E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH-ja dhe ndërkombëtarët kanë paralajmëruar rrezikun nga kreditë e këqija

FMN-ja kërkoi ngritjen e një agjencie informacioni mbi kreditë. Këto lëvizje krijuan probleme në tregjet financiare në SHBA

Ervin Koçi

Rreziku për një recension të mundshëm ekonomik, që mund t’u vijë bankave private në Shqipëri, por dhe ekonomisë së vendit si pasojë e nivelit të madh të kredidhënies, që po kthehet me shpejtësi në portofol problematik, ka kohë që është dhënë. Jo vetëm institucionet financiare vendase dhe specialistë të pavarur të ekonomisë, por edhe institucionet financiare kryesore ndërkombëtare në vendin tonë janë shqetësuar për këtë fenomen. Nga të dhënat zyrtare llogaritet që një në katër familje në Shqipëri ka marrë kredi në një bankë private. Ky nivel tepër i lartë kreditimi, i nxitur fillimisht nga një politikë agresive e bankave private në vend, tani duket se do të kthehet për to dhe për ekonominë në një bumerang. Për të siguruar fitime të larta bankat në vendin tonë kanë abuzuar me dhënien e kredive si në drejtim të normave të larta të interesit, çka po kthehet në një mors mbytëse për kredimarrësit, ashtu edhe në drejtim të transparencës që më parë ka qenë mjaft e pakët. Konstatimin fillestar e ka bërë publik vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka lëshuar kritika të ashpra kohët e fundit ndaj bankierëve dhe bankave private në vend. Shqetësimi i Bankës Qendrore ka qenë lidhur me faktin se, përveç rritjes së ritmit të shpejtë të kredisë, bankat më së shumti e japin huan në valutë, ndërkohë që të ardhurat e mjaft kredimarrësve janë në lekë.

Paralajmërimi i guvernatorit

"Të financosh konsumin e individëve në valutë është njësoj sikur të shesësh produkte ushqimore pa afat skadimi", - ka deklaruar disa kohë më parë guvernatori Fullani, gjatë një takimi me bankierët e bankave private në vend. Ai ka vijuar më tej se “BSH-ja ka konstatuar se po rendin të zënë treg, shpeshherë duke mos treguar kujdesin e duhur për cilësinë. Fakti në lidhje me këtë është evidentuar në shtimin e kredive me probleme”. Treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto përllogaritej sipas BSH-së në 3,6 për qind në fund të janarit 2008. Kjo përqindje një vit më parë ishte më pak se 2 për qind. Ndërkohë që abuzime të rënda vihen re nga bankat private edhe në normat e interesit. Sipas guvernatorit Fullani, “për të mënjanuar rrezikun për kthimin e kredive bankat e nivelit të dytë duhet të japin hua në valutën që klienti ka të ardhurat”.

Paralajmërimi i ndërkombëtarëve

Në linjën e kreut të Bankës së Shqipërisë në lidhje me frikën nga mosgrumbullimi i kredive bankare, kanë qenë kohët e fundit edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare në vendin tonë. Në disa deklarata të FMN-së, por edhe të Bankës Botërore, është shprehur shqetësimi mjaft i madh për nivelin tepër të lartë të kreditimit në ekonomi. Shqetësimi i FMN-së erdhi menjëherë pas disa zhvillimeve në ekonominë botërore, sidomos në atë amerikane. Sipas konstatimit të FMN-së, “shumë klientë shqiptarë që morën kredi në vitin 2002 zgjodhën dollarin, për shkak se interesi bazë i valutës në fjalë ishte shumë i ulët. Kështu, interesi mujor për kredinë në dollarë sipas zhvillimeve ekonomike të vitit 2002 i favorizonte mjaft klientët, të cilët do të paguanin më shumë nëse do të ishin kredituar në lekë ose në euro. Mirëpo, gjatë tre viteve të fundit, interesi bazë i dollarit është rritur dukshëm, duke ndikuar automatikisht në rritjen e interesave të atyre që zgjodhën valutën e gjelbër për të marrë hua. Për pasojë janë pikërisht këta klientë ata që kanë dhe kreditë më të mëdha dhe me afate më të gjata që janë rënduar më shumë nga kjo lëvizje në kursin e dollarit amerikan”. Në tregun amerikan, sipas FMN-së, këto lëvizje kanë krijuar probleme në tregjet financiare, duke rrezikuar falimentimin e shumë institucioneve kredidhënëse. Ekspertët vlerësojnë se kthimi i kredisë është më i garantuar kur merret në monedhën që ke të ardhurat personale.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›