E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët refuzojnë të strehohen nga qeveriaNga Tema Pasditja e së mërkurës ka nisur me evakuimin masiv të dhjetëra banorëve të zonave të përmbytura të nën-Shkodrës. Por janë të shumtë ata persona që nuk pranojnë të braktisin shtëpitë e tyre.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Banorët refuzojnë të strehohen nga qeveriaNga Tema
Pasditja e së mërkurës ka nisur me evakuimin masiv të dhjetëra banorëve të zonave të përmbytura të nën-Shkodrës. Por janë të shumtë ata persona që nuk pranojnë të braktisin shtëpitë e tyre.
Banorët po sistemohen në konviktet e qytetit të Shkodrës, në disa hotele private dhe repartin ushtarak. Por një pjesë e mirë nuk kanë pranuar të shkojnë aty duke u sistemuar tek të afërmit.
Edhe pse gjendja është shumë alarmante, pothuajse çdo kryefamiljar ka qëndruar brenda banesës së tij pa u larguar në vendet e vendosura në dispozicion nga qeveria. Ndërkohë policia ka ndërhyrë për të lëvizur me forcë gratë dhe fëmijët.
Shumë banorë thonë se nuk mund të largohen duke lënë aty pasurinë e grumbulluar në vite. Ata janë të shqetësuar sidomos për gjënë e gjallë, e cila nuk mund të evakuohet, pasi kërkon edhe ajo kushtet e saj. Banorët shprehen të shqetësuar, pasi dhe prodhimi dhe toka bujqësorë është e dëmtuar. Në zonat e përmbytura, por dhe në gjithë rajonin veriperëndimor ka shpërthyer një pakënaqësi e theksuar ndaj qeverisë. Ata e akuzojnë atë se i ka përmbytur pa i lajmëruar më parë. Zyrtarët e qeverisë nuk shfaqen përpara banorëve, pasi rrezikojnë të përballen me revoltën e tyre, si në rastin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

***

Niveli i ujit pritet të rritet frikshëm në orët në vazhdim, por ende katastrofa është pa përgjegjës. Bora e rënë në zonat malore ka shkrirë me shpejtësi dhe është ajo rreziku kryesor. Portat e hidrocentraleve kanë nisur të shkarkojnë ujë dhe niveli po rritet në zonat e banuara.
Largimi i banorëve nga fshatrat më problematike si Dajç dhe Obot ka vazhduar gjatë gjithë natës së mbrëmshme. Ndërkohë edhe autoritetet pohojnë se jetët e këtyre qindra familjeve të mbetura në shtëpitë e tyre janë në rrezik.
Qeveria ka bërë të ditur se duhet të evakuohen rreth 2200 familje.
Prurjet e shumta të ditëve të fundit kanë nxjerrë nga shtrati edhe lumin Drin e Buna. Për pasojë rreth 100 familje në lagjen Bahçallëk dhe Ajasëm në qytetin e Shkodrës janë të izoluara. Thuajse i bllokuar është edhe aksi rrugor që lidh Shkodrën me Velipojën.

***

Pasi u përpoq të tregonte se gjithçka ishte nën kontroll, qeveria e nisi vitin e ri me mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes në zonat e përmbytura dhe rrezikut që kanoset për të paktën dhjetë ditët në vijim. Në këtë mbledhje kreu i qeverisë, Sali Berisha, njoftoi dhe një herë situatën e rëndë në liqenet dhe lumenjtë e fryrë të veriut, duke përsëritur se vendi është në prag katastrofe. Për t’i bërë ballë situatës qeveria ngriti Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, i kryesuar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Por, si për ironi të fatit, qeveria e kryeministrit Berisha po ndjek të njëjtën rrugë që ndoqën në vitin 2004 edhe kundërshtarët e saj politikë në qeverisje. Në atë kohë Berisha, kryetar i opozitës, akuzonte drejtorin e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare, Andis Harasani, për korrupsion me importin e energjisë elektrike. Sipas Berishës, atëherë përmbytjet ishin të qëllimshme, pasi KESH vendosi hapjen e portave të Vaut të Dejes, la vendin në errësirë me qëllim vijimin e importit të energjisë elektrike dhe korrupsionin përmes tij.
Sot, pas rreth 6 viteve, Berisha në qeveri ka realizuar, jo vetëm hapjen e Vaut të Dejës, si qeveria Nano në 2004-ën, por ka hapur edhe Komanin e Fierzën. Argumenti i tij është i njëjtë me atë që përdorte në atë kohë drejtori i KESH, Harasani: mos-përmbytja e veprave të prodhimit.
Ndërkohë, shkarkimet nga hidrocentrali i Fierzës do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, si e vetmja mënyrë për të shmangur çdo katastrofë të mundshme. Qëllimi i vetëm është që Fierza të arrijë në kufijtë e 290 metrave, kuotë kjo e cila mund të menaxhohet duke vënë në punë të gjitha turbinat për prodhimin e energjisë, por duke shmangur shkarkimet.
Përfaqësuesit e KESH e kanë justifikuar gjendjen me një precipitim të paparashikuar për shkak të reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës. Sipas rregullores, nëse Fierza arrin në kufijtë e 285 metrave në muajin dhjetor, situata konsiderohet shqetësuese dhe duhen marrë masa.
Niveli maksimal i lejuar i Fierzës është 295 metra. Ekspertët e KESH shprehen se niveli i prurjeve të ujit në kaskadë është parashikuar që të presë deri në 4500 metra kub në sekondë, nivel ky i cili nuk është arritur në ditët e fundit. Megjithatë moti i keq vazhdon të kërcënojë pa mëshirë vendin duke lënë në mëshirë të fatit jetët dhe banesat e mijëra banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›