Shiten si skllevër për punë të rënda apo shërbëtorë shtëpie
Hajdutët e fëmijëve
Ajo çka ndodh në Haiti është vetëm maja e ajsbergut. Mbi 40 mijë vogëlushë tregtohen çdo vit dhe secili kushton rreth 40 euro
Bernadetë ka ca gërsheta rebelë dhe sy që duket sikur do të të këpusin shpirtin. Luan me aparatin fotografik, bën poza të bukura dhe në moshën 13-vjeçarë është tashmë veteran e jetës. Një herë të vetme ka provuar me të vërtetë frikën, atë që rrënqeth trupin dhe ka shijen e hidhur të fundit. Kjo ndodhi kur tezja e saj e kapi duke vjedhur oriz dhe e kërcënoi se do ta bënte copash dhe do t’ia jepte zemrën e saj të gjakosur së ëmës. Ishte pikërisht ajo që bindi prindërit e Bernadetës që t’ia besonin vogëlushen, kur ishte vetëm 7 vjeçe. “E hoqa nga mizëria, dhe e çova në shkollë që të mësonte”, - pati thënë tezja e saj. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. E fut në makinë që pa gdhirë, dhe i drejtohet kufirit në Krake, që ndan Beninin nga Nigeria. Vajza i drejtohet çdo ditë zhurmës e poteres së tregut, me një kade me ujë dhe një pako biskota nën krah. “çoi përtej barrierës e mos u kthe, unë jam prapa teje”. Bernadetë del kështu nga Benini, siç bëjnë mbi 40 mijë fantazma të vegjël çdo vit, duke ecur në pluhurin e dendur mes turmës që valëzon ndërmjet dy shteteve si të ishte një gjarpër i ngadaltë, nën syrin e egër të doganierëve. Asnjë pyetje, asnjë kontroll dhe ajo kalon kështu çdo ditë. Tezja e arrin më pas te porta e Lagosit. E vë të punojë në tezgën e saj të pijeve bashkë me dy benineze të tjera. I ka pagëzuar të tria Fumilajo, sepse të fshish identitetin dhe kujtimet i bën më të bindshëm fëmijët. “Na zgjonte që në 5 të mëngjesit dhe mbanim pasha, shisnim e pastronim. Halla na jepte shumë pak për të ngrënë, sepse kushtonte shumë. Ndonjëherë kthehej te prindërit e mi e i kërkonte para për shkollën time”. Por Bernadetë është analfabete dhe e dërrmuar nga druri që ka ngrënë. Një ditë nuk duroi dot më dhe u arratis më shumë prej instinktit. U fsheh prapa kazanit të mbeturinave. Aty një grua e panjohur i dha për të ngrënë, dhe më pas ia besoi vogëlushen të birit, i cili e çoi në Krake dhe ia dorëzoi policisë benineze. Por Bernadetë nuk mbante mend më emrin e fshatit, të familjes, madje as të sajin. Për dy vjet u sorollat nga një qendër pritje te një tjetër, derisa erdhi këtu, te murgeshat Salesiane të Cotonou, kryeqytetit ekonomik të Beninit. Ato e regjistrojnë në shkollë, arrijnë të kontaktojnë me anë të një apeli në radio me prindërit, por vendosin që ta mbajnë vajzën. Ndërsa halla shkon të marrë vogëlushen punëtore, me idenë se prindërit herët a vonë do të heqin dorë dhe Bernadetë do të jetë sërish në marshim drejt rrugëve të skllevërve. E çuditshme Afrika dhe vetë Benini! Ky i fundit laget nga gjiri i Guinesë, mbështetet në lindje nga gjigandi nigerian dhe është tërësisht i huaj nga disa stereotipa të kontinentit të zi. Një vend demokratik që pas përfundimit të regjimit komunist, i panjohur me luftërat civile, tragjeditë humanitare apo epidemitë e Sidës. E megjithatë është mjaft i varfër, të ardhurat mesatare janë 490 euro në vit, ndërsa 47 për qind e 8 milionë banorëve jeton me më pak se një dollar në ditë. Kur ishte koloni franceze, pasi u varrosën sundimtarët e përgjakshëm të Dahomeyt, Benini e mbante veten si “Lagjja Latine e Afrikës