Shkalla e lartë e eurorizimit
Në një studim të sajin, Banka e Shqipërisë analizon shkaqet e përdorimit të euros në vend dhe sjelljet e shqiptarëve në situata të ndryshme. Sipas BSH-së, shkalla relativisht e lartë e eurorizimit të ekonomisë reflektohet edhe në bilancet e agjentëve ekonomikë: një pjesë e konsiderueshme e aktiveve dhe detyrimeve financiare, si dhe e transaksioneve që ata kryejnë, realizohen në monedhë të huaj. Vërehet një normë veçanërisht e lartë eurorizimi në kahun e aktivit, më e spikatur kjo për individët. Ndër shkaqet kryesore, iniciatore të eurorizimit, në literaturë përmenden motivet paraprirëse mbrojtëse ndaj normave të larta të inflacionit apo luhatjeve në kursin e këmbimit. Stabilizimi i këtyre faktorëve përgjithësisht nuk shoqërohet me proces të kundërt de-eurorizues. Kështu, për rastin e Shqipërisë, përveç faktorëve psikologjikë që veprojnë në vazhdimësi, në krahun e aktivit të bilancit, eurorizimi favorizohet kryesisht nga hyrjet valutore në formën e
remitancave, investimet e huaja direkte apo linjat e kredisë bankare. Megjithatë, për shkak të normave të larta të interesit në lekë, një pjesë e konsiderueshme e depozitave të individëve mbahen në monedhë vendase. Në kahun e pasivit, faktorët favorizues të kërkesës së lartë të bizneseve për kredi në valutë janë normat më të ulëta të referencës për interesat në valutë kundrejt monedhës vendase dhe burimi i të ardhurave në valutë.