E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali shkon me pushime



Bahri MYFTARI

Fund korriku. Që nga ajo natë kur u dha ai alarm i frikshëm, i befasishëm dhe pa kurrëfarë shpjegimi, e që bëri të dilnin prej strehimit dhjetra e dhjetra tanke, nuk mendohej e veprohej më, me gjasë si në luftë, sikundër ishin zhvilluar stërvitjet e shumta, por krejt ndryshe; kishte filluar lufta, nga ajo natë, gjithë trupa ishte në luftë!
Një vend mik, orë më parë, ishte pushtuar prej njërës nga fuqitë ushtarake më të mëdha të botës, ishte pushtuar prej të famshmit blloku ushtarak i Lindjes. Si gjithmonë, politika e shtetit tonë veproi shpejt dhe me guximin e saj karakteristik. Ajo denoncoi aktin dhe prishi të gjitha marrëveshjet me atë krah ushtarak, ish “shok armësh” deri në atë çast, por të kthyer në... Këtu renditeshin dhjetra epitete, duke filluar me epitetin fashist dhe deri tek ai, disi përkëdhelës, “ushtri pushtuese”!
Brigadën e tankeve, më e madhja e llojit të vet, pasi gjëmoi dhe tmerroi botën qark atë natë, e zuri dita e re të dislokuar rreth e rreth aeroportit më të madh të vendit. Ekuipazhet, të përbëra prej katër vetësh: shoferit, artilierit, mbushësit dhe komandantit, si kurrëndonjëherë ishin në lartësinë e detyrës. Mesazhe të shkurtra, të rrepta të nisura e të mbyllura me fjalën luftë, kumbonin në kufjet e tyre gati për çdo minutë. U dëgjua edhe vetë zëri i gjeneralit të brigadës. Kishte siguri ai zë. Ai u foli oficerëve si oficer, e pastaj iu drejtua ushtarëve: bijtë e mi, tha, ne jemi bashkë, jemi bashkë dhe... E gjithë trupa, dikush me zë e dikush heshtazi u betua se, jo vetëm ajo fuqi botërore e shpallur tashmë pushtuese, por edhe tjetra, rivalja e saj, perëndimorja, që çuditërisht heshtte, vetëm heshtte, pra, nëse që të dyja do të ndërmerrnin një sulm të përbashkët, s’do të mundnin kurrë të uleshin të gjalla në fushën e aeroportit, por do të binin mbi pistë si copa trupash njerëzorë, ose si copa të metalta të makinerisë së tyre.

