E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiu zbulon eshtra nga lufta, mjekësia ligjore s'reagon

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 12:53

Eshtrat e një personi, i cili besohet të jetë vrarë gjatë luftës më 1999, janë zbuluar në oborrin e Xhamisë së Haxhi Veselit, në pjesën jugore të qytetit.

Eshtrat kanë dalë në sipërfaqe këto ditë pas të reshurave, kur uji kishte gërryer dheun në hapësirën ku po ndërtohet një objekt shumëkatësh në afërsi të xhamisë.

Halit Barani, kryetar i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Mitrovicë, i ka thënë Zërit se tash e tetë ditë, Policia e Kosovës është duke pritur mjekët e mjekësisë ligjore dhe komisionin për të zhdukurit që ta bëjnë zhvarrimin e eshtrave.

“Eshtrat janë vërejtur ditë më parë pas tërheqjes së ujit nga kjo pjesë e qytetit. Ato janë në një distancë prej rreth pesë metrash larg murit të xhamisë në të hyrë nga ana e majtë ku është duke u ngritur një objekt tetëkatësh”, ka thënë Barani.

Themelet e objektit që po ndërtohet në afërsi janë rreth dy metra larg kockave të trupit të pajetë, i cili është vetëm 40 centimetra në thellësi të tokës dhe i cili është i mbështjellë me një batanije me ngjyrë të verdhë, kafeje dhe të verdhë e zbehtë, tha Barani. Sipas tij, uji ia ka zbuluar vetëm ekstremitetet e poshtme (shputat e këmbëve) dhe se shihet qartë se janë kocka të këmbëve të njeriut.

Barani ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që mund të kenë ndonjë informatë të lajmërohen për të ofruar të dhëna se kush e ka varrosur atë gjatë luftës dhe nëse e dinë të tregojnë se i kujt është trupi i pajetë.

Besohet se ky trup është i varrosur gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99, pasi ai nuk është thellë në tokë, sipas traditës së varrimeve. Përveç kësaj nuk është i mbuluar me dërrasa dhe është i mbështjellë me batanije. Sipas të gjitha këtyre karakteristikave është gati e sigurt se është një nga viktimat civile të luftës.

Dihet se gjatë luftës shumë trupa të pajetë të shqiptarëve që i vrisnin kriminelët serbë, në ato kushte kur çdokush ishte i rrezikuar me jetë, varroseshin kështu pa dërrasa dhe cekët dhe pjesa dërmuese të mbështjellë me batanije, ka thënë Barani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›