E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi sponsorizon kuqezinjte

Në këtë periudhë pushimesh dhe impenjimesh të pakta me Kombëtaren shqiptare, Xhani De Biazi ka gjetur kohën për të vizituar skuadrën e tij të zemrës, Torinon. Te stoli “granata” ai ka punuar tre herë, duke lënë një kujtim shumë të mirë, ndërkohë që tekniku kuqezi analizoi edhe merkaton e kësaj vere në Serinë A.
I ngacmuar se cili prej futbollistëve të përfaqësueses shqiptare mund të shkëlqente në Serinë A, trajneri 56-vjeçar i ka sugjeruar klubeve italiane tre emra.
“Te Shqipëria kam lojtarë që mund të mund të paraqiten mirë në kampionatin italian. Madje mund të them edhe emrat. Ata janë Elis Bakaj, Odise Roshi dhe Armando Sadiku”, ishte deklarata e trajnerit kuqezi.
Pas ndalesës te Torino, De Biazi ka parashikuar edhe një vizitë te Lacio, ku objektivi është të takohet me kapitenin e Kombëtares, Lorik Cana. “Do të shkoj të takoj kapitenin tim, Lorikun. Dua ta takoj personalisht në këtë periudhë, pavarësisht se kemi folur shumë në telefon. Tashmë do të nisim të mendojmë për kualifikueset e Botërorit 2014”, tha trajneri.
Në fund, ai tha edhe një batutë për Zlatan Ibrahimoviç, që pret të zyrtarizohet si lojtar i ri i Paris Seint Zhermen. “në Itali, Ibrahimoviç ka bërë gjithmonë diferencën me kualitetin e tij. Vetëm në sezonin që kaloi nuk arriti ta fitonte titullin”, e përfundoi deklaratën e tij, De Biazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›