E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizatim nga Nju Jorku



Vaid HYZOTI

* * *
Ishull është apo anije
Që aq zhurmshëm lundron nëpër ujëra?
Pa dyshim – linguist i ditur,
Që aq rrjedhshëm flet gjuhët e huaja.
Retë vijnë dhe ikin të mahnitura.
S’qenkan retë, por qindra avionë.
Dhe ylberi nuk gjen vend të fshihet:
Lëkurë e banorëve
Ngjyrat ia turpërojnë...
Qielli mbahet nëpër grataçiela.
S’janë pallate –
Mall i avulluar...
S’janë anije në radë ankoruar,
Yllësitë e qiellit janë hutuar.

Dhe Nju Jorku krejt indiferent
E ndërron veshjen
Pas motit, pas stinëve.
Sheh indianin - rrasur në kokë çallmën,
Ndonëse i veshur me bluxhinse.
Dhe teprokan vathët dhe unazat,
S’janë për veshët,
Apo veç për gishtat...
Mbledhur vajza në kokë shaminë
Dhe unazën e mban te kërthiza...
Në Nju Jork fle në një krevat
Dhe modernja, dhe tradita.
Dhe të gjithë shkojnë Broduejit.
Në Time Square e ndalin çapin,
Ku hutohet çdokush i zakonshëm,
Emocioni mbërthen dhe “të madhin”.
Tahmaqarë, rendin çfarë të kapin
Në këtë qytet-planet.
Prej këtej yjet dritë marrin.
Dhe Nju Jorku rri indiferent.

Kryet në qiell
Këmbët thellë në det.

Key West
(Çelësi i Perëndimit)

I jam futur me këmbë oqeanit
Dhe pushoj në ishuj të harruar.
Kam një çelës – çelësin e gardianit
I burgosuri jam vetë, ndaj s’kam ç’të ruaj.
Gjithë zogjtë e botës paskan ardhur,
S’paska dallgë – vetëm pulëbardha
S’qenkan zogjtë gushë më gushë,
Qenkan vila, që fshehin borëbardha...

Krejt hutuar ka mbetur Eoli –
Perëndi e çmitizuar,
Nuk ka çelës, as kacekë velash.
Kontinentit erërat shkojnë harbuar.
Kush s’harbon midis mrekullive?
Mrekullitë – harbojnë me ne...
...Kam një çelës, çelësin e gardianit.
Të burgosur veten dua të lë.

Amerika

Askush nuk u gëzua që erdhëm në Amerikë;
Ne erdhëm vetë.
Ndoqëm një përrallë, thurur që fëmijë;
A ishte e vërtetë?

Askush nuk beson se shitëm e shesim
Shtëpitë, fytyrën, mjeshtëritë, veten.
Pa emër jemi.

Jetojmë përrallën?
Apo filluam të vërtetën?

Si komunistët

“Të fundit në pretendime,
të parët në sakrifica” –
Tellallej në parulla dikur.
Kështu ish optika për komunistët.
Dhe të tillë s’u bënë kurrë.

Dhe u deshën të kalonin kaq vite
Që “komunistë” të bëheshim një ditë.
Ne që komunizmin e urrenim,
Morëm Perëndimin, se i deshëm fëmijtë.

Harruam se dikur e kishim një zyrë.
Pa qibër rrokëm leckë dhe fshesë.
Ne - komunistët më të vonshëm,
Ndryshuam, veç të rrisnim:
Fëmijë borgjezë!

Reklama

Në kutinë e postës – një reklamë e çuditshme
Nënshkruar nga agjencia e funeralit.
Jam i lumtur, jam i zgjedhuri i stinës:
1000 dollarë, offf, është çmimi i varrit!

Kurrsesi nuk mundem t’i shmangem
Seriozisht këtë ofertë e marr.
Asgjë të mirë s’fitova në jetë
Së paku, të mos mbetem pa varr.

Ikim, biri im

1.
Duhet të nisemi sa më parë
Në një rrugë pa kthim.
S’ka vend për ty këtu, biri im!
S’ka rënë shi, por toka është e butë,
Ne na duket se është dhé i hedhur.
Themelitë nuk po na zënë,
Çdo çast mund t’ia behin rrufetë.
Biri im, jemi të përndjekur!

2.
Shkuan rend vitet si tespihe
Edhe ti, sa shpejt u rrite!
Shih babain: i kanë rënë flokët,
Si një gruaje me kancerin e gjirit!
Ti tmerrohesh të më shohësh dorën:
Thonjtë?
M’i morën, bir, për kullat e fildishit,
Të ngrenë kështjella disney të rreme,
Kështjella kartoni marramendëse
Që ne t’i thamë sa ishe i vogël.
Na fal, bir, për ëndrrat e kota,
Që të “gatoi” babi, mami, motra!

