E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në skaner, pa serum

Kohët e fundit, në faqet e gazetave tona të përditshme nuk mungojnë as konstatime dhe këshilla nga fusha e mjekësisë të cilat sidoqofshin, janë të vlefshme për një masë lexuesish. Megjithatë, në kushtet ku ndodhet aktualisht shoqëria shqiptare, termat e literaturës së këtij lëmi mund të jenë po aq të vlefshme, më së paku në stilistikën e gazetarisë dhe publicistikës, edhe kur bëhet fjalë për sferën e politikës apo atë të ekonomisë. Veçanërisht në vendin tonë, i cili po tkurret, përmbytet dhe lëngon nga një krizë komplekse që ul çdo ditë e më shumë ritmet e zhvillimit, ndërkohë që ngushton po kaq shpejt rrugët e frymëmarrjes drejt Evropës.
Në tërë këtë anatomi duken qartë shenjat e disa ‘mjekëve’ të papërgjegjshëm, të cilët me ndërhyrjet e tyre, në vend ta forcojnë organizmin tonë jetësor e social vijojnë ta dobësojnë trishtueshëm atë, në këmbim të përfitimeve korruptive dhe mbajtjes me shtrëngim në duart e tyre të një autoriteti të padurueshëm e sfilitës, me gjithë rekomandimet që u jepen nëpër ‘klinikat’ vitale perëndimore të demokracisë. Por, kjo e vërtetë s’mund të zgjasë pa mbarim, ashtu sikurse edhe fantazia më e shfrenuar nuk mund të zgjerohet pa pushim tek i vihen disa kufij arsyetimi.
***
Rreth pesë vjet më parë, në një analizë të hollësishme mbi zgjerimin e arterieve të Bashkimit Evropian, duke shtjelluar përvojën e disa shteteve të Evropës Qendrore, i njohuri Andrash Bozoki shënonte veç të tjerash se: “Me hyrjen e vendeve të reja në BE gjatë vitit 2004 u shfaq një fenomen, i cili lidhej me konceptimin e elitës politike përmes popullatës, me llojin dhe mënyrën se si e kishte menaxhuar kjo elitë procesin transformues pas viteve 1990 dhe se si e kishte shfrytëzuar për vete afrimin e vendit të saj me Bashkimin Evropian. Ndërsa mbështetja për hyrjen në BE zgjati më tepër se sa në rastin e shteteve evropiano-perëndimore, pjesëmarrja e tanishme në referendume shkoi në të shumtën e herëve nën 50 për qind. Besimi në proceset demokratike dhe një kulturë zënkash politike e funksionuese lanë dukshëm gjurmë, të cilat nuk ishin njohur më parë”.
Kurimi i kësaj sëmundjeje të dëmshme mund të thuhet që nisi të bëhej në mënyrë urgjente nga segmentet e organizmit më të madh dhe më të shëndetshëm të kontinentit tonë, derisa në Bashkimin Evropian u mor vendimi për t’u pranuar në janar të vitit 2007 edhe Bullgaria dhe Rumania, nëpërmjet kufijve lindorë të të cilave u vendos një ‘mur’ i ri ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes kontinentale. Një dallim për sa u përket vlerave, mbi të cilat themelohet BE, ku përmenden sidomos respektimi i dinjitetit dhe ruajtja e të drejtave të njeriut, liria, demokracia, shteti i së drejtës dhe barazia. Vlera këto të përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare në një shoqëri që shquhet për pluralizëm, jo diskriminim, tolerancë, drejtësi dhe solidaritet.
