Masakra e Saukut, autori një vit përgatitje
Luan Dervishi, vitin e kaluar mori vesh autorësinë e vrasjes së xhaxhait të tij dhe menjëherë nisi punën për hakmarrjen
TIRANË- Vitin e kaluar, autori i dyshuar i masakrës së Saukut, Luan Dervishi, mësoi nga persona të panjohur se autori i vrasjes së xhaxhait të tij, ishte Xhevdet Xhebrahimi dhe vendosi të merrte hak, ndaj njeriut që i kishte vrarë xhaxhain me të cilin kishte qenë aq i lidhur.
Që nga koha, kur mori këtë vendim, Luan Dervishi nisi të punonte për të realizuar qëllimin e tij, në pikën e servisit ku punonte bashkë me të atin si mekanik.
Që nga ajo kohë ai nisi të mblidhte para për të blerë televizorin dhuratë për familjen Xhebrahimi, në të cilin do montonte lëndën plasëse për të vrarë Xhevdet Xhebrahimin ashtu siç edhe ndodhi.
Fakte të tilla u mësuan dje gjatë masës së sigurisë të dhënë nga prokuroria për të akuzuarin e masakrës së ndodhur të dielën në Sauk të Tiranës, ku mbeti i vrarë Xhevdet Xhebrahimi, personi i cili kishte vrarë xhaxhain e tij, Naim Dervishin në vitin 1997.
Bashkë me të mbeti i vdekur, kushëriri i tij, Luan Brahja që kishte shkuar për të montuar televizorin e "dhuruar", nga autori i masakrës dhe u plagos bashkëshortja e Xhebrahimit, Fatbardha djali Altin dhe vajza Shpresa Xhebrahimi.
Fakte dhe prova të mbledhura oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve dhe specialistë të tjerë të policisë së kryeqytetit dhe prokurorisë gjatë hetimit të çështjes, prokurorja Liljana Gjomema, ia bëri të ditura gjykatës dje gjatë vlerësimit të masës së sigurisë ndaj Luan Dervishit.
Sipas prokurorisë, autori i dyshuar i ngjarjes, një vit më parë kishte mësuar se "vrasësi" i xhaxhait të Naim Dervishit, ishte Xhevdet Xhebrahimi me banim në Sauk.
Sapo mori vesh autorin e vrasjes së xhaxhait, 25- vjeçari nisi përgatitjen për të realizuar vrasjen. Dervishi nisi menjëherë të kursejë para për të bërë një dhuratë bombë, për gjakësin e tij Xhevdet Xhebrahimi.
"Me 12 qershor Luan Dervishi ka vënë në veprim planin e tij për hakmarrje, duke shkuar në mesditës në dyqanin e një kompanie në rrugën e Elbasanit. Aty kërkoi nga shitësja, të dinte nëse ata dërgonin objekte të blera, nëse ai vendoste t'i bënte dikujt ndonjë dhuratë.
Për këtë kërkesë të pazakontë, shitësja kërkoi mendim nga menaxheri i shitjeve, që pranoi e këtë kundrejt një pagese,- thuhet nga prokuroria. Menjëherë më pas Luan Dervishi, trokiti në një farmaci, ku bleu një patericë, një qafore e më pas në treg bleu edhe një palë syze të zeza dhe një kapele me strehë.
I veshur me rroba gri, me qaforen në qafë, patericën në duar dhe syzat e kapelën në kokë, me një taksi mbërriti në një dyqan në autostradë. Aty ka blerë televizorin plazmë dhe po me këtë taksi mbërriti në banesën e tij në Picallë të Tiranës.
Gjatë kthimit, Dervishi u ndal sërish tek dyqani në rrugën e Elbasanit dhe porositi një marrës satelitor. Si adresë ai i dha emrin e djalit të viktimës, Altin Xhebrahimi, dhe numrin e tij të telefonit. "Më pas në banesën e tij montoi në televizor, tritolin e ndarë në tri kallëpe nga 300 gramë, dhe lajmëroi taksistin për të marrë ta dërgonte tek dyqani i firmës.
"Të nesërmen, të dielën në mëngjes, taksisti e dërgoi televizorin në dyqanin e firmës që shiste dekodera satelitorë, ku janë paketuar sendet dhe më pas punonjësit lajmëruan në telefon djalin e viktimës. Vetë autori, kishte kërkuar të mos tregohej emri i dhuruesit për shkak të surprizës që do t'i bënte më vonë,- tha prokuroria.
Të dielën në mëngjes një veturë e kompanisë dërgoi televizorin me dekoderin tokësor tek familja Xhebrahimi. Pasi pranuan dhuratën i kërkuan ndihmë Luan Brahjes për ta vënë në punë.
Sapo ai vendosi prizën për të instaluar atë, ndodhi shpërthimi që vrau Xhevdet Xhabrahimin, Luan Brahjen dhe plagosi gruan dhe fëmijët e Xhevdetit. Lajmin e shpërthimit, i akuzuari e ka ndjekur në televizor, dhe më pas ka djegur në Kombinat rrobat që kishte veshur atë ditë, për të mos u identifikuar.
Dokumentimi i ngjarjes me pamje filmike
Për dy ditë rresht, të hënën dhe të martën, policia e ka shoqëruar Luan Dervishin në të gjithë intinerarin e ndjekur prej tij, përpara përgatitjes së atentatit me eksploziv.
"Policia ka kryer regjistrimin me zë dhe figurë të të gjitha vendeve ku ka qenë i arrestuari, gjatë përgatitjes së krimit. Të gjitha lëvizjet e tij dhe takimet në dyqanin e kompanisë që bëri dhuratën, blerjen e televizorit, montimin e lëndës plasëse etj,
janë filmuar dhe regjistruar nga policia me urdhër të prokurorisë. Veç këtyre veprimeve, policia ka ballafaquar 25- vjeçarin Dervishi, me shitësen e dyqanit, menaxherin dhe taksistin të cilët e kanë identifikuar.
Dje paradite i akuzuari Dervishi doli para gjyqtares së masave Rezarta Vigani, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve për Dervishin. Ai ka pohuar se e ka kryer për hakmarrje, ndërsa gjatë seancës së vlerësimit të arrestit, mbajti qëndrim pendues për veprimin e kryer prej tij.