Shefi i Rrugorëve: Pas çdo polici qëndron një deputet
As Policia Rrugore nuk i ka shpëtuar ndikimit të politikës. Shpeshherë drejtuesit e kësaj policie e kanë të vështirë të marrin masa ndëshkuese ndaj policëve që shkelin rregullat, pasi ndërhyrjet e politikës e bëjnë të pamundur. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Rrugore, Shkëlzen Aliaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku po diskutoheshin disa ndryshime në Kodin Rrugor. Debatin për performancën e policëve rrugorë e ka hapur deputeti demokrat, Gazmend Oketa, i cili e ka konsideruar si jo normale dhe aspak dinjitoze sjelljen e disa efektivëve të Policisë Rrugore, që qëndrojnë të fshehur pas pemëve me radar, me të vetmin qëllim, sipas tij, për të vendosur gjoba. “Ajo pamja që policët rrinë pas pemëve, me radar, nuk është aspak normale. Më duket se kjo nuk i shërben rritjes së dinjitetit të forcave të policisë dhe se duket sikur rrinë vetëm për të vënë gjoba. Ndaj duhet të merrni masa”, - tha Oketa. Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi, drejtuesi i Policisë Rrugore duke i dhënë të drejtë konstatimit të Oketës, ka theksuar se shpeshherë bëhet e pamundur marrja e masave për këta policë, duke lëshuar dhe një deklaratë të fortë, se prapa çdo elementi të tillë qëndron një deputet. “Dua t’iu them pa asnjë lloj kompleksi se në përgjithësi të gjithë këta elementë, që ndodhen në shërbimin e Policisë Rrugore, kanë nga një deputet nga mbrapa që i mbështet”, - tha drejtori Aliaj. Kjo deklaratë ka shkaktuar ilaritet në sallë, ku secila palë është përpjekur të akuzojë tjetrën për ndërhyrje edhe te Policia Rrugore. Ndërkohë duke mbrojtur nismën e paraqitur, Aliaj ka bërë të ditur se forcimi i masave ndëshkuese me gjobë, për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor bëhet me të vetmin qëllim, për të parandaluar aksidentet dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët që të mos shkelin detyrimet në qarkullim. “Përdorimi i pijes alkoolike, tejkalimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimi i rripave të sigurimit, mospërdorimi i kaskës mbrojtëse, këto janë shkaqet kryesore në aksidentet me pasoja fatale dhe plagosje të rëndë”, - tha Aliaj. Përfaqësuesit e opozitës kanë kundërshtuar politikën e ndjekur nga qeveria, për shtrenjtimin e gjobave, duke këmbëngulur se ajo së pari bëhet për qëllime të mbushjes së arkës së shtetit dhe së dyti, ajo nuk i përgjigjet gjendjes apo nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptar. “Nuk e kuptoj pse masa e gjobës në vlerë lekësh katërfishohet, ndërsa penalizimet e tjera, siç është koha e heqjes së patentës, apo masa të tjera, nuk lëvizin. Kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me një politikë për mbushjen e arkës me gjoba”, - tha deputeti Piro Lutaj. Ndërkohë, nënkryetari i komisionit, Ilir Gjoni, megjithëse ka përshëndetur forcimin e masave, ka theksuar se ato i rëndojnë së tepërmi xhepat e shqiptarëve. Megjithatë, duke iu përmbajtur forcimit të masave, ai ka propozuar që në Kod të përcaktohet se, në rastet e aksidenteve me pasojë vdekje, nga drejtues automjetesh të dehur apo të droguar, dënimi të bëhet si për rastet e vrasjeve me paramendim, që parashikon Kodi Penal. Deputeti demokrat, Osman Metalla, theksoi nevojën që mënyra sesi është hartuar projektligji, për çështjen e gjobave, lë mundësi që policat të abuzojnë për masën e gjobës. Ndaj, ai ka theksuar nevojën që gjobat të jenë fikse për çdo shkelje. “Nëse s’ka vënë rripin e sigurimit, thuhet se dënohet nga 1 mijë lekë në 4 mijë lekë. Ai person, ose e ka vënë rripin, ose jo, ndaj s’ka pse të jetë nga 1 mijë deri në 4 mijë”, - tha Metalla.