E Diel, 1 Nëntor 2026

Shisnin helme pa licencë, gjobiten pesë farmaci bujqësore

Pesë farmaci bujqësore, njëra në qytetin e Fierit dhe katër të tjera në zonat rurale, janë ndëshkuar me nga 100 mijë lekë gjobë nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (DRBUMK). Parregullsitë e konstatuara në lidhje me kushtet e ruajtjes, ambalazhimit dhe personelit shërbyes kanë bërë që inspektorët e Inspektoratit Ushqimor jo vetëm t‘i ndëshkojnë me gjobë, por t‘u lënë detyra dhe t‘i paralajmërojnë për bllokim të aktivitetit. Kreu i DRBUMK në Fier, Fatos Troka, tha se "evidentimi dhe ndëshkimi i farmacive bujqësore që tregtojnë në mënyrë të jashtëligjshme kimikate dhe helmet të ndryshme që përdoren në bujqësi për mbrojtjen e bimëve, ka qenë objektivi i kontrolleve të Inspektoratit Ushqimor. Tregtimi i herbicideve dhe pesticideve të ndryshme, si dhe fostoksinës (helm që përdoret për të luftuar brejtësit) në vende të papërshtatshme dhe nga persona të palicencuar paraqet rrezik për jetën e banorëve dhe të vetë tregtarëve".

Sipas tij, ruajtja, magazinimi, tregtimi dhe mënyra e përdorimit të këtyre helmeve duhet të bëhen nga specialistë, pasi tregtimi në rrugë, pranë qendrave të banuara dhe publike ndalohet me ligj. Drejtori i DRBUMK në Fier thotë se rreth 10 për qind e farmacive bujqësore në Rrethin e Fierit ushtrojnë aktivitetin të papajisura me lejen fito-sanitare.

Inspektorët e DRBUMK kanë kaluar në sitën e kontrollit pothuajse të gjitha farmacitë bujqësore që operojnë në Rrethin e Fierit. Shumë nga të punësuarit nuk kanë licencë dhe nuk janë specialistë të kësaj fushe. Sipas Trokës, kryesisht shkeljet ligjore dhe parregullsitë konsistojnë në këto drejtime kryesore: farmacitë nuk janë të pajisura me lejen fito-sanitare për tregtimin e imputeve bujqësore. Shpesh në farmaci shërbejnë punonjës që nuk janë specialistë në këtë fushë, pasi nuk kanë arsimin dhe njohuritë përkatëse. Godinat dhe ambientet ku janë depozituar këto impute nuk janë të përshtatshme, pra nuk i plotësojnë standardet, duke dëmtuar efektshmërinë e preparateve bujqësorë dhe ndikuar në ndotjen e mjedisit.

"Ne kemi rritur frymën e bashkëpunimit institucional me njësitë e qeverisjes vendore dhe organet tatimore, për përmirësimin e gjendjes", thotë Troka. Sipas tij, u është lënë afat të gjitha farmacive të kontrolluara për shkeljet e konstatuara dhe në përfundim të afatit do të bëhet mbyllja e aktivitetit të tyre, në rast se gjendja nuk është përmirësuar.

Disa ditë më parë, gjatë një kontrolli të kryer në farmacitë bujqësore, DRBUMK konstatoi edhe shitjen e sasive të farërave të skaduara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›