Gjithashtu, edhe në territoret ende të paintegruara plotësisht brenda hapësirës së këtij Bashkimi, të grupuara gjeografikisht dhe të njohura bashkërisht si vende të Ballkanit Perëndimor, nuk mund të mos aplikoheshin të njëjtat metoda intensive, që shpunë në hedhjen e hapave të shpejtë drejt kandidimit zyrtar në BE të disa prej këtyre vendeve, dhe për popullatën e tyre heqjen e vizave të ‘Zonës Shengen’. E fundit (pa llogaritur shtetin e ri të Kosovës)) ka mbetur fatkeqësisht Shqipëria. Edhe banorëve të Bosnjës, një shtet ende jo plotësisht funksional, sipas të gjitha gjasave pritet t’u liberalizohen vizat së shpejti. Ndërsa për Shqipërinë, me gjithë premtimet e vazhdueshme të qeveritarëve vendas, asnjë datë nuk përcaktohet. Për hir të së vërtetës, kjo duhet të shpjegohet, krahas disa faktorëve, edhe se këta qeveritarë kanë synuar që të vazhdojnë ta bëjnë të efektshëm për publikimin vetëm të vetes së tyre atë fenomen të shfaqur në vitin 2004, që e përmend Bozoki në shënimet e tij, një fragment të të cilave i cituam pak më lart.
Kështu, një situatë e tillë shqetësuese është e qartë që nuk mund të shkaktojë ndonjë habi të madhe për cilindo që pretendon të jetë sado pak realist. Aq më tepër tani, kur dihet botërisht ekzistenca disamujore ndërmjet nesh e një krize politike të ashpër, që e ka bazën te mospërmbushja e kërkesës së opozitës për transparencën e procesit zgjedhor të vjetshëm. Kjo ka sjellë mungesën e një dialogu politik që, sikurse theksohet në kohën tonë, duhet të zërë vendin e parë dhe më kryesorin në parlament. Ndërkohë që krijimi i një kulture për t’u dhënë forcave politike vullnetin e natyrshëm që të bashkëbisedojnë me njëra–tjetrën në planin institucional është thelbësore për reformat e Shqipërisë dhe për arritjen prej saj të një progresi drejt Bashkimit Europian.
Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve dhe rekomandimeve që u bënë nga Asambleja e Këshillit të Europës dhe Parlamenti Europian, për t’i ulur më së fundmi në Tiranë palët e konfliktit në një tryezë presidenciale, situata mbetet e njëllojtë, madje edhe më e zymtë prej agravimeve të saj nga dështimet ekonomike të theksuara. Këto dështime për këdo bëhen tronditëse vetëm tek mëson, për shembull, se brenda muajve të parë të këtij viti ushtrisë së të papunëve iu shtuan edhe 75 mijë të tjerë, se gjatë vitit të kaluar të ardhurat buxhetore u rritën pesë herë më pak nga parashikimet euforike në buxhetin fillestar, se vetëm shërbimi i borxhit u rrit në 6 miliardë lekë dhe llogaritet sivjet të arrijë në pothuajse dyfishin e tij, për të kapur shifra edhe më të frikshme deri në vitin e ardhshëm etj, etj.
Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, jo shumë ditë më parë u bënë publike parregullsitë dhe mangësitë që vihen në dukje te Projektrezoluta e Parlamentit Europian, e hartuar prej Raportuesit të tij për Shqipërinë, “në veçanti për transparencën e procesit, presionin dhe trembjen e votuesve, regjistrimin e zgjedhësve dhe monitorimin e numërimit të votave”. Njëherazi, sipas këtij Dokumenti, Shqipëria “karakterizohet nga rritja e ulët ekonomike, me informalitet të stërmadh, çfarë çon në të ardhura të ulëta nga taksat dhe në një treg të parregullt pune, që për pasojë nxit pasiguri në punësim dhe dëmton në mënyrë thelbore të drejtat e punëtorëve”. Jo vetëm kaq. Në Projektrezolutë, tonet ngrihen edhe për gjendjen e gjyqësorit, që çmohet si kusht paraprak për integrimin, por që përpjekjet për përmirësimin e saj cilësohen fillestare. Gishti ngulet gjithashtu edhe te tabloja për rikonstruktimet e vazhdueshme dhe efektshmërinë e kapaciteteve administrative, të cilat përbëjnë një tjetër kusht thelbësor, duke vlerësuar që “autoritetet shqiptare duhet t’u japin fund praktikave të punësimit të stafeve të përkohshme në kundërshtim me ligjin”.
