E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitet edhe Arsenali. Tani prone e amerikaneve

Pushtimi i huaj ndaj futbollit anglez zgjerohet më tej, pasi miliarderi amerikan Stan Kroenke ka blerë klubin e Arsenalit. Sipas mediave lokale, operacioni financiar kap shumë 731 milion paund. Kroenke, i cili më parë kishte 30% të aksioneve të skuadrës londineze, ka bërë të ditur se i ka ofruar aksionerëve të tjerë të Arsenalit 11.75 paund për çdo aksion, duke u kthyer në aksionerin kryesor me 63%.

"Arsenali është një klub me një histori dhe traditë fantastike si dhe drejtohet nga një trajner i shkëlqyer si Arsene Wenger. Në do të kërkojmë të vazhdojmë këtë histori, duke drejtuar skuadrën drejt sukseseve në të ardhmen”, lexohet në komunikatën për shtyp të Kronke, i cili ka në pronësi disa skuadra të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arsenali nuk fiton asnjë trofe që nga viti 2005 kur mori Kupën e Anglisë, ndërsa në vitet e fundit tifozët kanë reaguar kundër menaxhimit të klubit që nuk shpenzonte në merkato ashtu si rivalët e Chelsea apo Manchester City.

Kalimi i pronësisë te miliarderi amerikan është pritur mirë edhe nga trajneri Arsene Wenger, i cili është shprehur se kjo është diçka shumë e mirë për Arsenalin, i cili në këtë sezon të Premier Ligës renditet në vendin e dytë pas Manchester United.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›