E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunësia te shqiptarët, viti 2009 me normën më të lartë të gjithë dekadës



Ervin KOÇI

Viti i kaluar shënoi dhe normën më të lartë të papunësisë për shqiptarët në 10 vitet e fundit. Norma e papunësisë në Shqipëri u rrit në 13.75 për qind në fund të vitit 2009, nga 12.68 për qind që qe në vitin 2008. Kjo bëri që të regjistrohej zyrtarisht për herë të parë në një dekadë, numri më i lartë i të papunëve. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara dje nga INSTAT-i, i cili nuk mundi ta fshihte dot këtë regres. Gjatë vitit 2009, u shënua gjithashtu për herë të parë rënie neto e numrit të të punësuarve në sektorin publik apo në ekonominë private jobujqësore. Zyrat e Ministrisë së Punës shënuan në dhjetor 143 mijë të papunë të regjistruar, nga 140 mijë që rezultonin para fillimit të krizës ekonomike në verën e vitit 2008. Nga të papunët, vetëm 10 mijë vetë marrin pagesë papunësie, ndihmën sociale që teorikisht u jepet njerëzve që kanë humbur një vend pune dhe po kërkojnë një vend tjetër pune.

Punësimi
Sipas statistikave, 403 mijë shqiptarë kanë një punë që u jep një rrogë mujore. Rreth 2500 vetë humbën vendin e punës gjatë vitit të krizës. Sektori publik, ku përfshihet administrata dhe ndërmarrjet nën pronësi shtetërore ulën numrin e të punësuarve me 300 vetë, ndërsa biznesi privat mbylli 2200 vende pune. Shqipëria ka njohur zyrtarisht rritje ekonomike prej 5 për qind në vit gjatë dekadës së fundit, por kjo rritje nuk ka prodhuar vende pune. Që nga viti 2001, numri i njerëzve që marrin një rrogë çdo muaj në Shqipëri është rritur me vetëm 8800 vetë, ose më pak se 2.25 për qind. Pavarësisht kësaj, hapja e vendeve të reja të punës ka qenë premtimi më i zakonshëm politik në raste zgjedhjesh. Partitë politike premtojnë zakonisht hapjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës sa herë që ka zgjedhje.

E ardhmja
Edhe në vitin 2010, situata e punësimit nuk pritet të përmirësohet. Qeveria ka marrë në heshtje një vendim për të ngrirë punësimet e reja për një periudhë prej së paku një vit, me shpresë se në këtë mënyrë do të stabilizojë financat publike. Nga ana tjetër, industria e ndërtimit pritet të mbajë sërish më pak njerëz në punë se zakonisht për shkak të bllokimit të investimeve publike dhe rënies së kërkesës për blerje apartamentesh. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, si dhe reforma e nisur në këtë sektor pritet të shtojë gjithashtu ushtrinë e të papunëve.

Të vetëpunësuarit
Zyrtarisht, në zonat rurale në vendin tonë nuk ka të papunë, por dihet gjithashtu se rreth gjysma e krahëve të punës emigrojnë gjatë pranverës dhe verës për të punuar në Greqi, ku sigurojnë të ardhura disa herë më të larta se në atdhe. INSTAT thotë se llogaritja si “të vetëpunësuar në bujqësi” të të gjithë atyre që kanë një ngastër toke nën pronësi, është në përputhje me metodologjinë e “Eurostat”, i cili konsideron si të punësuar çdokënd që merr të ardhura në para apo në mall, pavarësisht se sa është e ardhura. Instituti i Statistikave njoftoi se ka bërë një vëzhgim të ri në Shqipërinë rurale dhe ka zbuluar se numri i fshatarëve të pranishëm fizikisht në Shqipëri është 496 mijë vetë, ose 72 mijë vetë më pak nga sa kishte rezultuar nga vlerësimi i mëparshëm i kryer në vitin 2007. Për shkak se çdo njeri i aftë për punë në Shqipërinë rurale konsiderohet i vetëpunësuar, pavarësisht nga niveli i të ardhurave që siguron nga punimi i ngastrës së tokës.

Ekonomia shqiptare vlerësohet pozitivisht

Shqipëria mori vlerësimin e dytë të riskut të investimit, nga kompania “Standard & Poor’s”, e cila është një nga tre kompanitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit të riskut. Vlerësimi që “S&P” bëri për vendin tonë është “B+”, me një këndvështrim “stabël” për qëndrueshmërinë financiare dhe makro-ekonomike të vendit. Në vlerësimin e saj për riskun e vendit, kompania “S&P” citon si argumente kryesore rritjen solide të ekonomisë, potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjatë, prospektet për integrimin europian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave. Gjithashtu “S&P” thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi europiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recension. “S&P” vlerëson se mbajtja nën kontroll e inflacionit ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare. Vlerësimi i paraprin daljes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitalit në dy javët e ardhshme, me eurobondin e saj të parë. Vlerësimi “B+” vjen në një kohë kur rajoni dhe bota ende përballet me krizën ekonomike dhe financiare dhe kur shumica e vendeve të rajonit kanë marrë vlerësime në zbritje nga kompanitë e riskut.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›