Pa u zgjatur me konstatimet për ngecjen e reformave që thjesht propagandohen me fjalë dhe vetëm me fjalë, për situatën alarmante të korrupsionit mbizotërues në vend, për krimin e organizuar, për pastrimin e parave, trafikun e drogës e qenieve njerëzore etj., të cilat renditen me gjuhë po aq të ashpër në 25 paragrafët e Projektrezolutës, ndoshta është me vend të kujtohet këtu, krahas këtyre fakteve pesimiste, edhe përgjigjja që Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Shtefan Fyle i dha, veç të tjerash, një pyetjeje të një prej intervistave të fundit të tij rreth gjendjes në Shqipëri, nëse do të liberalizoheshin vizat para muajve të verës së këtij viti: “Unë nuk do të isha shumë optimist...Bën pjesë në ambiciet e mija mundësimi i udhëtimit pa viza për qytetarët shqiptarë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo përpara se të jenë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme”.
***
Tashmë pra, gjendja në Shqipëri dhe (keq)menaxhimi i qeverisjes së saj u janë nënshtruar një skaneri shumëplanësh, pavarësisht deklaratave tipike euforike të kryeministrit shqiptar, të cilat ky nuk i kurseu as ditët e fundit. As në një mbledhje qeverie, kur para se të dërgoheshin për në Bruksel përgjigjet prej 3584 faqesh të Pyetësorit voluminoz të BE për vlerësimin e përfitimit prej Shqipërisë të statusit të vendit kandidat, Berisha deklamoi përpara kamerave se, përmbledhja e këtyre përgjigjeve përshkruan të gjitha përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendimeve të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, dhe të tjera retorika të tilla tashmë bajate, që pak vetë i marrin seriozisht.
Se çfarë vlerësimi do t’u japë Komisioni Europian vërtetësisë dhe saktësisë së këtyre përgjigjeve, kjo do të njoftohet nga Brukseli në javët e muajt në vijim. Por, tani nuk mund të mos të të bënte përshtypje shoqërimi që i bëri në Bruksel përmbledhjes së tyre Kryeministri ynë, në një kohë kur vet ky tha në atë mbledhjen e Qeverisë të datës 13 prill, se “meqë korrieri, që do ta nisë materialin për në Rinas, ka përcaktuar një kohë të caktuar, ne po e nisim atë drejt aeroportit”, se “bashkë me këtë material do të dorëzohet edhe kopja elektronike e përgjigjeve, me besimin më të madh se do të marrim vlerësim objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë”. Ky shoqërim ndodhi ngaqë, Berisha kishte frikë se mos këto materiale humbnin rrugës? Mos vallë ishte harruar të shtoheshin në ‘to disa detaje të domosdoshme që do të ishte më mirë t’ua shpjegonte gojarisht zyrtarëve të Bashkimit Europian? Apo mbase publikimi i takimeve personale me drejtuesit kryesorë të institucioneve më të rëndësishme kontinentale do ta bënin më të besueshme deklaratën e tij se kjo ngjarje është për Shqipërinë një moment historik, që u dashkej lidhur domosdo me emrin dhe prezencën e vet Sali Berishës?
Nejse, le të mos vazhdohet me hamendje dhe pyetje të tilla, që mund të shkaktonin nënqeshje te cilido lexues i vëmendshëm që e ve trurin në lëvizje, por mjafton të kujtojmë zakonin e Berishës për rrugëtimet e pareshtura drejt kancelarive europiane që t’i impresionuar ato me sukseset që ai vet na paskej arritur dhe për t’i lënë pastaj ‘gojëhapur’ shqiptarët me pritjet që i ishin bërë në zemër të kontinentit. Sipas tij dhe ithtarëve të vet mediokër apo mbështetësve interesaxhinj, këto shfaqje buronin jo thjesht nga etikat diplomatike, por mbi të gjitha nga personaliteti i këtij demek statisti, që pretendonte të ciklonte dhe të riciklohej për tërë jetën në politikën e Shqipërisë. Megjithatë, koha ka treguar deri tashmë që ato lëvizje synonin më shumë kujdesjen për veten se sa angazhimin për mirëqenien e popullit të tij, me të cilin duke humbur kontaktet reale prezantohej gjithnjë e më tepër si pasagjer llafazan dhe jo si organizator pa shumë fjalë.
