E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të vrasë dy vetë, pranga pas 5 vjetësh

VLORË/ Policia ka vënë në pranga 25-vjeçarin Eduart Xhezo ndërsa udhëtonte me një mjet në zonën e Ujit të Ftohtë


VLORË - Ka përfunduar në pranga 25-vjeçari Eduart Xhezo, i dënuar nga gjykata e Vlorës me 9 vjet e 4 muaj burg për "vrasje me dashje të dy a më shumë personave", të mbetur në tentativë, si dhe "armëmbajtje pa leje". Arrestimi i të riut është bërë pasditen e së mërkurës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, teksa udhëtonte me një automjet tip "Opel" me një të afërmin e vet, si dhe me një shok.


Pas informacioneve të marra se i kërkuari prej pesë vjetësh ishte rikthyer në qytetin e tij, uniformat e policisë e kanë ndjekur dhe e kanë ndaluar automjetin që drejtohej prej Eduart Xhezos.


Teksa kanë bërë një kontroll, 25-vjeçarit i është gjetur me vete një pistoletë, një thikë, si dhe një shumë prej 20 milionë lekësh. Burimet nga policia bënë të ditur se menjëherë pas kësaj, Xhezos i janë vënë prangat, ndërkohë që janë shoqëruar edhe personat që ndodheshin me të.


Mësohet se nga informacionet që kishin mbërritur në policinë e Vlorës deri para pak kohësh më parë 25-vjeçari ndodhej në Itali dhe nuk kishte shumë që ishte kthyer në Shqipëri.


Pas marrjes së këtyre informacioneve, nga blutë kishte nisur edhe vëzhgimi dhe mbajtja nën kontroll e të afërmve të të dënuarit për dy vrasje të mbetura në tentativë, çka çoi edhe në arrestimin e të riut. Këtij të fundit tashmë i duhet të vuajë një dënim prej 9 vjetësh e 4 muajsh, vendim i marrë në mungesë të tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë dhe më pas e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Bëhet e ditur se prej korrikut të vitit 2008 dosja me të pandehur Eduart Xhezon ndodhet në Gjykatën e Lartë, por ende nuk është dhënë një vendim prej saj.


Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Vlorës, gjithçka e ka zanafillën më 9 dhjetor të vitit 2005. Mëngjesin e kësaj dite lindi një konflikt mes shtetasit Klodian Rama dhe Eduart Xhezos (i cili zotëronte një magazinë në tregun e fruta-perimeve).


Shkak banal për këtë ishte fakti që Rama i kishte thënë të atit se nuk mund të blinin mall me çmimin e ofruar nga Xhezo. Pas kësaj janë këmbyer fjalë fyese dhe Xhezo ka qëlluar me gurin e peshës në kokë shtetasin Klodian Rama. I lënduari i është drejtuar spitalit ku ka marrë edhe mjekimin. Por gjërat nuk kanë marrë fund me kaq.


Dy orë më pas, vëllai i Klodianit, Kreshniku, duke lëvizur me një furgon sprinter me ngjyrë të bardhë në të cilin ndodhej edhe shoku i tij Bledar Mustafaj, ka ndaluar në tregun e fruta-perimeve. Pa zbritur ende ata kanë dëgjuar një breshëri automatiku.


Shtetasi Kreshnik Rama ka parë se po qëllohej nga Eduart Xhezo. Ata kanë qëndruar në automjet deri në momentin e ndalimit të të shtënave e më pas kanë shkuar në spital, pasi Bledar Mustafaj ishte plagosur në këmbë.


Pas kësaj ngjarjeje Xhezo, atëherë 20-vjeçar, është larguar dhe hetimet janë zhvilluar në mungesë të tij, nga ku ka rezultuar se i riu ka qëlluar me kallashnikov. Sipas togave të zeza, qëllimi i goditjes së dy të rinjve ka qenë vrasja e tyre.


Dënimi i dhënë nga gjykata për Xhezon ishte 14 vjet, ndërsa duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, çka nënkupton uljen e një të tretës së dënimit atij do t'i duhet të vuajë vetëm 9 vjet e 4 muaj burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›