E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kuçedra" që po zhduk Liqenin e Tiranës

Nga Xheladin ÇELMETA
Të përfshirë totalisht në fushatën elektorale, lajmi i fundit që anonçuan dje mediat, ishte ai për ndotjen e Liqenit të Tiranës (ndërkohë që ai duhej të ishte i pari). Sikurse e pamë edhe nga vetë vëzhgimi që bëmë në vend, për rastin në fjalë, nuk kemi të bëjmë me një ndotje të zakonshme, apo të krijuar thjeshtë nga pakujdesia. Sipas konkluzioneve paraprake të ekspertëve mjedisorë, një dorë e qëllimshme ka hedhur në ujin e liqenit kimikate me efekte të forta toksike, çka ka sjellë edhe ngordhjen e gjithë gjallesave në të. Tani që po flasim, liqeni nuk është gjë tjetër, veçse një pellg me ujë të qelbur. Po dje, në fakt, erdhi edhe reagimi: Një grup ambientalistësh, panë nga afër problemi, dhe hodhën ndërkaq edhe dyshimin se dikujt i intereson që liqeni të thahet, dhe nga sipërfaqja që do të dalë në dritë tani pas 50 e ca vjetësh, të përfitohen kështu sheshe të reja ndërtimi(!!). O Zot, ku shkon marrëzia. Gjithë sa themi, është ende një supozim, por gjithsesi, i bazuar fort mbi dyshimin e ekspertëve, si dhe mbi atë që ka ndodhur realisht... Pra, ne mund të gdhihemi një ditë të bukur, dhe në vend të liqenit, të shohim fadromat dhe ruspat duke pastruar sheshin e ri, dikur fundi i liqenit. Dhe vetëm pak ditë më pas, të shfaqen betornametë e tmerrshme të pallateve(!!). Urojmë të mos ngjasë kurrë kjo. Po nëse vërtetë do të ndodhë kështu me Liqenin e Tiranës, atëherë gjithkujt me te drejtë mund ti shkojë ndërmend se një ditë edhe Mali i Dajtit, mund të fillojë të rrafshohet nga dora e ndonjë subjekti fantazmë. Apo, edhe Kalasë së Petrelës mund ti vihet dinamiti. Edhe Kalasë të periudhës parailire të Dorzit, në Pezë, mund ti merren gurët gjigandë prehistorikë për biznes. Shkurt, në gjithë këtë amulli mjedisore që po përjetojmë, ajo që po ndodh me Liqenin e Tiranës, është një këmbanë e fortë alarmi. Gjithkush duhet ta dijë mirë se Liqeni i Tiranës nuk është thjeshtë  një pronë publike, si për shembull, një shesh lojërash mes dy a tre pallatesh; as një fushë futbolli apo volejbolli, etj, etj. Liqeni i Tiranës, është pasuri kombëtare. Është pronë e brezave të tërë. Të fshish nga harta e Shqipërisë Liqenin e Tiranës është një akt që, pikë së pari, do të kërkojë OK e një popullate të tërë të kryeqytetit, si dhe të zonave rreth tij. Madje, më tej akoma: Edhe atë të të gjithë shqiptarëve. Liqeni i Tiranës, së bashku me parkun e tij kombëtar me pisha, është jo vetëm mushkëria e kryeqytetit, por edhe pika e preferuar turistike e gjithë vizitorëve shqiptarë; nga jugu në veri, e vëllezërve tanë kosovarë, por edhe e të huajve; gjermanë, italianë, austriakë, grekë, spanjollë, turq, amerikanë,etj. Bëmë një vizitë tek Liqeni artificial i Tiranës, është shprehja e simbolika më e përdorur nga ana e tyre, sa herë kanë shkruar në librin e përshtypjeve. Është një detaj që flet jo pak. Liqeni i Tiranës është oazi i vetëm dhe i papërsëritshëm në gjithë relievin e metropolit më të madh të Shqipërisë.  Gjithashtu ai është unikal në llojin e vet, si dhe padyshim një qendër shlodhëse me vlera të jashtëzakonshme.
Kësisoj, besojmë që hetuesia të ketë hapur dosjen përkatëse për këtë problem, ku të ketë angazhuar specialistët më të mirë të saj; përndryshe Shteti, Qeveria, Bashkia e Tiranës duhet të bëjnë gjithçka është e mundur për të parandaluar precedentin e rrezikshëm. Opinioni publik është tepër i ndjeshëm për atë që mund të ndodhë aty në të ardhmen. Ka plot arsye që të besojmë se një skenar i mbrapshtë po kurdiset për ta shkatërruar Liqenin e Tiranës. Një kuçedër, ka kohë që po i vjen rrotull dhe me një të kafshuar të vetme kërkon që ta zhdukë nga faqja e dheut atë, i cili edhe pse ashtu siç është; i ekspozuar nga ndotjet barbare të personave të papërgjegjshëm, ai përsëri ka bukurinë e hijeshinë e tij karakteristike. E pikërisht këtë kuçedër shteti duhet ta luftojë qysh tani, sa nuk ka nxjerrë akoma gjuhën dhe dhëmbët gllabërues. Kjo duhet bërë në emër të jetëve tona; të frymëmarrjes sonë të përbashkët; të punës së brezave që e krijuan këtë liqen dhe e mirëmbajtën në mbi një gjysmë shekulli; të veteranëve, të fëmijëve tanë, nipërve e mbesave. Liqeni i Tiranës duhet të rikthehet në pamjen që ka patur dikur. Liqeni i Tiranës nuk mund ti përkasë vetëm një personi të vetëm, sado i fuqishëm që të jetë ai. Nuk mund ti përkasë as edhe një subjekti privat, qoftë edhe sikur ai të pretendojë se i ka letrat që nga koha e Skënderbeut(!). Të gjithë e dimë se kjo që po përjetojmë në këtë vend, është kohë e marrëzive. Në këtë vend, mund të shfaqet gjithfarë aventurieri, i cili nga babëzia e fitimit, mund edhe të ëndërrojë të pabërën. E nga ky këndvështrim, marrëzinë e dikujt, nuk ka pse ta vuajë një komunitet i tërë. Apeli është i qartë: Të gjithë duhet ta mbrojmë Liqenin e Tiranës.                  

Last Updated on Saturday, 16 May 2009 11:02

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›