Me sa u duk, kjo tendencë e kënaqësisë vetjake e shtyu Kryeministrin tonë edhe në vizitën e fundit të tij në Bruksel, ku zhvilloi me liderë të Parlamentit dhe Bashkimit Europian bisedime, përmbajtja e plotë e të cilave ende nuk është marrë vesh. Por, nga konferencat e shtypit që jepeshin pas këtyre bisedimeve kuptohej fare qartë, se shqetësimi më akut që i transmetohej atij ishte nevoja e zgjidhjes sa më parë të krizës politike në vend, prej nga do të përcaktohen hapat e mëtejshëm të Parlamentit dhe Komisionit Europian për Shqipërinë.
është fjala për zgjidhjen e një krize të rëndë, të një krize të imponuar nga mungesa e transparencës dhe nga këmbëngulja për të mbajtur në këmbë një pushtet të dyshuar si ilegjitim. Sepse, vetëm kështu Shqipërisë mund t’i jepet një shans, për ta vendosur edhe ‘përplasjen’ brendashoqërore aktuale përfundimisht drejt perspektivës europiane, në të mirë të vlerave të kësaj perspektive. Sepse, vetëm kështu Bashkimi Europian i ruan të dyja: nga njëra anë perspektivën e integrimit të Shqipërisë në ‘të dhe, nga ana tjetër, kërkesën ndaj saj për të plotësuar seriozisht dhe pa kompromis kriteret e Kopenhagenit.
Pra, nëse pushteti aktual i Sali Berishës do të donte të mënjanonte ndonjë skenar të krahasueshëm me atë ‘të simulimit zvarritës të hyrjes’, atëherë Bashkimi Europian rekomandon që të bëhet më shumë për proklamimin dhe aplikimin e lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit. Domethënë, që këto vlera themelore të Bashkimit dhe të jehonës institucionale të tij të gjenden në përvojën e qytetarëve të vendit tonë dhe jo në atë të dhunuesve të saj, të cilët përdorin mjete të pazareve politike. Kështu, Bashkimi Europian, me nxjerrjen e të dhënave të skanerit mbi gjendjen aktuale të Shqipërisë dhe me konsultat e tij rreth këtyre të dhënave, kësaj radhe nuk i injektoi serum personalitetit në dishezë të fortë të Kryeministrit tonë.
Prandaj, duke mos ndryshuar në thelb qëndrimet e njohura diabolike të tij, ky e kërkoi ‘serumin’ gjatë kthimit nga Brukseli, në Vjenë, tek kërkoi të takohej dhe të bisedonte pa praninë e të tjerëve me një ish-kryeministër shqiptar, një ish-lider i së majtës shqiptare, një ish e ish, Fatos Nano, për t’i shuar këtij të fundit pakëz me pika limoni etjen për t’u zgjedhur President i Republikës, në këmbim të ndikimit të vet, sado të vogël, brendapërbrenda popullit opozitar në Shqipëri që po rrezikon seriozisht pushtetin aktual. Por, shumëkush e ka të qartë, se tashmë ky lloj pazari nuk mund të shërbejë assesi si ‘serum’ për Berishën, përveçse si një riaktivizim pa shumë ndikim të vesit të tij: “Përça e sundo!”. Të një vesi, që tashmë s’mund të japë efektet e veta në masë të gjerë. Sepse, tek e fundit, çdo gjë ecën përpara, asgjë nuk ia vlen – vetëm nëse është e bukur, e dobishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›