Ngjela: “Ku Klus Klani ekziston ende në Shqipëri”
Deputeti i pavarur Spartak Ngjela, ndërsa e ka vlerësuar projektligjin e paraqitur nga PD-ja një projekt të pazbatueshëm, solli në vëmendjen e ligjvënësit një histori personale. Ai bëri të ditur se në vjeshtën e vitit 1991, ish-nënkryetari i PD-së, Arben Imami, i kishte kërkuar të shkruante një artikull për Sigurimin e Shtetit, karakterin e tij dhe arsyet pse duhej dënuar ai. Ngjela bëri të ditur se e kishte shkruar artikullin dhe i kishte vënë titullin: “Sigurimi i Shtetit si Ku Klus Klani”. Por më pas mori përgjigjen se kryeredaktori i gazetës së partisë nuk kishte pranuar ta botonte. Ngjela bëri të ditur se Ku Klus Klani vazhdon ende të ekzistojë në Shqipëri. Ai tha se nëse do të zbatohej projektligji i sjellë në Kuvend, atëherë do të rrezohej qeveria, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Por Ngjela, si njohës i ligjeve, bëri të ditur se projekti është i pazbatueshëm dhe ka si qëllim fshehjen, dhe jo hapjen e dosjeve.
Reagon prokurori Zamir Shtylla: “Berisha më ka emëruar në Prokurorinë e Përgjithshme”
Pas akuzave të kryeministrit Berisha ka reaguar dje prokurori i çështjes së Gërdecit, Zamir Shtylla. Larg një retorike politike, Shtylla ka qenë protagonist në disa prej dosjeve më të bujshme të 18 viteve të fundit, si ai ndaj bllokmenëve, Nexhmije Hoxhës dhe Aldo Bares, ka kujtuar se ka qenë pikërisht presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, që e ka emëruar atë në një prej posteve më të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme. “Së bashku me kolegët e mi kërkuam arrestimin e Nexhmije Hoxhës dhe të tjerëve. Unë kam zbatuar ligjin dhe vazhdoj t’i bindem atij dhe askujt tjetër”, - u shpreh Shtylla. Ndërkohë, në lidhje me çështjen e Gërdecit, mësohet se prokurorët e dosjes janë në prag të përfundimeve shumë të rëndësishme dhe nga ky hetim kanë dalë shumë emra të tjerë të rinj.
16 Dhjetor 2008