* * *
Mirëpo korriku iku, iku dhe gjysma e gushtit dhe lufta s’po dukej! Nga situata e fundit që iu dha trupës, komanda nuk mbeti fort e kënaqur. Munguan manovrat e sakta e, mbi të gjitha, u shfaq plogështia në lëvizje.
Tanket, të fshehura e të maskuara nën gjelbërimin e bollshëm të stinës nën lisa të mëdhenj, nën shelgje dhe nën arra ende të pavjela, të sillnin në mend ca pleq të lodhur, të drobitur që përpiqeshin të përballonin vapën nën hije. Domosdo, kjo gjendje duhej ndryshuar. Rënia e gatishmërisë tronditi komandën dhe më tej. Filluan manovra nga qielli dhe toka, ditën dhe natën. U hap zjarr disa herë me mitroloza të rëndë, projektorët i binin qiellit kryq e tërthor. Diçka lëvizi, por më shumë iu besua propagandës. U shtuan orët e saj: u shtuan komunikatat, urdhëresat, deklaratat, lektorët; oficerë të shtabit dhe të ministrisë organizonin tashmë takime e biseda paradite dhe mbasdite. Kërkohej dramaciteti i dhënë në krye të herës, i dhënë në alarmin e madh. Vështirë, shumë vështirë. Edhe te lektorët pati rrëshqitje, pati lajthitje. Një oficer i ministrisë së mbrojtjes, s’dihet pse, tha faqe ushtarëve se, në kryeqytetin e vendit mik, ushtarët pushtues ishin familjarizuar me qytetarët, familjarizimi ngjit po me aq lehtësi sikur është për keq, sikur është për mirë... Disa oficerë shprehën një adhurim të madh për lojën e golfit. ǒne për një lojë të tillë?! Kur për të s’kishte as traditë as përhapje. Dihej se loja e golfit ishte e përzemërt në perëndim. Kjo tingëlloi si mesazh i tyre dhe u lexua si një mësim që i jepej politikës dhe vetë forcave armatosura se ç’drejtim duhet të merrnin atë ditë e tutje.
Si oficeri i ministrisë, si dhe oficerët e ngjarjes së dytë, patën të njëjtin fat: nuk u panë më. Ai “mesazh” nuk u kalua lehtë. Shpërthyen mallkime, denoncime dhe akuza edhe ndaj bllokut tjetër ushtarak të krahut perëndimor. Në njërin prej këtyre takimeve komandanti i tankut 43, ushtari i vitit të fundit Mikel Mati, i kërkoi lejë komandantit të kompanisë, kapitenit Filip Muça. Kapiteni sepse e pa me mëdyshje. Mikel Mati këtë punën e lejës, afërsisht në të njëjtën orë, po e kthente në kërkesë të përditshme. Nuk t’u shërua kjo e shkretë kokë? i tha kapiteni... edhe kokë ariu të ishte! Ushtari e kaloi me të qeshur. Për të kishte rëndësi futja e lejës në xhep. E fitoi lejën dhe me të shpejtë shkoi drejt tankut që komandonte. Hapi kapakun e kupolës. Hyri brenda dhe zuri të përgatiste periskopin. Persikopi është nga familja e dylbive. Domosdo më i saktë në figurë, më i fuqishëm në distancë dhe me dallimin e madh: me dylbitë duhet të nxjerrësh për të vrojtur objektin e dëshiruar, të paktën, o gjoksin o kokën, ndërsa me periskopin nuk është fare e nevojshme një sakrificë e tillë. Me periskopin, me aftësinë që vjen prej pasqyrave dhe rregullave teknike, e sheh për bukuri objektin, pa dalë vetë në pah. Ja, tamam sikundër po vepronte tani Mikel Mati. I futur në tank, krejt i padukshëm, drejtoi periskopin për nga shtëpia dykatëshe. Shtëpi e bukur! Një hardhi rrushi i rrinte si kurorë përsipër, kurse fasada përballë të qetësonte me ngjyrën e saj të kaltër. Nuk ishte më tepër se 300 metër larg, por s’kishte rëndësi. Ushtari i vjetër peshoi lehtë mbi mbështetësen e periskopit. U përqendrua. Periskopi i famshëm ia solli pamjet e shtëpisë mu aty, përpara syve. Kërkoi dhomën me ballkon. E përshkroi një valë e tërë emocionesh, sapo u shfaq objekti drithërues. Kishte mbërritur çasti i magjishëm. Një studente mbetëse e vitit të dytë, sapo ia nisi ritit të saj të përditshëm. Zhvishej me ngè e me qejf deri krejt lakuriq... Pastaj zinte të vishte e të zhvishte radhazi të brendshmet, ngjyrat e të cilave ushtari do t’i numëronte lehtësisht sikur edhe në mes të natës ta zgjoje.
Kur vajza mbaronte këtë sfilatë për vete, hynte në dhomë një femër tjetër, me një portret si prej mashkulli. Por vetëm kaq, pasi, kur zhvishej, format e saj femërore ishin të mrekullueshme po aq, sa ato të studentes. Femra me portret mashkulli, me sa dinte ushtari, ishte drejtuese e sektorit të perimeve të fermës. Sakaq, të dyja vajzat përqafoheshin, putheshin. Më pas krejt lakuriq, hidheshin në krevatin që ishte në një vijë me ballkonin, nëpërmjet të cilit periskopi i komanduar mjeshtërisht e binte skenën e dashurisë dhe hardallosjes aq pranë, sa të dukej e mundur ta kapje me dorë. Ushtari e humbte mbërthyer prej një zjarrllëku ngacmues deri në mekje, derisa i thahej pështyma.
Pas dhjetë minutash, vajzat zhdukeshin. Ushtari i vjetër qëndronte si i ngrirë. Ndërkaq vajzat shfaqeshin përsëri në ballkon. Të lara, të shplara, të mbështjella me peshqirë të mëdhenj, ngacmoheshin e qeshnin si të kishin në mend një të tretë... Edhe të nesërmen, po në të njëjtën orë, kur trupa e tankistëve përgatitej të bënte një takim me vetë shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ushtari i vjetër kërkoi lejë, ose më saktë përsëriti kërkesën e njohur. Kapiteni i kompanisë jo vetëm që e kundërshtoi, por i bëri një shenjë, a thua Mikel Mati kishte lajthitur, kishte rrjedhur! I çmedur je, i tha plot mllef kapiteni, nuk e sheh se kush po flet! Zotëria që sapo nisi bisedën ishte ndër oficerët madhor më të famshëm të ushtrisë. Foli për situatën luftarake... Luftë e quajti fund e krye gjendjen, madje shtoi rreptë, lufta është hapur si ndaj Lindjes ashtu dhe Perëndimit. Por nuk ka vend për panik. Politika dhe ushtria po punon strategjinë e re të mbrojtjes së vendit, dhe tani një aleat tjetër më i madh është me ne: populli!

