E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi - Biberaj: “Topalli ka shkelur rregulloren”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Deputeti Aleksandër Biberaj akuzon Kryetaren e Parlmentit, Jozefina Topalli, se ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit, duke anashkalaur Kuvendin dhe duke marrë kompetencat e tij, duke bërë një precedent tepër të rrezikshëm për demokracinë e vendit. Përmes një njoftimi për shtyp, Biberaj tha se është informuar nga media, ka komunikuar zyrtarisht me Strasburgun, nga ku është informuar për letrën e dërguar nga Topalli, letër në të cilën kërkohet zëvendësimi i tij si kryetar dhe anëtar delegacioni, pa asnjë lloj motivacioni, me argumentimin se Biberaj ngarkohet me një detyrë tjetër. Sipas Biberajt, “duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, rezulton se zonja Topalli e ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit, ka anashkaluar Kuvendin, si dhe ka marrë kompetencat e Kuvendit, gjë që përbën një precedent tepër të rrezikshëm për një vend demokratik”. Neni 7, Pika 3, (Rregullorja e Kuvendit) thotë: “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur”. Deputei i PD-së dhe zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës tha më tej se “kjo procedurë nuk është zbatuar, pasi letra e zojës Topalli është dërguar në Strasburg përpara datës 19 janar 2009, ndërkohë që Kuvendi, i mbledhur në seancën e parë më datë 19 janar 2009, nuk është njoftuar me përmbajtjen e kësaj letre”. “Në vitin 2005, Biberaj është votuar nga Kuvendi si kryetar dhe anëtar delegacioni dhe është vetëm Kuvendi ai që mund të vendosë ndryshe. Lidhur me shkeljen e rregullores, anashkalimin e Kuvendit dhe marrjen e kompetencave të Kuvendit nga Topalli, Biberaj ka njoftuar zyrtarisht drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Biberaj gjykon se veprimi i Topallit shkel rëndë etikën parlamentare, pasi është kryer në konspiracion të plotë dhe pa asnjë lloj transparence, pa njoftuar Biberajn, si dhe pa dijeninë e Grupit Parlamentar të PD-së.
Ky veprim tepër brutal synon të ndërpresë mandatet e Biberajt si zv.president i Asamblesë Parlamentare të KE-së, zv.president i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, zv.president i Komisionit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale të KE-së, anëtarit të Komitetit Politik, anëtarit të Komitetit të Monitorimit, si dhe raporterit të KE-së për “Hetimin e krimeve të regjimit stalinist në ish-Bashkimin Sovjetik”, mandate këto të votuara unanimisht nga Asambleja e KE-së dhe të fituara me punë dhe përkushtim 3-vjeçar në KE. Veprime të tilla dëmtojnë aktivitetin dhe imazhin e Delegacionit Shqiptar në KE, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, si dhe përfaqësimin dhe imazhin e Shqipërisë në Institucionet Ndërkombëtare”, thuhet në njoftmin e zyrës së shtypit dhe informacionit të Aleksandër Biberajt.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›