E Diel, 1 Nëntor 2026

“Surpriza” në gjyq, Nexhmija: Kadare më kërkoi mbrojtje në ’73

TIRANE- Merr një tjetër rrjedhë gjyqi mes shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit Enver Hoxha. Në seancën e parë gjyqësore pas kthimit nga pushimet vjetore të gjykatësve, të dyja palët paraqitën pretendimet e tyre, duke startuar kështu një betejë gjyqësore, që duket se do të zgjasë jo pak dhe pritet të ketë mjaft surpriza, duke nxjerrë në dritë një marrëdhënie të panjohur më parë mes shkrimtarit dhe familjes së diktatorit Hoxha. 

Avokati i Nexhmije Hoxhës, të cilën shkrimtari e akuzon se përmes mashtrimit i ka marrë dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” dhe e mban padrejtësisht që prej vitit të largët 1972, zbuloi dje në sallën e gjyqit disa letra që Kadare i kishte dërguar gruas së ish-diktatorit. Në letrën e datës 21 mars 1971, sipas avokatit, shkrimtari Kadare fillimisht e falënderon Nexhmije Hoxhën për ndihmën që i kishte dhënë për realizimin e romanit, duke i vënë në dispozicion dokumente të Arkivit të Partisë. Në vijim të letrës, Kadare shpreh dëshirën e tij dhe të bashkëshortes, që znj.Hoxha t’i vizitonte në shtëpi, kur të kishte kohën dhe mundësinë. Pas botimit, romani ishte kundërshtuar ashpër dhe kritikuar. Kështu, me një letër të dytë, që daton në prill të 1973-it, Kadare i kërkon Nexhmije Hoxhës të ushtrojë ndikimin e saj, pasi po i sulmohej vepra, ndërsa në letrën e datës 26 korrik 1973, rezulton se shkrimtari i ka kërkuar ndihmë për strehimin. Përmes këtyre letrave, përfaqësuesi ligjor i Nexhmije Hoxhës, tenton të bindë gjykatën, se dorëshkrimi i romanit nuk ka shkuar në duart e të vesë së ish-diktatorit, përmes mashtrimit të bërë nga ana e saj, por ka qenë një dëshirë e vetë shkrimtarit për ta bërë një gjë të tillë. 

PADIA 
Ismail Kadare, shkrimtari i madh, i cili prej dekadash jeton në Francë, pak muaj më parë iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një padi kundra Nexhmije Hoxhës. Ai e akuzonte këtë të fundit, se përmes mashtrimit i kishte marrë dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i vetmisë së madhe” dhe e mbante padrejtësisht, duke mos ia kthyer. Sipas Kadaresë, Nexhmije Hoxha ia kishte marrë veprën gjatë një vizite që kishte bërë në shtëpinë e këtij të fundit dhe, me pretekstin se banesa ishte e vogël dhe nuk kishte kushte për ruajtje, ia kishte kërkuar që ta merrte dhe ta vendoste në Institutin e Studimeve Marksiste- Leniniste. Sipas shkrimtarit, dorëshkrimi kishte vlera të mëdha shpirtërore, morale e materiale, si dhe ishte trashëgimi kulturore, ndaj për këtë shkak kërkonte ta kishte sërish në duart e tij. Por duke qenë se nuk kishte arritur ta merrte privatisht, edhe pas shumë korrespodencash që kishte pasur dhuratë me gruan e ish-diktatorit, vendosi ta kërkojë në rrugë gjyqësore. E paditura Hoxha, që në krye të herës, përmes mbrojtësit ligjor tha se Kadare ia kishte dhuruar veprën në shenjë mirënjohjeje dhe se ishte e gatshme të zbatonte vendimin e korregjykatës, nëse do ta urdhëronte për dorëzimin e saj.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›