E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelet kontrata e punës, lëvizje masive mësuesish

Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore po bëjnë lëvizje masive të mësuesve, duke shkelur në këtë mënyrë kontratën kolektive të nivelit të parë. Alarmi jepet nga krerët e dy sindikatave të Arsimit, Xhafer Dobrushi dhe Bajram Kruja. 

"Tani që jemi në ditët e para të fillimit të vitit të ri shkollor, sipas informacioneve që kemi nga seksionet tona sindikale në rrethe dhe nga ankimet e drejtpërdrejta të dhjetëra mësuesve rezulton se ndonjë DAR dhe disa ZA në rreth si: Mallakastër, Mirditë, Has, Gramsh, Librazhd etj, po bëjnë lëvizje masive të mësuesve nga një shkollë në tjetrën, duke shkelur në mënyrë flagrante dispozitat e kontratës kolektive të nivelit të parë, që ligjërisht disiplinon këtë proces", - u shpreh Dobrushi.

Gjithashtu, krerët e sindikatave kanë dhënë edhe raste konkrete të lëvizjes së mësuesve. Kështu, në Has mësuesit më të mirë që janë diplomuar në Universitetin e Tiranës e që kanë punuar për rreth 15 vjet në gjimnazin e vetëm të këtij rrethi, pa asnjë motivim ligjor apo kontraktual janë transferuar në një shkollë komune. Ndërkohë që, në këtë transferim përfshihet edhe kryetari i sindikatës së gjimnazit. Në Mallakastër, përveçse kërcënohen edhe drejtuesit sindikalë, shumë mësues të shkollave 9vjeçare, me kualifikim të njëjtë, lëvizin nga vendbanimi i tyre, nga një cep i rrethit në një rreth tjetër, ndërsa mësuesja tjetër, nga cepi i kundërt le fshatin e saj dhe vjen në shkollën që gjendet në anën e kundërt me vendbanimin e saj. 

Dobrushi ka sqaruar se veprime të kësaj natyre po bëhen edhe në rrethin e Gramshit, Devollit etj. Në Librazhd, në fshatra të caktuar, ku ka rënie të numrit të nxënësve, mbeten jashtë kuadrit mësimor me arsim përkatës, të punësuar në mënyrë definitive dhe mbahen në punë të tjerë që nuk plotësojnë kriteret. Sipas Sindikatës së Arsimit, këto raste janë ndër më tipiket që janë paraqitur pranë strukturave të tyre. Duke marrë parasysh këtë situatë, ata kërkojnë nga MASH dhe Qeveria që t'u jepet fund këtyre veprimeve anti-kontraktuale dhe antiligjore, ndërsa shkaktarët të vihen para përgjegjësive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›