Digjet makina e kreut të policisë rrugore
TIRANË- Kreu i policisë së qarkullimit rrugor në kryeqytet është kërcënuar seriozisht dje teksa makina e tij është përfshirë nga flakët. Persona të panjohur i kanë hedhur benzinë dhe më pasi i vunë flakën automjetit të kryepolicit, në orët e para të ditës së djeshme. Ahmeti e kishte parkuar makinën pranë banesës së tij në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë kur autorët i janë afruar dhe i kanë vënë zjarrin. Mësohet se flakët janë konstatuar shpejt nga disa banorë të pallatit, të cilët dhanë menjëherë alarmin. Zjarri është shuar nga vetë banorët ndërsa nuk u kërkua ndihma e zjarrfikësve. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forca të policisë të cilët bënë këqyrjen e provave. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk mundi të identifikonte dhe kapte autorët e kësaj ngjarjeje.
Ngjarja
Rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, persona të panjohur i janë afruar automjetit të policisë që përdorej nga Krenar Ahmeti që prej më shumë se një viti kur ai u emërua shef i komisariatit të qarkullimit rrugor në Tiranë, dhe i kanë vënë flakën. Automjeti tip-VolsVagen Passat, me targa policie “0044” ndodhej i parkuar pranë pallatit ku banon Ahmeti. Mësohet se fillimisht autorët e kanë spërkatur makinën me benzinë dhe më pas i kanë hedhur në shkrepëse të ndezur. Por ndërhyrja e menjëhershme e disa personave ka bërë që makina të mos digjet plotësisht e të mos shpërthejë. Menjëherë është lajmëruar kryepolici Krenar Ahmeti, e më pas mbërritën forca të shumta policie. Specialistët e seksionit të luftës kundër shkatërrimit të pronës pranë policisë së kryeqytetit nisën hetimet për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se pas këqyrjes së automjetit rezultoi se zjarri ishte vënë qëllimisht madje autorët i kanë hedhur edhe benzinë. Ndërkohë që për kolegët e tij Ahmeti mësohet të ketë thënë se nuk kishte konflikte personale dhe gjithçka mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai kryen. Policia shoqëroi disa persona si autorë të dyshuar por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë. “Ende nuk dihen autorët e kësaj ngjarjeje megjithatë hetimet po vazhdojnë për të identifikuar dhe kapur personat përgjegjës”, thanë për “Shekullin” burimet policore.
Precedentët
Krenar Ahmeti shefi i komisariatit të qarkullimit rrugor në kryeqytet shpesh herë ka qenë protagonist i kronikave. Denoncime të shumta ka pasur në adresë të tij, nga qytetarë të cilët deklaronin se ishin dhunuar dhe shoqëruar në komisariat me pa të drejtë nga shefi i rrugorëve. Por Ahmeti është bërë i njohur në kryeqytet edhe për faktin që qëndronte vetë në krye të aksioneve të ndryshme policore, të cilat zhvilloheshin gjatë të gjithë natës. Konfliktet e kreut të rrugores nuk kanë qenë vetëm me njerëz të thjeshtë por edhe me përfaqësues të ligjit. Pak kohë më parë ai është konfliktuar me një prokurore të krimeve të rënda. Prokurorja denoncoi se makina me të cilën ajo po udhëtonte u ndalua me pa të drejtë nga shefi i qarkullimit rrugor, ndërsa sjellja e tij ishte arbitrare. Për këtë çështje Ahmeti u pezullua disa javë nga puna për tu rikthyer sërish ndërsa çështja vazhdon ende në gjykatë. Ndërkohë që ditën e djeshme kryepolici është bërë sërish protagonist i një ngjarjeje ku kësaj here është i dëmtuari. Makina e policisë e cila përdorej prej tij është djegur pranë banesës së tij. Policia dyshon se ky mund të jetë një kërcënim për detyrën e Ahmetit megjithatë hetimet po vazhdojnë.
Fqinjët: Nuk dëgjuam asgjë nga zjarri
TIRANË- “Nuk kemi dëgjuar asgjë, megjithëse banojmë shumë pranë. Nuk dëgjuam asnjë shpërthim”, -kanë pohuar dje fqinjët e kreut të policisë rrugore. Banorët e pallatit ku jeton Krenar Ahmeti, dinë shumë pak për ngjarjen. Madje edhe aq pak e kanë mësuar nga televizori. Flakët e shuara me shpejtësi pa i dhënë mundësi shpërthimit të automjetit ka bërë që ngjarja të kalojë në heshtje duke mos krijuar panik në zonë. “Krenarin e njohim të gjithë në lagje si djalë punëtor e i rregullt me të gjithë. Kemi dëgjuar se është strikt e kërkues në detyrën që kryen. Ndoshta mund të jetë ndonjë kërcënim nga personat që procedohen prej tij për shkelje. S’i dihet, tregon një banore e pallatit ku jeton Ahmeti. Automjeti i policisë që përdorej nga Krenar Ahmeti u largua nga vendi ku i vunë flakën nga ekspertët me qëllim kryerjen e ekspertizës.