E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi, Spahiu: Dorëhiqem nga KLD, vijoj me kauzat e Kuq e Zi

TIRANË- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu gjatë një interviste në News24, për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, komentoi ngritjen e komisionit hetimor, i cili u ngrit vetëm me votat e mazhorancës për shkarkimin nga detyra të tij.

Spahiu deklaroi se nuk e njeh këtë komision, pasi është ngritur në mënyrë antikushtetuese.
“Nuk e njoh këtë komision. Ai është ngritur në mënyrë antikushtetuese, si zyrtar i një shteti do respektoj parimet Kushtetuese. Komisioni në fjalë nuk është legjitim, por është ngritur në procedura jo Kushtetuese. Kuvendit të Shqipërisë i lejohet të ngrejë komisione hetimore brenda kornizës Kushtetuese, por pa u përfshirë në interpretimin që i bëhet komisioneve hetimore. Nëse për shkarkimin e prokurorit parashikohet në Kushtetutë që procedura hetimore të jetë nga Parlamenti, për anëtarin e KLD-së e vendos vetë institucioni",- deklaroi Spahiu.

Nënkryetari i KLD-së, solli në vëmendje të njëjtën situatë të ndodhur para 6 vitesh, ku kryeministri Berisha kërkonte shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së dhe një gjë të tillë ia kërkoi KLD-së dhe institucioni vlerësoi se kërkesa nuk ishte e vlefshme, pasi atyre nuk i kishte mbaruar mandati.
“Qeveria Berisha 1 nëpërmjet ministrit Alibeaj, 6 vjet më parë i kërkoi KLD-së që t'i hiqej mandati Pranvera Strakoshës dhe Sokol Comes. KLD tha jo se nuk i kishte mbaruar mandati. Sot shkarkimi im është parimi i PD që ka idenë e partisë shtet. Që ai që të emëron të heq. Vetë qeveria 'Berisha 1' në 2008 ka kërkuar mandatin tim në korrik në KLD dhe rezultati ka qenë 14 me 0, se nuk u miratua vendimi. Arsyeja pse është zgjedhur kjo procedurë është se qeveria nuk gëzon një procedurë për kontrollimin e anëtarëve të KLD-së”,- theksoi Spahiu.

Spahiu komentoi edhe angazhimin e tij në Aleancën Kuq e Zi, duke sqaruar se përfshirja në lëvizje qytetare i njihet me ligj.

Me tej, Zv/kryetari i KLD theksoi se interpretimi që i bën qeveria aktivitetit të tij jashtë postit nga KLD, nuk ka vlerë. Sipas Spahiut, politikanët kryejnë të njëjtat aktivitete dhe askush nuk është penalizuar me heqje nga posti.

“Unë po bëj interpretim tjetër, le të themi, është interpretuar shumë, prezenca ime në Krujë. Aty morën pjesë 10 mijë kuqezinj, për herë të parë, kurse politikanët kanë qenë njerëz pa ide tani janë bërë të gjithë patriotë. Kur panë pjesmarrjen po atë ditë përvjetori për Skënderbeun, politikanët u detyruan të bëjnë disa ceremoni. Disa ministra shkuan në Lezhë, disa në Shkup, në Shkodër. Vajtja e Aldo Bumcit nuk përbën abuzim me detyrën, as vajtja e kryetares së parlamentit Topalli nuk përbën shkelje, kurse pjesmarrja ime, po. A mundet njeri të më thotë, pse kemi 2 standarte?”

Sipas Spahiut përsa kohë Aleanca Kuq e Zi nuk është subjekt politik, ligji nuk e prek zv/kryetarin e KLD të marrë pjesë në aktivitetet e saj.
“Kemi një lëvizje që nuk është parti politike dhe sa kohë që nuk është regjistruar si subjekt politik nuk përbën shkelje. Që të përfshihesh në aktivitete të tjera ligjore është mëse normale”, thekson Spahiu.

Spahiu krahasoi anëtarët e Komisionit Hetimor me anëtarët e byrosë politike të kohës së Enver Hoxhës, ndërsa theksoi se qëllimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me shkarkimin e tij, por me mandatet politike që gëzojnë.

“Në dy raste që është diskutuar për hetimin një herë jam paraqitur dhe në mënyrë të dhunshme jam dëbuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Arsyet të gjithë i kuptojnë, si dhe pse, në të njëjtin ambient ku diktatori Enver Hoxha zhvillonte mbledhjet e byrosë politike, por me një ndryshim se kur Enveri i shkarkonte, fjalën ua linte si Kadri Hazbiut e të tjerëve që ndëshkonte. Këta e kanë problem, këta e kanë shumë frikë fjalën time, e kanë tmerr, sa hapa diskutimin ‘Në mbështetje të Kushtetutës...,’ stop i hiqet fjala. Garda më nxorri jashtë”.

“Ata që bëjnë komisonin kërkojnë të kenë një emër në zgjedhjet e 2013, tani duan të kalojnë provën e zjarrit. E kanë bukën e gojës, madje dalin para elektoratit dhe thonë jemi popull i pasur, progres ekonomik, si shtiren në diskutim dhe shpresojnë nëpërmjet ekranit t'i ndjekë lideri i tyre. Për shkak të sistemit elektoral bëhet gjithë kjo”.

Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse do presë që të përfundojë punën komisioni hetimor apo do të japë vetë dorëheqjen, nënkryetari i KLD-së u përgjigj se ai zgjedhjen e tij e ka bërë me kohë, për të ndjekur rrugën Kuq e Zi, por sipas Spahiut cështja është përgjegjësia dhe respektimi i postit që mban.

