E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Rajkard

Zgjati vetëm 18 muaj aventura e tij e radhës. Edhe pse ishte i shkëlqyer me Holandën dhe Barcelonën, Frenk Rajkard nuk mundi të mbijetonte në stolin e kombëtares së Arabisë Saudite. Federata e këtij vendi e shkarkoi 1 vit e gjysmë pasi e mori si trajner të ekipit përfaqësues.
Për Rajkardin rezultoi fatal dështimi në Kupën e Kombeve të Gjirit Persik këtë muaj në Bahrein, ku sauditët nuk kaluan dot grupin.
Arabia Saudite u eleminua herët nga Kupa e Botës e vitit 2014, ndërsa shpreson të ketë sukses në Kupën e Azisë në Australi dhe spanjolli Sergio Piernas do të drejtojë përkohësisht ekipin.
Rajkard, një ish-lojtar i Holandës, doli kampion i Europës më 1988 si edhe shkëlqeu me Milanin e Ajaksin, ndërsa si trajner krijoi Barcelonën e parë të madhe, me Ronaldinjon, Dekon dhe Etonë në mesin e viteve 2000.
Ai fitoi dy kampionate të Spanjës radhazi si dhe Ligën e Kampionëve përpara se të largohej për tek Gallatasaraj, ku nuk pati sukses. Po ashtu, Rajkard drejtoi kombëtaren e Holandës në Euro 2000 duke paraqitur një futboll të shkëlqyer dhe duke u eleminuar pa fat nga Italia në gjysmëfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›