatë mijë eurove, që ishin depozituar në këmbim të një diplome, dokumente personale të personave që porositnin diplomat e Juridikut si dhe vula.
Policia e Tiranës si dhe njësia Task-Forcë në Prokurorinë e kryeqytetit kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht mekanizmin e falsifikimit të dokumentit që vërteton mbarimin e studimeve universitare në Fakultetin e Drejtësisë.
Katër të arrestuarit akuzohen për veprat penale të "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "falsifikim dokumentesh ", "falsifikim dokumentesh shkollore dhe falsifikimi i formularëve" në bashkëpunim.
TË ARRESTUARIT
Medat Kasa, 54 vjeç
Anai Muca, 46 vjeç
Fadil Gurri, 43 vjeç
Adriatik Koci, 45 vjeç (me profesion përkthyes ne disa gjuhë të huaja)
SEKUESTRUAR
Diplomë false e Fakultetit të Drejtësisë e plotësuar
Listë notash e plotësuar
Shuma e parave prej 7000 eurosh
Dokumente të ndryshme (certifikata, fotografi, dokumentacion pronash dhe vula)