“Ata kanë premtuar se brenda tre javësh do dorëzojnë raportin final. Kanë kaluar 5 ditë dhe do i pres tre javët. Jam i bindur se do punojnë me eficencë të plotë. Më vjen keq se nuk kanë futur dhe Vangjel Dulen. Unë zgjedhjen time e kisha bërë se e kisha paralajmëruar dorëheqjen, nuk është zgjedhje personale, por institucioni. Unë rrugën time e kam zgjedhur. Me shkarkojnë apo jo nuk jam kryetar i KLD se kam një rrugë më madhore. Cështja është, kur je në detyrë duhet të tregosh përgjegjësi”,- u shpreh Spahiu.

Spahiu hodhi dyshime për ditën ku u kërkua ngritja e komisionit hetimor, i cili u kërkua në të njëtën ditë kur Gjykata dha vendimin për pafajësinë e ish kryeministrit Ilir Meta. Spahiu hodhi aludime se vendimi ndaj tij u mor me qëllim që të mbulonte ngjarjet më të mëdha.

“A e dini kur ndodhi kërkesa, në cfarë date dite dhe orë?!. Kërkesa është bërë më 16 janar në 14:30 kur jepej vendimi i Gjykatës së Lartë për Ilir Metën. Aleanca Kuq e Zi kishte 10 muaj që vepronte si ka mundësi në të njëjtën datë dhe të njëjtën orë që përfshihen disa cështje madhore, merret vendimi për shkakrimin tim?! Unë nuk e di nëse një vendim i tillë u bë për të mbuluar diellin me shoshë?!”,- aludoi Spahiu.

Spahiu këmbënguli që kërkesa për shkarkimin e tij është kërkuar vetëm nga mazhoranca, ndërkohë theksoi se nuk është konsultuar presidenti Topi për këtë cështje.
“Nuk jam konsultuar me presidentin Topi. KLD jo më larg se dje ka pasur mbledhje. KLD funksionon në mënyrë permanente, ju jeni dëshmitar që ka persona që duan të hedhin baltë pafundësisht”- deklaroi Spahiu. 

Standart të ri të mandateve
Lidhur me zgjedhjet politike, nënkryetari i KLD theksoi se duhet të ketë një standart të ri të mandatave.
“Ne kërkojmë që të ketë një standart të mandateve. Nuk mund të ketë President, Kryeministra, Kryetarë komunash e bashkish të përjetshëm”.
Por, sipas Spahiut në Shqipëri politikanët u vendosin mandate të kufizuara institucioneve të pavarura, por jo mandateve të tyre.
“Kërkojnë që të kemi të gjithë mandatet e kufizuara, por kur vijnë tek postet e tyre, karriget si lëshojnë të tjerëve u venë kufizime. Psh kryeministri të ketë 5 vjet jo më shumë, e kanë shumë vende”, tha Spahiu, nuk theksoi cilat shtete.

Sipas Spahiut, kjo ka lidhje me moralin politik, që në Shqipëri ende nuk ekziston.
“Në cdo vend ai që humbet jep dorëheqjen, në Shqipëri nuk tërhiqet njeri sepse nuk njohin rezultatin e zgjedheve, nuk ikën nga politika nga posti i partisë, nga karrigia, jo kjo nuk ndodh këtu. Shiko statutet e partive, të përjetshme"

Spahiu vuri në dukje se kuqezinjtë presin nga politika që të plotësojë idealet e kësaj Aleance.
“Shpresoj që Aleanca Kuq e Zi të mos jetë parti kurrë. Shpresoj që të realizojnë idealet e kuqezinjve. Më shumë se 100 vjet nuk mund ti jap, kemi 100 vjet që i durojmë”.

Duke folur për angazhimin e tij në Aleancën Kuq e Zi, Spahiu u shpreh se pret që ajo të mos jetë kurrë në një spektër politik, ndërkohë që kërkoi hapjen e dosjeve të spiunëve.
“Unë dëshiroj që Aleanca Kuq e Zi të mos jetë kurrë spektër politik. Aleanca Kuq e Zi ka një platformë të vecantë nga të tjerat që është aspirata për bashkim kombëtar, përfshirja e Kosovës, hapja e dosjeve të spiunëve. Sot pengohet hapja e dosjeve të spiunëve. Shteti shqiptar duhet të pastrojë nga gjithë funksionet publike ata që kanë punuar për agjenturën anti shqiptare. Duhet tu japë mundësi njerëzve të njihen me këto materiale”,- deklaroi Spahiu.

Spahiu theksoi se Aleanca Kuq e Zi do bëjë atë që kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci nuk bënë dot. Sipas Spahiut bashkimi i shqipëtarëve pas 2013 do jetë shumë i shpejtë.

“Do e bëjmë këtë ndryshe nga Thaci dhe Berisha, ata e shohin ditën që bashkohemi me serbët dhe grekët. Unë jam konsultuar me shumë analistë nga Brukseli. Shqipëria do jetë përballë dy realiteteve ose do i shtyhet anëtarësimi për shkak të disa standardeve ose nëse do të mundësohet një anëtarësim i shpejtë (në disa vite), shqiptarët nuk do shkojnë si disa shtete. Ne do jemi para dy probleme do na vonohet procesi, ose do shkojmë si një votë. Bashkimi pas 2013 do ndodhë shumë shpejt”,- deklaroi Spahiu.
(el.me/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›