E Shtunë, 31 Tetor 2026

Binishi viktimë e bakterit në QKUK

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 12:26

Bakteri “Nju Delhi”, që kishte marrë gjatë trajtimit në Klinikën e Mjekimit Intensiv të QKUK-së, kishte qenë vdekjeprurës për prof. dr. Riza Binishin, i cili para pak ditësh ka ndërruar jetë në një klinikë gjermane, shkruan gazeta "Zëri".

Askush nuk e kishte menduar se problemet me qarkullimin e gjakut në këmbë dhe amputimi me sukses i gishtit të madh të këmbës në klinikat e QKUK-së, për Binishin do të sillnin përkeqësim të tërësishëm të gjendjes, tek i cili mjekët gjermanë pak ditë më vonë do të diagnostikonin një infeksion të përmasave të gjera të shkaktuar nga bakteri “Nju Delhi”.

Përkeqësimi i gjendjes së Binishit i kishte shtyrë familjarët e tij, që pas trajtimit në QKUK të vendosin ta dërgojnë atë në Gjermani. Por, me të arritur atje, në saje të analizave të detajuara është konstatuar se ai ka shkuar në Gjermani me infeksionin e shkaktuar nga bakteri “Nju Delhi”, të cilin e kishte marrë në Mjekimin Intensiv të QKUK-së.

Sado që ky lajm tanimë ka marrë dhenë dhe ka arritur edhe te strukturat më të larta profesionale, ai ende trajtohet si një spekulim apo fjalë rrugësh.

E bija e tij, dr. Jehona Binishi, ka vetëm fjalë miradije për gjithë personelin e QKUK-së, që është përkujdesur ato ditë për të atin. Meqenëse edhe vetë është mjeke dhe e di rrezikun nga ky infeksion brenda-hospitalor, ajo ka vendosur të mos heshtë.

Me rekomandimin e mjekëve gjermanë ajo ka vendosur të alarmojë të gjitha instancat për rrezikun që u kanoset, jo vetëm pacientëve të Mjekimit Intensiv, por edhe gjithë personelit që punon aty.

Me të marrë vesh këtë ajo kishte biseduar me mjekët në këtë klinikë, por zyrtarët dhe profesionistët shëndetësorë nuk janë nxituar aspak për të ndërmarrë masat e duhura për të evituar rrezikun.

Për dallim nga klinika gjermane “Deutches Hertzzentrum” në Berlin, e cila e kishte dezinfektuar deri në detajet më të imëta dhomën, në të cilën kishte qenë i shtrirë i ndjeri Binishi, Klinika e Mjekimit Intensiv vazhdon të punojë pa çarë kokën për infeksionet, që qarkullojnë aty.

Drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, dr. Nehat Baftiu, thotë se zyrtarisht nuk është njoftuar për këtë, por e pranon se këtë informacion e ka marrë “prej jashtë”.

Ai thotë se e kanë ftuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) për të kryer hulumtimet e nevojshme dhe se prej tyre para dy javësh ka marrë një vendim se gjithçka është në rregull.

“Nuk mund të shërbehem me informata të rrugëve. Është mirë që instituti ku ka qenë ai të na njoftojë me shkrim. Nuk është e vërtetë ajo që flitet”, thotë Baftiu.

Por, dr. Isme Humolli nga IKSHP-ja, thotë se mostrat e fundit në këtë klinikë janë marrë para një muaji, ndërsa këto ditë janë në procedurë të marrjes së mostrave. Fakti se DDD-në (dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi) tash sa vjet në QKUK e kryejnë firma private e jo IKSHP-ja, gjë që konsiderohet jashtë çdo norme, ajo thotë se është një shqetësim i vazhdueshëm i Departamentit të Epidemiologjisë. Sipas saj, kompania që kryen këtë duhet të marrë përgjegjësinë për suksesin apo mossuksesin e DDD-së.

“Aty ka shumë parregullsi. E para është dalja e mjekëve me mantel dhe të mbathura jashtë institucionit shëndetësor. Në asnjë repart mjeku nuk bën të dalë me mantel dhe të mbathura jashtë ndërtesës”, saktëson Humolli.

Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, dr. Lulzim Emini, thotë se nuk kanë asnjë informatë zyrtare, që verifikon praninë e këtij bakteri në Mjekimin Intensiv. “Pavarësisht kësaj, ne kemi kërkuar që IKSHP të marrë mostrat higjienike në këtë klinikë”, ka thënë Emini, duke sqaruar se krahas shëndetit të pacientëve është i interesuar edhe për shëndetin e personelit, që punon aty.

Edhe sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, dr. Ilir Tolaj, thotë se zyrtarisht nuk është njoftuar për mundësinë e prezencës së bakterit “Nju Delhi” në Klinikën e Mjekimit Intensiv dhe as që kanë marrë ndonjë shkresë në lidhje me të.

“Ministri e ka bërë një kërkesë që të bëhet një ekzaminim mikrobiologjik i mjekimit intensiv, i cili është në kuadër të hulumtimeve që jemi të obliguar t’i bëjmë. Por, zyrtarisht nuk kemi asnjë lloj informate të këtij karakteri”, ka pohuar ai.

Nga ana tjetër, Jehona Binishi thotë se ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, është interesuar personalisht për të marrë vesh më tepër rreth kësaj çështjeje. Sado që, familja e të ndjerit ia ka konfirmuar konstatimet e mjekëve gjermanë, ata nuk kanë arritur që këtë ta dëshmojnë me ndonjë dokument, për shkak të procedurave të papërfunduara të pagesës së shpenzimeve të trajtimit, që kapin shifrën e 80 mijë eurove.

Pak ditë para përfundimit të vitit të lamë pas, prof. Binishi ishte shtrirë në QKUK për t’u trajtuar nga problemet e qarkullimit të gjakut në këmbë. Mjekët kishin vendosur t’ia amputonin gishtin e madh të këmbës, ndërsa pas kësaj ndërhyrjeje të kryer me sukses, problemet shëndetësore të të ndjerit filluan të shtohen.

“Kur ka arritur në klinikën ‘Deutches Hertzzentrum’ në orën 20:00 i janë kryer të gjitha analizat rutinore dhe është konstatuar infeksion në veshkë, në këmbë, në karterin urinar, në aparat. Ka qenë gjendje alarmante, gjë që mezi i ka përballuar fluturimit”, tregon Jehona.

Sipas saj, pasi mjekët gjermanë i kishin bërë edhe tre “baj pasa” në zemër, gjendja e të atit kishte nisur të stabilizohej, por infeksioni, të cilin e kishte marrë e ka vështirësuar shumë gjendjen, që për pasojë ka pasur riaktivizimin e infeksionit, si pasojë e të cilit ka vdekur pak ditë më vonë. (Zeri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›