E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat greke, kërcasin prangat në Korçë

Arrestohet kreu i Shoqatës së Romëve, i cili bashkëpunonte me “Omonia”-n për shitje vizash

Thellohet më tej skandali me vizat greke në qytetin e Korçës. Abuzimet me këto viza kanë vënë në pranga kryetarin e Shoqatës së Romëve të Korçës, Artur Lamova. Pas nisjes së hetimeve lidhur me skandalin që përfshiu degën e shoqatës “Omonia”, Policia e Korçës ka arrestuar kreun e romëve, 43-vjeçarin Lamova, ndërkohë që ka shoqëruar edhe disa persona, të cilët kanë qenë në dijeni të mashtrimeve me këto viza. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se Artur Lamova, në cilësinë e kryetarit të njërës prej shoqatave rome që veprojnë në Korçë, ka mashtruar pjesëtarë të komunitetit të tij për nxjerrjen e vizave greke, kundrejt një shume prej 1000-1500 eurosh, përmes organizatës “Omonia”. Bashkë me të, dy persona janë çuar për ndjekje penale në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, pasi kanë qenë në dijeni të veprimeve që kryheshin nga 43-vjeçari. Pak kohë më parë, kreu i shoqatës “Omonia”, Spiro Lici, u çua për ndjekje penale në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale. Pjesë e këtij mashtrimi është bërë edhe kreu i Shoqatës Rome, i cili sipas policisë rezulton se ka marrë shuma parash nga disa persona në emër të organizatës, por nuk iu ka siguruar viza. Pas ankesave të personave dhe nisjes së hetimit ndaj organizatës “Omonia”, rezulton se Lamova ka marrë para dhe më pas nuk ua ka kthyer ato personave, edhe pse nuk ju ka siguruar vizën. Kreu i Shoqatës Rome është i pari që vihet në pranga për skandalin e vizave greke në Korçë.

Sipas burimeve të sigurta pranë shoqatës, Lamova bashkëpunonte shpesh me kryetarin Spiro Lici dhe në shumë raste mësohet se bënte sekserin për sigurimin e personave të interesuar për viza nga komuniteti rom. Kreu i Shoqatës Rome sillte anëtarë, të cilëve u kishte marrë më parë shuma nga 1000-1500 euro, duke u premtuar viza greke. Ky rast është zbuluar rreth gjashtë muaj më parë, ndërkohë që në kushtet kur nga ana e policisë dhe prokurorisë nisën hetimet ndaj organizatës “Omonia” në Korçë, pas një incidenti në zyrat e kësaj organizate të minoritetit, ndaj Lamovës kanë ardhur të tjera prova që vërtetojnë mashtrimin me vizat greke. Lamova akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pasi kishte marrë para në emër të “Omonia”-s, për të pajisur pjesëtarë të komunitetit me viza greke, duke i mashtruar se do të bëheshin anëtarë të kësaj organizate. Ndërkohë që Spiro Lici vazhdon të jetë në ndjekje penale, pasi të paktën 25 persona janë shprehur me ankesa kundër tij. Burime nga dega e organizatës në Korçë thonë se Lici ka tërhequr një pjesë të dokumenteve me argumentin për t’ua kthyer personave të cilëve u ka marrë paratë. Skandali me vizat greke dhe abuzimet e kreut të shoqatës “Omonia” në Korçë është thelluar më tej me përfshirjen edhe të anëtarëve të shoqatave rome. Burimet e policisë bënë të ditur se janë shoqëruar edhe persona të tjerë të komunitetit rom, që përfaqësojnë shoqatat e komunitetit me ngjyrë, të cilët janë marrë në pyetje, ndërsa dy prej tyre, Jani Lamova dhe Lindita Hajredini, janë çuar për ndjekje penale për moskallëzim krimi. Hetimet kanë zgjeruar rrjetin e personave të implikuar në mashtrimin me vizat greke për qëllime fitimi. Kujtojmë se kreu i Shoqatës Rome edhe më parë është akuzuar për mashtrim me vizat dhe madje përpara katër vjetësh është plagosur nga një person, të cilit i kishte marrë para dhe nuk i kishte nxjerrë vizë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›