3.
Po prapë je i vogël, ndaj s’të duan këtu,
S’ka vend për ty, se ende ke prindër.
S’të veshin dot për Irak kapotën,
Prindërit aq keq e flasin anglishten.
S’je ende gati për kostum për të rritur.
Kostumet që priten në rrobaqepësitë ushtarake,
Je ende i mitur të të varin zinxhirin
Si medalion në kakinë kollare!

4.
Të morëm në gjyq – ti vetëm 5 vjeç!
Gjyqtaren zezake e sjell ndër mend?
Të pyeti për emrin, të pyeti për moshën.
Të vështirë e kish
Të shqiptonte emrin tënd.
Të pyeti në të pëlqente këtu.
Pse serioz i the një “No” të thatë?
Të trembi zezakja me ryben e zezë,
Apo prisje të kishte lodra në gjykatë?
Si e parandjeve
Vendimin e zi që do marrë?!
Të morëm në gjyq për të pagëzuar:
Atje për ne ishte kisha e parë.
Të morëm.
Kuptove që këtu s’të duan.
Më fal, biri im, ke baba të marrë!

5.
Si të bëjmë me dhomën tënde të gjumit,
Pse ngulmon ta marrim me vete.
T’ia falim ndonjë të gënjyeri si ne,
Të paguaj avokatët e gënjeshtrave
Të tmerrshme!
Ti prapë ngulmon për lodrat e shumta.
Sigurisht, dikujt tjetër t’ia lëmë përsëri!
Përndryshe dënimin do ta kemi të rëndë
Veç pse të gënjyem për të tillë fëmijëri!
Ne t’i blemë lodrat, bir, t’i blemë,
Amerika t’i mori. Por ti mos shaj,
Se të hidhen në grykë, të vrasin, të urrejnë.
Fali shqiptarët, bir, nuk kanë faj
Se janë si ne dikur, me ëndrra, me shpresë;
Pa ditur akoma – ah ëndërr e pabesë!
Fali prindërit që me lodrat vetëm të lanë,
Mos shto dhimbje për nënën dhe babanë!
Na duhej, bir, të punonim aq gjatë
Dhe ty të burgosur të linim në shtëpi!
Se mbete jetim me prindër të gjallë,
U rrite pa dhele, pa fëmijëri!

6.
Do të ikim, bir, se ku s’e dimë akoma.
E ç’të duhen lodrat, librat, dhoma,
Kur babin sapo të dalim përjashta
Një polic pa grada mundet t’i vërë pranga!
Mund të jetë kinez, italian, çifut, spanjoll,
Polak çubardhë, ose sykuq mongol,
Hundëpipë nga Xhamajka, a dreqi e di se ku,
Ka urdhër që të huajt mos t’i lërë këtu.

7.
Si thua, bir, a shkojmë nga erdhëm?
Ikim atje ku emrin ta dinë,
Të takosh gjyshen nga nëna,
Se edhe babi është përvëluar nga malli
Për prindërit e tij që jetojnë në varreza.
Se i dënova sa ishin të gjallë:
Të çova larg, përkëdhelje s’të dhanë.
E prapë ne do të kërkojmë falje
Derisa të kuptosh ç’do të thotë gjyshe,
Mami fshehtas do të fshehë lotin
Se do t’i duhet të punojë “përkthyese”.
S’pati kohë, bir, të rrinte me ty gjatë,
Punonim për taksa, avokatë.
Po kemi frikë se edhe atje do të trembesh,
Bombat e Gërdecit shpërthejnë çdo ditë.
Ndonëse s’do shohësh gjyqtare të zezë
Që të “pandehur” të marrë fëmijtë,
Se në vendin tonë të gjithë janë njësoj,
“Të pandehur” janë të rriturit dhe fëmijtë.
(Sa të rritesh, bir, të kuptosh nga qeveritë.)

8.
E di që malli mundet të të marrë
Për përrallat që babi i kthente në vjersha.
Për Edenin, mitin e rrallë,
Që fëmijërisë sate i gjeta...
Për Manhatanin që qiellin ka ombrellë,
Statujën e Lirisë me farin e ngritur.
Besomë mua: janë prej kartoni,
Tullumbace në qiellin e verës.
Ne t’i zgjodhëm (sa rëndë gabuam)
Të të mbushnin fëmijërinë e ëndrrës...

9.
S’pate fat për baba, more bir.
Nuk ke faj, fatin ta jep jeta.
Babin nuk e duan këtu,
Se ai flet dhe shkruan të vërteta.
Babi s’di të bindë me gënjeshtra
Dhe së zezës nuk i thotë e bardhë.
S’di pse emrin ende s’e ka ndërruar;
Mbetet i pagëzuar, mysliman!
Është shqiptar, nuk është sicilian,
Madje s’hyn anëtar i Kubesë.
S’është sheik, nuk është arabian
Që së paku të kish naftë të shesë!

Gjithsesi, ne duhet të ikim,
Jemi të huaj, pa emër këtu.
Për ty, biri im, ne harrrojmë vetveten,
Veç na trego udhën.
Të ikim,
Po ku?

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›