E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Fazlliç”, prokuroria pret fletëthirrjen për Flutura Kolën

Akuza kërkoi në Regjistrin Tregtar të dhëna shtesë për firmën e Fazlliçit. Flutura Kola është personi kyç që do të flasë për transaksionet e Fazlliçit

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria Shqiptare i ka nisur juristes Flutura Kola fletëthirrjen për t’u paraqitur këtë javë në Prokurorinë e Tiranës. Lajmi u konfirmua dje nga burime pranë këtij institucioni. Prokurorët e çështjes nuk pranuan të jepnin detaje konkrete lidhur me datën dhe orën e thirrjes, ndërsa e konsideruan si një “veprim krejt normal” marrjen në pyetje të saj. Nga ana tjetër, prokurorët kanë kërkuar edhe një përgjigje më specifike nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve lidhur me ndryshimin e statusit(nga sha. në sh.p.k) të firmës Croun Acquisitions të Damir Fazlliç e cila u bë dhe objekt i hetimit për pastrimin e parave. Sikurse u rezultoi prokurorëve tri ditë para se ata të sekuestronin dokumentacionin, Fazlliç kishte aplikuar për ndryshimin e statusit ndërsa ky dokument i shërbeu avokatëve të Fazlliçit për të kërkuar anulimin e sekuestros mbi pronat e tij, duke arsyetuar se “në listën e pronave ishte firma Croun Acquisitions sh.a dhe jo Croun Acquisitions shpk”.
Kola
Avokatja Flutura Kola drejton studion ligjore “Kola&Associates” ndërsa këtë aktivitet e ka zhvilluar për dy muaj në ortakëri me vajzën e kryeministrit. Më vonë krijuan dy firma të ndryshme që operonin në të njëjtën godinë. Flutura Kola ka patur një rol kyç në shitjen fiktive që Damir Fazlliç i bëri firmës së tij “Croun Acquisitions” te firma qipriote “Altaria Research Limited”. Kola ishte përfaqësuesja me prokurë e firmës qipriote dhe do të bënte të gjithë procedurën e blerjes së firmës “Altaria” në Tiranë. Në prokurën e dërguar nga Qipro, Kola detyrohej që të nënshkruante kontratën e blerjes dhe të regjistronte firmën në gjykatë, në regjistrin tregtar dhe në tatime, në emër të firmës qipriote. Por sikurse provuan dokumentet e publikuara në media, rezultoi se Kola nuk kishte regjistruar pronarët e rinj në regjistrin tregtar dhe në tatime. Rreth 1.7 milionë euro të deklaruara si shitje nuk u regjistruan në organet kompetente duke shmangur taksat, por ndërkohë duke kryer paralelisht një transaksion që ishte i pakontrolluar për nga pikëpamja e garancisë, pastërtisë së këtyre parave. Dy ditë pas nisjes së hetimeve ndaj serbo-boshnjakut Fazlliç, prokuroria vendosi sekuestrimin e të gjitha pasurive në emër të tij. Hetuesit kërkuan informacion nga bankat për gjendjen e llogarive bankare dhe transaksionet e kryera nga biznesmeni dhe nga hipotekat për të mësuar të gjitha pronat e regjistruara në emër të serbo-boshnjakut. Njësia e specializuar e Task-Forcës kërkoi informacion nga doganat për të verifikuar nëse shoqëritë e Fazlliçit kanë kryer ndonjë import-eksport malli. Por doganat ende nuk i janë përgjigjur interesit të prokurorisë për tri javë me radhë, derisa erdhi përgjigjja se Fazlliç nuk kishte paguar as një qindarkë në dogana. Deri tani, në duart e hetuesve gjenden vetëm përgjigjet e bankave, ku rezulton se biznesmeni nuk ka vetëm disa “kacidhe” në llogaritë bankare, por janë zbuluar disa transaksione, të cilat mund të jenë një provë e fortë për të vërtetuar dyshimet për pastrim parash.
Shitblerja
Shitja e kompanisë “Croun Acquisitions sh.p.k”, me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh kompanisë “Altaria Research Limited” po në emër të Fazlliçit, përbën, sipas prokurorisë, provën më të fortë që serbo-boshnjaku ka bërë pastrim parash në Shqipëri. Por, për të vërtetuar dyshimet, prokuroria po heton dhe kryen verifikime të shumta. Deri tani, prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat po i shqyrton me qëllim që të nisë nga marrja në pyetje e personave që kanë bashkëpunuar me Fazlliçin. Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që ka qenë administrator i të paktën tri shoqërive të Fazlliçit, si dhe avokatja Flutura Kola, e cila kreu të gjithë procedurën. Kola nga ana e saj ka reaguar vetëm një herë publikisht pas publikimit të dokumenteve në media. Edhe kur reagoi, ajo e bëri këtë veprim nëpërmjet një deklarate të Dhomës së Avokatisë. “Dhoma Kombëtare e Avokatëve deklaron se avokatja Flutura Kola, gjatë shitjes së njërës prej shoqërive të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, ka ndjekur një praktikë ligjore. Vetë avokatja Kola ka paraqitur pranë kësaj Dhome një kopje të praktikës së shitjes së kuotave të kompanisë shqiptare “Croun Acquisitions” një kompanie qipriote me vlerë 1 milion e 700 mijë euro. Sipas deklaratës së avokatëve, gjatë shitjes avokatja nuk ka bërë asnjë shkelje të rregullave të kodit të etikës së avokatit, ndërkohë që ajo ka qenë e pajisur me një prokurë të lëshuar nga klienti i saj gjatë kësaj shitjeje. Gjatë ushtrimit të profesionit, avokati vepron në emër dhe llogari të klientit dhe jo në emrin personal, ndaj sulmet ndaj tyre janë të pajustifikuara”, -shkruhej në deklaratë.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›