E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit i jep pafajësinë Bollanos

VENDIMI/ Sipas togave të zeza, nuk është provuar se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale


Kreu i Bashkisë së Himarës, në vitin 2007 urdhëroi heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin Qeparo-Llogora


VLORË - Gjykata e Vlorës ka shpallur dje të pafajshëm Vasil Bollanon. Pas një maratone të gjatë seancash në gjyqësor, kreu i Bashkisë së Himarës është çliruar nga akuzat në ngarkim të tij për heqjen e tabelave, por edhe nga dënimi i marrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit Vlorë.


Trupi gjykues nën drejtimin e relatores Iliba Bezati, ka marrë vendimin e pafajësisë, duke iu referuar faktit se nuk është provuar që kreu i bashkisë së Himarës të ketë konsumuar elemente të veprës penale, duke mbyllur njëkohësisht edhe "çështjen Bollano", aq shumë të përfolur vitet e fundit në lidhje me heqjen e tebelave përgjatë aksit Llogora-Qeparo.


Një vit më pare, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë e shpalli fajtor kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Gjykata e dënoi Bollanon me 6 muaj burg, 5 milionë lekë gjobë, si dhe i hoqi për 3 vjet të drejtën e funksioneve publike. I akuzuar se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara, vendimi i shkallës së parë u mor nga gjykatësi Shkëlzen Selimi.


Sipas vendimit të gjykatës, për 3 vjet Bollano nuk do të mundte të ushtronte asnjë funksion administrativ që deri më atë ditë ia kishte lejuar detyra e tij si kryebashkiak i Himarës, por ndërsa vijoji çështjen në shkallën tjetër të gjyqësorit në Apel, Bollano nuk hoqi dorë nga drejtimi i Bashkisë, duke e përcjellë çështjen në një shkallë më të lartë të gjyqësorit. Pas ankimimit të palës mbrojtëse, çështja u zhvendos në Apel, ku ky i fundit është shprehur dje përfundimisht, duke njohur pafajësinë e duke hedhur poshtë vendimin e marrë në Gjykatën e Faktit.


Shkak për hetimin dhe më pas gjykimin në Gjykatën e rrethit të Vlorës është bërë një urdhër që është lëshuar prej kryetarit të bashkisë, Vasil Bollano në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një dëm prej rreth 2,1 milionë lekësh të reja.


Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Përmes këtyre tabelave evidentoheshin zonat dhe objektet me vlerë historike e turistike të zonës, mes të cilave plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj.

Bollano, një tjetër dosje në organet e drejtësisë


Në fundvitin e kaluar, një tjetër akuzë u shtua mbi kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Një tjetër dosje u hap për të nga prokuroria e Vlorës me akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve".


Burime nga prokuroria bënë me dije se gjithçka kishte nisur nga denoncimi i disa qytetarëve nga Himara për mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit. Nisja e hetimeve ka bërë që të kalojnë në sitën e verifikimeve shumë të tilla. Janë të paktën 5-6 raste sqaruan këto burime ku ka shkelje, çka ka bërë që prokuroria të formulojë akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›