E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në kazanin e plehrave një foshnjë e sapolindur

POGRADEC/ Jasmina është gjetur mëngjesin e së mërkurës nga një kalimtare pranë kopshtit të fëmijëve


POGRADEC - Mëngjesin e djeshëm një foshnjë është gjetur në kazanin e plehrave në lagjen nr.2 të qytetit të Pogradecit.


atmirësisht e qara e foshnjës është dëgjuar nga një kalimtare. Gruaja 50-vjeçare Irena Lamçe ka qenë duke kaluar pranë kopshtit të fëmijëve "Liri Çomo". Tek dy kazanët e plehrave të bllokut "Rinia" ajo ka dëgjuar një të qarë fëmije të vazhdueshme.


Pikërisht aty në kazan të mbështjellë me një peshqir dhe me kordon të paprerë ajo ka dalluar fytyrën e një fëmije. "E mora në krahë, - tregon Irena, - dhe eca me vrap në drejtim të maternitetit të qytetit, i cili nuk është as 300 m larg vendit ku gjeta foshnjën".


Nexhmi Elezi mjek pediatër pranë maternitetit thotë për gazetën se me të mbërritur foshnja, i gjithë personeli u mobilizua për t`i shpëtuar jetën. Sipas tij, foshnja mbërriti në maternitet me kordon dhe me placentë.


Mjeku tha se foshnja është e seksit femër, e ardhur nga një lindje prej një barre prej 37 javësh dhe ka një peshë prej 2,5 kg dhe foshnja duhet të ketë lindur gjatë ditës së djeshme rreth orës 5 të mëngjesit, duke u favorizuar edhe nga moti i ngrohtë. Elezi thotë se foshnja ishte me temperaturë trupore të ulët, 34 gradë, por gjatë mesditës gjithçka është normalizuar. Mjekët i kanë vënë foshnjës emrin Jasmina.


Menjëherë është ngritur një grup hetimor që po merret me zbardhjen e rrethanave të braktisjes së foshnjës. Burimet policore thanë për gazetën se policia po punon në disa pista hetimi. Dyshohet se vajza mund të jetë lindur edhe nga një nënë me shumë fëmijë dhe kushtet ekonomike mund ta kenë detyruar për një veprim të tillë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›