Perëndimore”, duke shtypur mundin e kampeve për tregti. Atëherë u shiteshin skllevër edhe të zinjve portugezë, nën sovranët e Ouidah, ndërsa sot shkëmbehen mallra të çdo lloji dhe bëhet kontrabandë benzine nga Nigeria. Por veç këtyre, eksportohen edhe fëmijë, që nga mosha 5 vjeç e sipër. Të shitur nga prindër të dëshpëruar dhe trafikantë profesionistë për 40 ose 60 euro, ose u besohen personave të afërm që premtojnë shkollim dhe përkëdhelje por në të vërtet janë thjesht ndërmjetës së mafies. Ata i zvarrisin në Nigeri, Gabon, Bregu i Fildishtë apo Kongo për t;i përdorur si punëtorë shtëpie, nëpër guva apo në tezgat e tregjeve. Në 2001-in bota lexonte për vaporin “Etireno”, që lundronte nëpër gjirin e Guinesë me ngarkesën e tij njerëzore, bebe-skllevërit ishin vetëm 43, por kjo mjaftoi për të nisur hetimet dhe për të zbuluar se Benini ishte dhe vazhdon të jetë, platforma e tregtimit të fëmijëve në perëndimin afrikan. Një raport i qeverisë dhe UNICEF-it tregon se mbi 40 mijë të rinj janë viktimë e kësaj tregtie çdo vit. Vijnë nga fshatrat e zonat rurale në liqenin Nokoué, ku mbijetohet duke shitur peshk në Dantokpa, tregu më i madh i Afrikës Perëndimore që shtrihet në lagunën e Cotonou. 8 nga 10-të kalojnë pa asnjë dokument, kufijtë “prej gjalpi”, në rrugë tokësore në Nigeri dhe në rrugë detare drejt Gabonit. 86 për qind janë femra. Si Bernadeta, si Eliza dhe Esta, 13 dhe 12 vjeçe, me vështrimin e çorientuar, të sapo kthyera në atdhe dhe të pritura nga murgeshat Salesiane. Të shitura nga të afërmit e tyre si shërbëtore në Nigeri, ato janë bashkuar që në konsullatën benineze të Lagosit dhe që atëherë janë të pandashme. E kanë harruar gjuhën fon, flasin një yoruba (gjuhë e fiseve dhe grupeve etnike në Afrikën Perëndimore) të ashpër dhe anglishte Lagosi. Ndërsa kërkimi për familjet e tyre sapo ka nisur. “Numrat nuk janë gjë tjetër, veçse përllogaritje të bëra keq”, - pranon nënsekretari i ministrisë së familjes dhe foshnjërisë Rigobert Hounnouvi. Na flet për ligjin e vitit 2006, që më në fund ndëshkon tregtarët e fëmijëve dhe për marrëveshjen me Nigerinë për të frenuar hemorragjinë njerëzore. Por lë të nënkuptohet se buxheti qesharak i ministrisë së tij paralizon çdo veprim, dhe fakti që vetëm 60 për qind e të porsalindurve regjistrohet në gjendjet civile, prodhon ushtri me bebe fantazma. Njësia policore e krijuar kundër tregtimit të të miturve me vetëm 12 burra, nuk bën gjë tjetër, veçse i gudulis trafikantët, numri i gjelbër për denoncimet është gjithnjë i zënë dhe 26 fëmijët e sapogjetur në një anije drejtuar për në Gabon, u dërguan me shpejtësi te baballarët e tyre, të cilët pas dy javësh i kishin rishitur. “Një nënë ma tha troç dhe hapur: “Nëse ma le vajzën, do ta dërgoj prapë në Nigeri”, - tregon murgesha Maria Antonietta Marchese, që pas një jete si mësuese në Piemonte, tashmë ka ndërtuar një tjetër si misionare në Cotonou, duke ndihmuar në krijimin e të ardhmes së vajzave skllave. “Nuk është vetëm varfëria, rrënja e shitblerjes”, - shpjegon ajo. “është një traditë e trashëguar, quhet vidomegòn, birësimi i fëmijëve të varfër familjeve që mund t;i shkollojnë. Tashmë edhe funksionarët shtetërorë shkojnë nëpër fshatra në kërkim të vogëlusheve shërbëtore apo dado”. Në shtëpinë e pritjes së murgeshave Salesiane, e financuar nga UNICEF-i, qindra ish-vajza