E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi makinën e policit, pranga 15-vjeçarit

• SARANDE - Një 15-vjeçar është bërë të martën objekt i ndjekjes së policisë së Sarandës, pas një vjedhjeje spektakolare që kishte bërë në mes të ditës.Sipas policisë, ishte ora 11:30 kur adoleshenti K.Shehu, banor i Sarandës, kishte hapur portën e automjetit tip “Mercedes-Benz” 240 me targë SR 0895 B dhe është larguar menjëherë me të duke lëvizur nëpër qytet. Ka qenë pronari i automjetit, njëkohësisht edhe efektiv policie, shtetasi Anxhak Skëndo, ai që ka hasur në mungesën e mjetit që e kishte të parkuar në lagjen nr.2 dhe menjëherë ka njoftuar kolegët e tij të policisë së Sarandës. Rreth 20 minuta pas denoncimit, autopatrulla e Policisë së Rendit e ka parë mjetin në lëvizje e sipër në një nga rrugët e qytetit. Ata i kanë bërë shenjë që të ndalojë dhe më pas kanë arritur edhe të kapin drejtuesin e mjetit, vetëm 15 vjeç. Ai është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë, ku gjatë marrjes në pyetje ka treguar se makinën e kishte hapur dhe e kishte ndezur me një çelës kopil. Gjatë orëve të mbrëmjes, 15-vjeçarit K.Shehu i është prerë fletë-arresti në kushtet e flagrancës për veprën penale të vjedhjes.                                                 sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›