Shitja e poetëve me shumicë
Arian LEKA
Antologjitë janë një nga format jo moderne të artit masiv (kujtojmë se Meleagri krijoi thuajse para 2000 vjetësh një të tillë), që vjen përmes zërave të veçantë. Ato janë ‘ekipi apo kombëtarja jonë në letërsi dhe arte’. Ato kanë vlera për aq kohë, sa një letërsi nuk ka emra të spikatur dhe pranon të vlerësohet në grup. Kur ka jo solistë, por koristë në letërsi. Nëse kjo na vjen për hosh, ta gëzojmë, pak antologji qenkan botuar gjer sot! Antologjitë që botohen kësaj ane, janë të tejkaluara në kohë, madje kanë filluar të ngjajnë me një lloj ujdie për të ofruar kolektiva, kur nuk mungojnë emrat e përveçëm. Për habi, vërej se kënaqemi ende, madje tregojmë një ndjenjë të rafinuar mazokizmi, sa herë që botohen antologji, njëlloj si ai që ndihet më i mbrojtur pas fajit kolektiv.
- To be or not to be?- pyet Hamleti.
- Jam a s’jam në Antologji? - pyet sot Poeti.
Ajo që e kthen në absurd çdo gjë, ka të bëjë me destinacionin e antologjive, sidomos atyre të hartuara në gjuhë të huaj. Pjesa më e madhe e tyre hartohen në Shqipëri, nga përkthyes, redaktorë e përzgjedhës shqiptarë, botohen në Shqipëri, promovohen në Shqipëri, falen në Shqipëri dhe nuk “korrin ndonjë sukses” përtej këtyre mureve. Lindin dhe vdesin këtu, si për të na kujtuar Migjenin kur flet për vorrin dhe djepin e vargjeve! Pakkush i ka parë nëpër biblioteka qytetesh, universitetesh të huaja apo nëpër selitë e ambasadave tona në botë këto bija të dëshirës së hartuesve. Padyshim, le të jenë edhe antologjitë, se fundja u bëjnë nder atyre që i hartojnë. Po kur paskan kaq vullnet, le të nxjerrin në selamet një autor dhe jo t’i lënë të gjithë si gjysmagjelë, me nga pesë poezi në sqep!
1.
Duket se virusi më i fundit, që ka molepsur Shoqërinë Shqiptare të Letrave (SHSHL - shpk), quhet Antologji.
Thuajse të gjithë ata, që e dinë se ç’është karta, ata që u hanë duart për penë, por edhe ata që gjer në moshë të thyer nuk kanë dhënë shenjë se mund të shkruajnë mirë apo së paku të kenë dëshmuar shije estetike, gjejnë rastin të mos jenë pa dobi dhe të rrinë batall, por t’i ofrojnë shoqërisë shqiptare (pse jo edhe më gjerë) shërbimin e vet në hartimin e antologjive.
Kësisoj, falë kontributit të tyre të vyer, antologjitë kanë plasur kudo, me një fjalë, kanë plasur sheshit.
Ato përpilohen në shkolla, botohen antologji me poetët më të përzgjedhur të qytetit, antologji që përfaqësojnë një qytet e dy komuna, gjen edhe antologji vetjake, paçka se poeti është në vlagë të procesit. Por antologjitë tona nuk mund ta marrin kurrë vlerën e tyre të plotë, nëse nuk do të krijoheshin edhe si antologji kombëtare të poezisë shqipe, ku fjala poezi, nuk harrohet të shkruhet përherë në të shquar dhe madje me P të madhe.
2.
Çështja e antologjive na i ndau shqiptarët sërish.
Në një anë rrinë fatlumët, njerëzit në antologji. Nga ana tjetër dhe me kokë mënjanë, rrinë të pafatët, njerëzit e mbetur jashtë rrjedhave antologjike dhe që, sipas një mentaliteti të ngulitur fort, edhe jashtë historisë së letrave shqipe.
- To be or not to be?- pyet Hamleti.
- Jam a s’jam në Antologji? - pyet sot Poeti.
Dhe kështu hapen kartat e Antologjive, e të qenit antologjik dhe i antologjizimit të letërsisë shqipe. Çështja ndërlikohet më shumë, nëse pyesim qashtërsisht:
Po pse lipsen, vallë, antologjitë!?