vidomegòn tani mësojnë, bëhen rrobaqepëse, parukiere apo kuzhiniere. Me kalimin e kohës mësojnë sesi të pajtohen me dinjitetin e tyre, ndonjëherë edhe me familjen. Në Portin e Ri, kryeqytetin politik të vendit, me djemtë merret salesiani spanjoll Huan Hoze Gómez, i cili dëgjon nga secili prej tyre një dëshirë të kuptueshme identike. “Duan të përqafojnë sërish prindërit, ata që i kanë shitur për katër para. Kanë një kapacitet të paezaurueshëm për të duruar, janë gjallë dhe kjo për ta është e mjaftueshme që të buzëqeshin sërish”, - thotë ai. Juli, 15 vjeç, si një lumë i vërtetë fjalësh, thotë për të atin se ia besoi gjyshes, dhe ajo e solli në Nigeri për ta shitur te pronari i një guroreje, ndërsa vetë ia mbathte, duke ndjekur një imazh të vetëm: fytyrën e të atit. Ndërsa Pakom, i dobët dhe i gjatë, i gjetur bashkë me dhjetëra djem të tjerë ndërsa ngarkonte qepë në një kamion në Dantokpa, që më pas dërgoheshin përtej kufirit. Ai ishte udhëtimi i tij i dytë: “Unë duhej të shkoja në Lagos”, - thotë djali i vogël me një seriozitet që nuk i shkon fare për 10 vitet që ka. “Im atë nuk ka para”. Rufinë është 18 vjeç dhe flet shumë mirë frëngjisht. Motër Maria Antonietta e pa për herë të parë në rrugë një ditë të 11 vjetëve më parë me mbathje e kanotiere, të ngarkuar me një thes me oriz. “Jam një vajzë shtëpie dhe dua të shkoj në shkollë”, - i pati thënë vogëlushja dhe pronarja e saj për të mos e lënë të ikte. E mbyllte në errësirë pa këpucë dhe e linte pa ngrënë. “Qava herën e parë dhe kisha frikë se askush nuk do të më shpëtonte”, - pëshpërit Rufinë. Ndërsa i ati, i cili e kishte shitur vetë, ndjeu një brengë brenda vetes dhe e kërkoi për ta çuar më pas te murgeshat. Rufinë është kokëfortë, por shumë mirë me mësime. “Dua të bëhem mami, për t’i treguar babit tim se jam e aftë të bëj gjëra të mëdha, madje edhe të jap jetë”.
Haiti, skandali i adoptimeve ndërkombëtare
Në kaosin që përfshiu Haitin pas tërmetit shkatërrues të 12 janari, UNICEF-i lëshoi alarmin rreth 10 ditë më pas. “Kemi informacione për 15 fëmijë të zhdukur nga spitalet pas tragjedisë”, - pati pohuar në Gjenevë një nga përgjegjësit e organizatës. Ai tha se ishin regjistruar rreth 15 fëmijë të zhdukur, të cilët nuk ishin me familjet e tyre. Gjatë konferencës për shtyp, Zhan Klod Legrand, ekspert i UNICEF-it për mbrojtjen, la të kuptohet se dyshohej për trafikim të fëmijëve. “Këto rrjete ekzistonin që përpara tërmetit dhe shumë prej tyre kanë lidhje me tregun ilegal të adoptimeve”, - shtoi ai, duke shpjeguar se pas katastrofave, siç ishte edhe tërmeti i 12 janarit, këto rrjete aktivizohen menjëherë për të shfrytëzuar situatën kaotike. Kështu trauma e shkaktuar nga tërmeti u shumëfishua nga njoftimet për abuzime, dhunë dhe madje edhe trafik fëmijësh. Ekspertët paralajmëruan se kërkesa e madhe për adoptime nga vendet e pasura nuk bën gjë tjetër, veçse të rrisë edhe më shumë rrezikun që rrjete të tilla trafikantësh të forcojnë prezencën e tyre në ishullin e gjunjëzuar, duke përfituar nga boshllëku institucional për të marrë fëmijët që kanë mbetur pa prindër, apo edhe ata që ende mund të kenë njërin prej tyre gjallë, me joshjen për një të ardhme më të mirë. Organizatat humanitare lëshuan apelin me bindjen se qeveria dhe shoqëria haitiane duhen ndihmuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe