E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet mund të shtyhen nëse kartat e identitetit nuk merren nga popullata

*Nga Pirro PRIFTI
Mund të vlerësohet me një përllogaritje të përafërt që edhe nëse kartat e identitetit do të shpërndahen me një ritëm të kënaqshëm ende mund të mbeten pa karta të tilla rreth 100.000 individë të aftë për të votuar.
Ky rezultat mund të shkaktojë një reaksion të ashpër të Opozitës nëse kartat e identitetit nuk arrijnë të shpërndahen në kohë tek e gjithë popullata e aftë për votime në Shqipëri.
Pavarësisht seriozitetit për të pajisur me karta identiteti popullatën problemet e konstatuara mund të mos zgjidhen ashtu siç duhen nëse nuk bashkëpunojnë seriozit dhe në mënyrë të sinqertë opozita me pozitën.
Problematika e hasur për të pajisur popullatën me karta identiteti është e bartur prej vitesh dhe është rënduar gjatë viteve në vazhdim sepse shteti shqiptar nuk e vendosi si prioritet mbajtjen e statistikave të sakta të popullatës dhe inventarizimin nëpërmjet informatizimit kompjuterik të kësaj popullate ashtu si e kërkojnë dhe e kanë vendet e BE, SHBA, bazuar në grup moshat, bazuar në kontigjentet e popullatës së ardhur dhe të ikur (Emigracioni dhe Imigracioni), bazuar në formimin e një regjistra standardë shtetërorë, regjistra standardë sipas qarqeve, bashkive, komunave, dhe pasjen e një komisioni të përhershëm shtetëror për verifikimin e të dhënave dhe marrjen e masave përkatëse.
Mendohet se të dhënat statistikore të popullatës së Shqipërisë janë ende të pa sakta për shkak se kontigjente të tëra njerëzish kanë lëvizur nga vendbanimet e tyre nga periferia për në qytetet e mëdha të qarqeve, ose janë larguar jashtë shtetit. Akoma edhe pas 19 vitesh demokraci një nga detyrat themelore të shtëpisë të kërkuara nga BE nuk është realizuar siç duhet - detyra e llogaritjes së popullatës së saktë apo siç thuhet rëndom inventari i saktë i popullatës. Kjo nuk do të thotë se nuk dihet numri i popullatës totale por nuk janë saktësuar nga ana statistikore e numerike  grupet kryesore të popullatës si grup-popullatat mbi 18vjeç, grup moshat që mbushin moshën 18 vjeç deri me 28 qershor, cilat grup popullate janë rezidentë dhe kush quhet rezident e kush quhet i larguar.
Përsa i përket pjesës ligjore me gjithë dëshirën e madhe dhe përpjekjet për të pajisur me karta identiteti popullatën, pajisje e cila u vonua për shumë arsye dhe ku pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka Koalicioni qeverisës por që përgjegjësi konkrete kanë dhe Opozita e cila nuk është përpjekur sa duhet dhe mesa duket dhe ajo nuk ka qenë e interesuar të bëhet siç duhet pajisja me karta identiteti pasi të bëhej një regjistër i informatizuar kombëtar  me të gjitha veçoritë dhe specifikat që duhen për një regjistër të tillë; megjithatë duhet patur parasysh që Regjistri kombëtar i popullatës nuk duhet vetëm për zgjedhje por duhet në radhë të parë dhe për probleme ligjore, profesionale, shkencore, shëndetësore, etj, etj, sepse bazuar në statistika të sakta të popullatës dhe të veçorive të saj mund të nxirret e saktë, GDP, prodhimi për frymë, të ardhurat për frymë, buxheti i shtetit.
Duke mos patur një regjistër të tillë të, dy partitë kryesore nuk kanë dhënë për vite me radhë të dhëna të sakta  për probleme kardinale si p.sh, sa është Prodhimi bruto shqiptar, sa është popullata e Shqipërisë, sa është emigracioni, sa veta janë të aftë për punë, sa është papunësia, sepse të gjitha të dhënat e deklaruara deri më sot nuk kanë një bazë statistikore të saktë. Po kështu të dhënat për Mortalitetin infantil, për të ardhurat për frymë, për eksportin dhe importin, se sa është numri i njerëzve që do të votojnë etj, etj.,  janë jo të sakta, dhe kjo pasaktësi ka 19 vite që vazhdon. Përpjekja e parë serioze që po bëhet është viti 2008-2009 kur ky koalicion është pajisja e njerëzve me karta identiteti por mos pasja e një regjistri themeltar të saktë shtetëror dhe informatizimi i tij bazuar tek regjistrat themeltarë të qarqeve e bën këtë detyre pothuajse të parealizueshme brenda afateve kohore që kërkohet për të bërë zgjedhje.