* * *
Fundi i takimit nuk u shpërblye me duartrokitje, por me premtime, zotime, me një patetizëm që nuk tingëlloi aspak i tepërt. Kapiteni Filip Muça foli në emër të kompanisë së vet. Tha fjalët më të mira për ushtarët e tij, për qëndresën dhe sakrificën e tyre, për shërbimin 24 orë në 24 orë. Shefi i Shtabit ia miratoi të gjitha çka tha, ashtu sikundër veproi edhe gjenerali i brigadës, komandanti. Ndërkohë, kur oficerët madhorë u larguan dhe kapiteni i kompanisë ende nuk ishte qetësuar prej fjalës që mbajti, vuri re se ushtari i vjetër Mikel Mati mungonte. I erdhi e rëndë kjo sjellje. Për oficerin e karrierës mosbindja nuk shkonte shumë më larg se tradhtia. U vu ta kërkonte. E kërkoi në sheshin e stërvitjes, në qendër të kompanisë. Nuk e pa kërkund. U nis për te ledhi i arrave, aty ku ishin rreshtuar tanket. Në krye ishte tanku 43. U ngjit mbi kupolë e më pas hyri brenda. Ndërkaq, u ballafaqua me ushtarin. Ky u shtang, nuk mundi të bënte lëvizje tjetër veçse të largonte paksa shikimin prej periskopit. Kapiteni e shtyu dhe nisi ta bënte vetë veprimin. Ja shtëpia dykatëshe, ja në brendësi dy femrat që... Kapiteni shau nëpër dhëmbë dhe prishi pozicionin e periskopit. Nuk i foli ushtarit, madje as sytë nuk ia hodhi. Duke zbritur prej tankut 43, aty për aty mori një vendim. Zuri të kontrollojë tanket që kishte nën komandë. Vuri duart në kokë! U tmerrua! Të gjitha tanket e kontrolluara i kishin drejtuar periskopet drejt shtëpisë dykatëshe.
Të gjithë, të gjithë, me përjashtim të tankut të fundit. Komandanti i tij, një ushtar i përmendur për llupësi e që kurrë nuk ishte mjaftuar me racionin që i takonte, nuk e kishte drejtuar periskopin për nga shtëpia dykatëshe, por për nga menca fushore e punëtorëve të fermës.
Mendoi të mblidhte kompanin, por ndërroi mendje. Nuk kishte kurajo. I vinte turp prej vetes. E përfytyroi një e nga një të gjithë efektivin. I urreu nga i pari deri tek i fundit. ǒkishte bërë ai për kaq kohë me ta?! Ky ishte rezultati?! Nëse kishte oficer që pati shërbyer 24 orë në 24, ai ishte. Ditë plot tension dhe net krejt pa gjumë. S’ishte vetëm shaka thënia se ai, kapiteni, mund të thoshte me siguri se sa ishte numri i yjeve në qiellin mbi kompaninë e tij. Dhe ja, ja shpërblimi! Nuk mund ta fshihte atë çka i panë sytë. Dy ditë kërkoi të takonte gjeneralin. Ishte në detyrim të detyrës raportimi, ishte në nderin e oficerit hapja e zemrës para eprorit.
Gjenerali duhet ta dinte të vërtetën. Kapiteni do priste qetësisht çdo lloj mase e dënimi, edhe nëse do t’i kërkohej dorëheqja. Më në fund, takimi u realizua. Për çudi të kapitenit, gjenerali s’po i kushtonte kurrëfarë vëmendje. Ai jepte e merrte me telefonin. Në një çast kërceu prej gëzimi, gjë që nuk ia fshehu kapitenit. I kishin aprovuar lejën. Një javë më parë kishte martuar të bijën me djalin e njërit prej udhëheqësve më të lartë të shtetit. Çift i mrekullueshëm! thoshte gjenerali. Dhe ja, bashkërisht si familje, pra edhe me çiftin e ri, do të shkonte për pushime në një nga plazhet më të bukura të Mesdheut. Ashtu, plot gëzim e përcolli kapitenin deri te shkallët. Kapiteni s’po kuptonte kurrgjë. Kur doli, në oborr sikur u ftillua. Gjenerali shkonte për pushime! Iu morën mendtë. Një thartirë i erdhi prej stomakut dhe gati e la pa frymë. Nxitoi. Po digjej prej urinës. Atje pas një trungu zuri të urinonte. U çlirua. Urina binte mbi një vandak letrash. Ai i ra me shkelm. Bizhdilet dhe gjethet u shpërndanë. Ishte një vandak me komunikatën e fundit. Kapiteni mundi të lexonte, atje shkruhej për strategjinë e re të mbrojtjes, e cila, për tipar kryesor, do të kishte atë të popullit ushtar.

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›