Në kënvështrimin vetjak, më takon ‘të qahem’ më pak se të tjerë, pasi antologjistët ma kanë mbyllur gojën, më kanë përzgjedhur dhe ma kanë përfillur jo rrallë krijimtarinë. Por le të kujtojmë Azem Shkrelin prej Kosove, kur na thotë: ‘...S'jemi ne. Por nuk mungon e jona’.
3.
Jo, nuk do të kish të keqe sikur, pas një periudhe letrare, pas një prurjeje cilësisht të re, të mbërrijnë në mënyrë të përzgjedhur jo një, por disa antologji. Por edhe këtu rasti shqiptar i shmanget së përgjithshmes, kopja ia kalon origjinalit, duke na ofruar një klon vendas. Tek hartimi, përzgjedhja dhe për më tepër “destinacionin” - atij kujt i drejtohen antologjitë, sidomos ato të poezisë, vërejmë jo një e dy, por disa paradokse.
Paradoksi i parë ka të bëjë me vetë Antologjinë.
Ato krijohen kur mungojnë, kur duam të sjellin nën një kurorë të zgjedhur krijimtarinë e një brezi, të një rryme apo kur, largqoftë, një letërsi njihet fare pak në një gjuhë tjetër. Të jetë katandisur kështu edhe letërsia jonë? Meazallah! Kurrën e kurrës! Dikur prej këtij soji fisnik lindnin poetë mirfilli, që vdisnin mësues kombi. Ndërsa sot lindin poetë dhe ngrysen doktorë shkencash e magistra të masteruar.
Paradoksi i dytë krijohet nëse pyesim se ç’janë në të vërtetë antologjitë.
Antologjitë janë një nga format jo moderne të artit masiv (kujtojmë se Meleagri krijoi thuajse para 2000 vjetësh një të tillë), që vjen përmes zërave të veçantë. Ato janë ‘ekipi apo kombëtarja jonë në letërsi dhe arte’. Ato kanë vlera për aq kohë, sa një letërsi nuk ka emra të spikatur dhe pranon të vlerësohet në grup. Kur ka jo solistë, por koristë në letërsi. Nëse kjo na vjen për hosh, ta gëzojmë, pak antologji qenkan botuar gjer sot! Antologjitë që botohen kësaj ane, janë të tejkaluara në kohë, madje kanë filluar të ngjajnë me një lloj ujdie për të ofruar kolektiva, kur nuk mungojnë emrat e përveçëm. Për habi, vërej se kënaqemi ende, madje tregojmë një ndjenjë të rafinuar mazokizmi, sa herë që botohen antologji, njëlloj si ai që ndihet më i mbrojtur pas fajit kolektiv.
Paradoksi i tretë, ai që kthen në absurd çdo gjë, ka të bëjë me destinacionin e antologjive, sidomos atyre të hartuara në gjuhë të huaj.
Pjesa më e madhe e tyre hartohen në Shqipëri, nga përkthyes, redaktorë e përzgjedhës shqiptarë, botohen në Shqipëri, promovohen në Shqipëri, falen në Shqipëri dhe nuk “korrin ndonjë sukses” përtej këtyre mureve. Lindin dhe vdesin këtu, si për të na kujtuar Migjenin kur flet për vorrin dhe djepin e vargjeve! Pakkush i ka parë nëpër biblioteka qytetesh, universitetesh të huaja apo nëpër selitë e ambasadave tona në botë këto bija të dëshirës së hartuesve. Padyshim, le të jenë edhe antologjitë, se fundja u bëjnë nder atyre që i hartojnë. Po kur paskan kaq vullnet, le të nxjerrin në selamet një autor dhe jo t’i lënë të gjithë si gjysmagjelë, me nga pesë poezi në sqep! Le të rendin edhe autorët e dëlirë me disketa nëpër xhepa kush e kush të futet më parë në atë Parriz letre. Veçse një paraqitje e këtillë, e përciptë, panoramike dhe pa emra të përveçëm, nuk besoj se i bën nder as letërsisë dhe as autorëve më të mirë shqiptarë.
4.
Shtëpitë botuese, sidomos ato që shkojnë edhe nëpër panaire ndërkombëtare të librit, ato që edhe shohin se ‘ç’bënet matanë’, mbase kanë diç për të bërë, për të kaluar nga antologjitë te librat autorialë.
Mbase edhe vetë autorët mund fillojnë të sillen pak më denjësisht me krijimtarinë e tyre. Fundja, le të bëjë secili atë që di më mirë: njëri të mendojë se çfarë do të shkruajë dhe tjetri se çfarë do të botojë.
2 Qershor 2008