Ka shumë probleme të pa saktësuara në ligj si p.sh: nuk është përcaktuar me ligj gjithashtu se kush do të quhen  emigrante që duhet të votojnë, e kush do të cilësohen emigrantë të cilët  nuk duhet të votojnë (p.sh, emigrantët që kanë marrë nënshtetësi të huaj).
 Nuk është përcaktuar me ligj se kush do të quhen rezidentë brenda një territori të caktuar dhe kush do të jenë jo-rezidentë.
Problemi kryesor tek ne janë lëvizjet e popullatës brenda territorit të Republikës së Shqipërisë sepse vërehet që pjesa e popullatës që përbën moshën e tretë ka lëvizur brenda qyteteve të mëdha dhe ka emrin në një vend tjetër por jeton në një vend jashtë territorit, ekziston një pjesë popullate e cila jeton në vende rurale por punon në qytete të mëdha dhe kthehet në darkë në shtëpitë e tyre, vërehet se popullatë studentore dhe ajo e vitit të fundit të shkollës së mesme që është e aftë për të votuar nuk është rezidente në shtëpitë ku banojnë por jeton në qytete të mëdha, e shumë e shumë probleme të tjera që duhet të ishin zgjidhur me ligj deri më tani.
Duke parë këtë katrahurë lëvizje të popullatës shqiptare brenda dhe jashtë vendit gjatë këtyre 19 viteve, një profesionisti të pa-anshëm qoftë specialist i huaj i BE, qoftë specialist i paanshëm shqiptar mund t`i shkojë në mëndje që vonesa në inventarizimin e popullatës i intereson disa politikanëve të të dyja krahëve në mënyrë që ata të kenë dorë të lirë në numurimin e votive si dhe në fitoren e pamerituar të zgjedhjeve.
Loja me votën në një vend ku popullata nuk dihet sa është, dhe nuk dihet sesa njerëz do të votojnë, është një lojë  e padëgjuar dhe e paparë në një sistem demokratik  në të cilën pretendojmë që jemi.
Për këtë arsye BE, ODHIR, dhe organizma të tjera, kanë këmbëngulur që dy detyrat kryesore të Shtetit Shqiptar janë: regjistrimi i popullatës me specifikat përkatëse, dhe pajisja e tyre me karta identiteti. Është hera e parë që ky problem po merret seriozisht nga politika dhe nga maxhoranca në fuqi, por vonesa në fillimin e shpërndarjes së kartave të identitetit, parregullsitë dhe problemet e gjendura në regjistrat themeltarë të Bashkive, komunave, të krijojnë përshtypjen se prioriteti i vënë nga ekzekutivi i sotëm për këtë problem mund të vihet në dyshim duke patur parasysh që edhe sikur shpërndarja të jetë optimale mund të ngelin pa karta identiteti rreth 10.000 zgjedhës. Atëherë çdo të ndodhë?
Ka disa variante:
-ose do të arrihet marrëveshje që të shpërndahen përsëri certifikatat për këta persona që nuk do të arrijnë të pajisen në kohë me karta identiteti,
-ose do të shtyhen zgjedhjet disa muaj deri në pajisjen me karta identiteti e gjithë popullata që do të votojë (të paktën),
-ose do të krijohet një qeveri teknike për të menaxhuar zgjedhjet, gjë që detyrimisht kërkon gjithashtu shtyrjen e zgjedhjeve,
Mundësia më e madhe është ri-futja e certifikatave me lëshime të dyanshme nga të dy koalicionet përkatëse më të mëdha, por dhe opsionet e tjera janë në potencial.
Por çdo shtojcë larg shpërndarjes tek e gjithë popullata e aftë për të votuar, do të ketë pasoja qofshin ato në drejtim të integrimit në Evropë, qofshin dhe sociale.

*Analist

Last Updated on Saturday, 16 May 2009 11:05

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›