agjencitë e ndryshme për të kapërcyer këtë moment të vështirë dhe për të dhënë instrumentet efikase për të mbrojtur minorenët. Vetëm tri ditë më pas, në 25 janar, Bashkimi Europian frenoi adoptimet e vogëlushëve haitianë. Krahu ekzekutiv i unionit bëri thirrje për sa më shumë kujdes në procedurat e adoptimit, duke iu referuar në mënyrë të hapur hipotezave të hedhura nga disa shtete anëtare për përshpejtim të praktikave. “Jemi përballë një situate tepër të vështirë, por ajo që ka rëndësi është siguria e fëmijëve”, - shpjegoi Michele Cercone, zëdhënësi i komisionerit në largim të drejtësisë, Zhak Barro. Ai tha se u është kërkuar shteteve anëtare të BE-së të jenë tepër të kujdesshëm kur të bëjnë këtë zgjedhje, duke qenë se është shumë e vështirë të kuptohet se cila është situata e vërtetë e disa prej fëmijëve, edhe e atyre që kanë humbur prindërit nga tërmeti. Si pasojë, përshpejtimi i procedurave të adoptimit nuk ishte një ide e mirë. Reagimi i Komisionit Europian erdhi pas deklaratave të shumë OJQ-ve dhe UNICEF-it, që vunë në dijeni për shumë gabime me identitetin e fëmijëve, dhe shpesh edhe rrëmbimin e tyre. Ndërsa organizata “Sace the Children” (Shpëtoni fëmijët), u kërkoi ministrave të Jashtëm të BE-së të bllokojnë adoptimet e pas-tërmetit, duke parë situatën, në të cilën shumë fëmijë me një ose të dy prindërit e mbijetuar ngatërroheshin për jetimë. Sipas organizatës, mundësitë për të bashkuar fëmijët me familjarët e tyre ishin të mëdha, ndaj nuk duhej nxituar. Shumë vogëlushë nuk ishin pranë familjes në momentin kur goditi tërmeti, por në shkollë, duke luajtur apo edhe duke punuar gjetiu. Shumë të tjerë e gjetën veten vetëm në momentin kur u morën nën kurim nga strukturat mjekësore. Ndërsa shumë të tjerë ishin përkohësisht vetëm, sepse prindërit e tyre kishin ikur për të gjetur ushqim e ujë. Si pasojë, situata ishte tepër kaotike dhe lehtësisht e konfondueshme. Në pritje që gjithë këta fëmijë të identifikoheshin dhe të qartësohej statusi i tyre, “Save the Children” kërkoi bllokimin e adoptimeve ndërkombëtare të minorenëve të përfshirë nga tërmeti, duke shprehur dyshime të forta për valën e papritur të adoptimeve jashtë territorit kombëtar. Vetëm katër ditë pas apelit të organizatës, 10 misionarë amerikanë arrestohen në Republikën Dominikane për sekuestrim fëmijësh. Në 4 shkurt, që të dhjetë u akuzuan zyrtarisht për rrëmbimin e 33 fëmijëve haitianë me padinë për sekuestrim minorenësh dhe veprime kriminale. Pesë burrat dhe pesë gratë bënin pjesë në një shoqatë bamirëse baptiste në Idaho, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Misionarët deklaruan se po i çonin vogëlushët në një jetimore, por pas arrestimit të tyre, shumë prindër denoncuan zhdukjen e fëmijëve të tyre. Ministri i drejtësisë së Port-au-Prince, Paul Denis, deklaroi se nuk kishte asnjë arsye që t’u lejohej dhjetë misionarëve të ktheheshin në shtëpi për t’u gjykuar në Amerikë. Sipas tij, ata kishin kryer një krim në Haiti, ndaj dhe duheshin gjykuar në Haiti, pasi ishte shkelur ligji haitian. Por sistemi gjyqësor haitian është dëmtuar jashtë mase për shkak të tërmetit. Ndërtesa e vogël e prokurorisë në Port-au-Prince është e vetmja nga institucionet e Ministrisë së Drejtësisë ende në këmbë, por oborri i saj është mbushur plot me tenda dhe të pastrehë.
“Corriere della Serra”